2013-03-25 10:05:09

Papa Françesku do ta kremtojë Meshën e Darkës së Mbrame në Burgun romak të Casal del Marmo


Në ditën e së Enjtes së Madhe, më 28 mars, në orën 17.30, Papa Françesku do të kremtojë Meshën e Darkës së Mbrame në Burgun e të vegjëlve në Casal del Marmo të Romës. Paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Mesha e Bagmit. “Siç dihet – sqaron një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – Mesha e Darkës së Mbrame karakterizohet nga kumtimi i Urdhërimit të Dashurisë dhe nga gjesti i larjes së këmbëve. Në shërbimin e tij si kryeipeshkëv i Buenos Airesit, kardinali Bergolio e kishte zakon ta kremtonte këtë meshë në burg, në spital, ose në ndonjë azil për të varfër e të braktisur. Me kremtimin në Casal del Marmo – thekson nota – Papa Françesku e vazhdon këtë traditë, që duhet karakterizuar nga rrethana thjeshtësie”. Kremtimet e tjera të Javës së Madhe të Pashkëve, e cila fillon me të dielën e Larit, kësaj fund jave, do të zhvillohen si zakonisht, siç vë në dukje Zyra e Kremtimeve Liturgjike. Edhe Papa i nderit, Benedikti XVI pati shkuar për vizitë në Institutin për të miturit në Casal del Marmo, më 18 mars 2007, duke e kremtuar meshën në Kapelën e “Atit të Mëshirshëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.