Java, që i paraprin Pashkëve, qysh në kohët më të lashta quhet Java e Shenjtë. E vërtetojnë
këtë shkrimet e shën Atanazit, që jetoi në shekullin IV. Në Lindje kjo javë quhej
“e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsh edhe ndër shqiptarë. Quhej e vijon të quhet
‘e Madhe’ – na shpjegon Shën Gjon Gojarti – jo pse ka më shumë ditë sesa javët
e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë javë Zoti kreu gjestet më
të larta”. Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta që nga kohët apostolike, kremtoheshin
vetëm e Premtja dhe e Shtuna” ‘ditë në të cilat – siç vëren Tertuliani – Kishës
ia morën dhëndrin”. Gjatë këtyre dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve
të tjera e, në shenjë zije, nuk shkëmbehej puthja e paqes. Kremtimi përfundonte me
të Dielën e Pashkëve. Kremtohej kështu Treditëshi i Pashkëve, nga e Premtja, tek
e Diela. Në shekullin IV nisën të kremtoheshin në formë historike ngjarjet e Ungjillit,
posaçërisht themelimi i Eukaristisë, të Eenjten. Ky kremtim shënoi një risi në Treditëshin
e Pashkëve, që nuk zgjatej më nga e Premtja tek e Diela, por nga e Enjtja, tek e Shtuna.
Më pas u shtua edhe një ditë tjetër, e Mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë
për ta mbytur Krishtin. Më vonë, herë pas here, u shtuan edhe e Hëna dhe e Marta,
aq sa tek shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjëruar në mënyrë të posaçme në këto
gjashtë ditë shenjte e të mëdha. Kjo nuk do të thotë se që në shekullin IV të gjitha
ditët e Javës së Madhe patën, në këndvështrimin liturgjik, rëndësinë që morën më pas
e që e kanë edhe sot e kësaj dite. Në Lindje ndiqeshin nga populli e nderoheshin
shumë më tepër se gjetiu. Kemi dëshmi të lashta për kremtimet e veçanta të Kishës
së Jerusalemit. Në Viset e Shenjta, përplot me kujtime tronditëse, nisin të kremtohen
liturgji të posaçme, të cilat më pas, pak nga pak, përhapen në perëndim, duke arritur
edhe në Romë. Në Qytetin e Amshuar përveç kremtimit të Eukaristisë, të Enjten e
Madhe u shtua edhe rrëfimi i pendestarëve si dhe bekimi i Vajrave shenjte. Gjithnjë
në Romë, të Hënën e të Martën, nisi të kremtohej një liturgji e posaçme, e porositur
nga Papa Hilari, në shekullin V. Të Premten e të Shtunën, në Romë e në vise tjera,
nuk u lejua asnjëherë kremtimi eukaristik. Ritet që kremtohen sot të Premten e
Madhe të Pashkëve – adhurimi i Kryqit e Mesha e të parashenjtëruarve - hynë në liturgjinë
romake rreth shekullit VII; e më vonë edhe ato të së Shtunës së Madhe. Mund të
themi se Liturgjia romake e Javës së Madhe të Pashkëve duke u kremtuar në shekuj,
bëri të vetat shumë rite me zanafillë të ndryshme, por edhe ruajti me kujdesin më
të madh ritet e lashtësisë së vet.
Nga dokumentet që vijnë deri në ditët tona
prej lashtësisë së krishterë, përveç përshkrimit të mirëfilltë të kremtimit liturgjik,
gjejmë edhe frymën e fesë së krishterë që gjallëronte bashkësinë, e cila i jetonte
ngjarjet liturgjike si pjesë përbërëse të jetës shoqërore. Perandorët e krishterë,
që nga shekulli IV, për të lehtësuar mbajtjen e agjërimit e ndjekjen e funksioneve
liturgjike të kësaj Jave, siguruan me ligj mundësinë e pushimit për shërbëtorët si
dhe ndërprerjen e gjyqeve civile e penale. E një praktikë e tillë vijoi për disa shekuj,
si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.. Zemra e thelbi i Pashkëve është pjesëmarrja
jonë në kremtimet e mistereve të Krishtit, të pranishme në liturgjinë Kishtare. Prandaj,
Kisha fton të përgatitemi për Pashkë me një rrëfim të mirë, detyrë e rëndësishme kjo,
që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë në Zotin, të kemi realisht një
fillesë të re në gëzimin e të Pashkëve e në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti
i Ngjallur.