2013-03-26 11:29:19

46-vjetori i Enciklikës “Populorum progressio”


Kisha shënon sot më 26 mars 46-vjetorin e një enciklike papnore që sot mund të quhet profetike: “Populorum Progressio” – “Zhvillimi i Popujve”, shpallur nga Papa Pali VI më 26 mars 1967. Kjo enciklikë “Populorum Progressio” trajton problemet e mëdha të globalizimit ekonomiko-shoqëror në botë dhe prek tre fenomene tepër të rëndësishme shoqërore për kohën kur u shkrua, por edhe për kohën tonë: dekolonizimin, fenomen aktual ky i asokohshëm, pabarazitë ndërmjet Veriut e Jugut të botës në plan ekonomik, tepër aktuale edhe për sot së bashku me problemin dhe ushtrimin e drejtësisë ndërkombëtare në kornizën gjeopolitike të karakterizuar nga tensionet ndërmjet Veriut e Jugut, dhe së treti, procesin e kryesuar posaçërisht nga organizmat e Kombeve të Bashkuara për fillimin e një faze të re të bashkëpunimit ndërkombëtar për të sheshuar, të paktën pjesërisht, hendekun dramatik ndërmjet Veriut e Jugut të botës.
Duke botuar në vitin 1967 Enciklikën Populorum progressio, Papa Pali VI e ka ndriçuar temën e madhe të zhvillimit të popujve me shkëlqimin e të vërtetës dhe me dritën e këndshme të dashurisë së Krishtit. Ai pohoi se lajmi i Krishtit është faktori i parë e kryesor i zhvillimit dhe na ka lënë misionin që të ecim në rrugën e zhvillimit me gjithë zemrën tonë e me gjithë inteligjencën tonë, do të thotë me zjarrin e dashurisë, dijen e të vërtetës.
Është pikërisht e vërteta themelore e dashurisë së Hyjit, hir e bekim që na është dhuruar, ajo që e hap jetën tonë dhurimit e bën të mundur që të shpresojmë në një “zhvillim të njeriut në tërësi dhe të të gjithë njerëzve”, në një kalim “nga kushtet më pak njerëzore në kushte më njerëzore”, që arrihet duke i mposhtur vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme ndeshen gjatë rrugës.
Më se dyzet vjet nga botimi i Enciklikës, Kisha e nderon kujtimin e Papës së madh Pali VI, duke marrë mësimet e tij mbi zhvillimin njerëzor të tërësishëm e duke u vënë në rrugën e hapur prej tyre, për t’i aktualizuar ato në realitetin e sotëm. “Zhvillimi “ – shkruan Papa Pali VI – është emri i ri i paqes”. Por - vijon të shpjegojë - duhet të jetë një zhvillimi i plotë, për çdo njeri e për të gjithë njerëzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.