2013-03-26 14:11:27

E Marta e Madhe e Pashkëve


Kaloi edhe një ditë e Javës së Madhe të Shenjtë drejt Pashkëve! Ora vendimtare është fare pranë e hëna arrin kulmin e Nisanit
1. Krishti del nga streha e pemëve, ku kaloi natën e riduket mes njerëzve, në tempull. E rrethon duhma e vdekjes. Krerët e popullit sillen rreth presë. Të mbështjellë me mantelet e tyre luksoze e me mllef, e gjuajnë me fjalë therëse. Ai ua çjerr maskat, ua zbulon fytyrat e vërteta prej vreshtarësh vrasës, që do të shfarosen nga Zotëria i vreshtit; e flet për Hyjin e Abrahamit, të Izakut e të Jakobit: për atë që nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve. Ata mund ta mbysin; plani misterioz i Atit e parashikon vdekjen e Shëlbuesit, por ai ka fuqi të rikthehet në jetë, sepse Hyji i ka thënë:
“Rri në të djathtën time, derisa armiqtë e tu t’i bëj stolin e këmbëve të tua”.
Nuk ia vënë veshin. Vetëm turma e shikon, e varur ndërmjet frikës e shpresës. Ata, përbuzës, shkojnë e hedhin lëmoshë të begata në kasat e tempullit, për të treguar se janë me Zotin. Por zëri i ndërgjegjes s’i lë të qetë. U kujton se kanë dhënë vetëm pakëz nga tepricat, ndërsa një vejushë e varfër dha gjithë ç’kishte pas shpirtit. Zotin nuk mund ta blejë askush, sado i pasur të jetë! Nuk mund ta blejë e as ta gënjejë! Ai është sundimtar i universit. Atij i përket gjithçka e s’ka nevojë për lëmoshë, as për dhanti. Ai pret t’i dhurohen zemrat mirënjohëse, të vetëdijshme për ligështitë e tyre, që nuk shkojnë drejt tij me hundë përpjetë, duke numëruar meritat e veta, por e njohin atë si gurrë të të gjitha të mirave, prijës, fillesë e cak i fundit i jetës së tyre.
E toka rrotullohet pambarimisht rreth diellit, e sahati diellor aty pranë shënon orët e fatit të Jezusit. Mbërrin mesdita. Dishepujt e shikojnë të tronditur, të përhumbur në mendime, që i tejkalojnë provokimet e armiqve mistrecë, të cilët e kërcënojnë e shkojnë në punë të vet, për t’u rikthyer në grupe, me shpresë se do ta mundin. Atij i përshkohen ndër mend kohët e ngarkuara me krime e ndëshkime, me tragjeditë e shpresat e çdo njeriu, fshehur në palët e viteve që shkuan, që janë, që do të vijnë; mendon për rrënojat e kombeve e gërmadhat misterioze të shpirtrave. E zemra mend i del nga kraharori e sytë i mbushen me lot: “Oh, sa do të dëshiroja ta shikoj sot shëlbimin tënd!” - i bërtet qytetit. Por qyteti e bën veshin të shurdhër e shkon drejt ditëve
“në të cilat do të rrënohet, sa të mos i mbetet gurë mbi gurë!”.
Dishepujt bëjnë çmos ta zbavisin e të zbaviten. Të ulur pranë një burimi, kanë ngrënë një kafshatë bukë e ndërsa i sjellin Mësuesit një frutë a një kupë, i thonë: “Shiko, o Zot, sa të mëdhenj janë gurët e Tempullit, sa të larta pirgjet, sa të ndritura stolitë e arta”.

Ai reagon duke u zhytur në pafundësinë e ardhmërisë e i tërheq pas vetes në vegimin vigan e tronditës, i ngushëllon me pathyeshmërinë e tij: jo vetëm pirgjet e Tempullit do të shemben, por ka edhe më: popujt do të ngrihen kundër popujve e mbretëritë do të kacafyten për vdekje njëra- me-tjetrën.
“E do të dëftohen shenja në diell, në hënë e ndër yje; e në tokë do të vërtetohet ankth popujsh, të tmerruar nga gjëmët e detit e të dallgëve, ndërsa njerëzit do të mbeten pa frymë nga frika e nga tmerri. Fuqitë qiellore do të çatrafilohen e atëherë njerëzit do ta shikojnë Birin e njeriut duke ardhur përmbi një re me fuqi e lumni të madhe…”.
“Shikoni edhe ju lart, çojeni kokën përpjetë, sepse shpëtimi juaj është afër”.
Fjalët rrokullisen si ortekët nga shekulli në shekull e arrijnë deri tek ne. Por rreziku ynë, rreziku i kohëve tona, është se nuk mund ta parashikojmë forcën e tyre. Në ditët e largëta armiq të shumtë u sulën kundër Krishtit, për ta zhdukur atë e edhe kujtimin e tij. Ndërsa sot s’e përfillin. Duan ta ndërtojnë ardhmërinë e tyre, pushtetin, pasurinë, vetë jetën, pa Të. Duan të arrijnë progresin që nuk njeh tjetër, veçse mburrjen vetjake, vrapojnë për të provuar emocione gjithnjë të reja, pa e çarë fare kokën për zbrazësinë që lënë pas, skllevër të ethes së kënaqësisë, që s’të jep paqe. Fjalët e Jezusit fluturojnë drejt qiejve të tjerë e bota ka gjithnjë më pak shenjtëri e gjithnjë më shumë mëkat.
Ndalu mes nesh, o Zot, e na bëj pjesëmarrës në fatin tënd shëlbues. Edhe ne jemi bij të kohës sonë e tundohemi ta bëjmë veshin të shurdhër para qortimeve tuaja. Mijëra grishje për lumturi na e joshin zemrën e mendjen e pastaj, kur na pushton dhimbja e tmerri i vdekjes, na braktisin të gjithë. Të gjithë, o Zot, veç tejet. Na jep, pra, forcë të rrimë larg mashtrimeve, egoizmit, prepotencës. Na prij drejt zbulesës sate, në këtë çast kur ti je në fund të kohës, që i caktohet edhe secilit nga ne. E dimë mirë se fundi i botës vjen atëherë, kur merr fund jeta.

Na e forco, prandaj, o Zot, fenë tonë që luhatet e në sa dridhemi nga frika e vdekjes, na ngushëllo me pavdekësinë. Bëj që zemra jonë rravguese të jetë pranë teje në ditët e mundimeve tua, që përsëriten në shekuj në zemrën e bijve të tu. E na e jep hirin që, ndërmjet provave e joshjeve të shumta të jetës, të zbulojmë gëzimin e sigurt: të jetojmë e të vdesim në harmoni me ty, o Krisht Shëlbues!

1
Nisan (transliterim nga gjuha hebraike נִיסָן) është muaji i gjashtë i kalendarit hebraik sipas llogarive të zakonshme. Ndërsa është i pari sipas llogarive të daljes nga Egjipti. Në krahasim me kalendarin e sotëm, bie ndërmjet marsit e prillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.