2013-03-25 15:23:10

Ritet e Javës së Madhe të Pashkëve që kryesohen nga Papa


28 mars 2013, e Enjtja e Madhe e Pashkëve: Ati i Shenjtë Françesku do të kryesojë, duke nisur nga ora 09.30, Meshën e Bagmit, Meshën e bekimit të Vajrave të Shenjta, në bashkëkremtim me kardinajtë, patrikët, kryeipeshkvijtë, ipeshkvijtë e meshtarët dioqezanë e rregulltarë.

Gjithnjë të Enjten e Madhe të Pashkëve, më 28 mars, fillon Treditëshja e Pashkëve. Viti Fesë është atmosfera ideale për të kremtuar Meshën e Darkës së Mbrame, të cilën Papa Françesku do ta kremtojë me të burgosurit e mitur në burgun romak Casal del Marmo. Këtë ditë përkujtojmë themelimin e Eukaristisë e të shërbimit meshtarak, dy dhurata të çmuara të Zotit

29 mars 2013, e Premtja e Madhe e Pashkëve: Ati i Shenjtë do të kryesojë Liturgjinë e Fjalës së Zotit, Adhurimin e Kryqit dhe Ritin e Kungimit, në Bazilikën e Vatikanit, duke nisur nga ora 17.00.

Në orën 21. 15, pranë amfiteatrit romak Koloseut, Papa do të kryesojë “Udhën e Kryqit”, në përfundim të së cilës do t’u drejtojë fjalën besimtarëve e do të japë Bekimin Apostolik.

30 mars, e Shtuna e Madhe e Pashkëve – Nata e Shenjtë, Nata pa gjumë e lutjes kudo ndër katolikë të botës, e kështu edhe në Bazilikën e Vatikanit, duke nisur nga ora 20.30. Ati i Shenjtë Françesku do të nis Liturgjinë e Natës më të Shenjtë të fesë së krishterë, Natën e Ngjalljes së Jezu Krishtit, me liturgjinë e Dritës, bekimin e zjarrit të ri në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit. Vijon pastaj procesioni në bazilikë, me Qiriun e Krishtit të Gjallë, Qiriun e Pashkëve dhe Këngën ‘Exsultet’ këngën e kumtimit të fitores së Krishtit mbi vdekjen, e më pas vijon Liturgjia e Fjalës së Zotit e pasur me lexime biblike, pastaj liturgjinë e Pagëzimit dhe liturgjinë Eukaristike. Ritet e kësaj Nata të Shenjtë Papa do t’i bashkëkremtojë me kardinajtë, patrikët, kryeipeshkvijtë, ipeshkvijtë e meshtarët dioqezanë e rregulltarë

31 mars 2013, e Diela e Pashkëve në Ngjalljen e Jezu Krishtit Zot. Mesha e Pashkëve do kryesohet nga Ati i Shenjtë Françesku në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit në ora 9.30. Në përfundim të kremtimit, nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, Papa do të japë bekimin Apostolik “Urbi et Orbi”, “Romës e Botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.