2013-03-25 15:24:04

Ortodoksët: Françesku, ‘dhuratë e Zotit’. Kishat e Reformuara: ‘gëzimi i Tij jep shpresë’.


Është ende e fortë jehona e fjalëve të Papës Françesku drejtuar përfaqësuesve të Kishave dhe të Bashkësive kishtare, të popullit hebraik dhe të feve të tjera. Papa ripohoi dëshirën për të vijuar ecjen në udhën e dialogut, të përgjegjësisë ndaj tjetrit e të nevojës për të punuar së bashku për pajtim e paqe. Ndërsa në fillim të takimit, Patriku ekumenik ortodoks, Bartolomeu I, pati shprehur të njëjtën gatishmëri për të ecur së bashku.

Ftuam, në mikrofonin tonë, Metropolitin Zervos Gennadios, kryeipeshkëv ortodoks i Patriarkanës ekumenike të Italisë dhe të Maltës:

Përgjigje: - Patriku Bartolomeu e nënvizoi shumë problemin e madh të unitetit, vuri në dukje se Kishat duhet të ecin së bashku, të bashkëpunojnë për realizimin e vullnetit të Zotit, domethënë, që të gjithë “të jenë një gjë e vetme”.

Pyetje: - Foli edhe për të varfërit, të vegjëlit, ata që vuajnë, edhe për shkak të krizës ekonomike të kohëve tona…

Përgjigje: - Nuk është hera e parë, që Patriku flet për një Kishë të varfër, që kujton se duhet t’i ndihmojmë të vegjëlit e se duhet të jemi pranë tyre, të gjithë së bashku, për t’u dhënë shpirt, dashuri, paqe.

Pyetje: - Cila është përshtypja juaj dhe e përfaqësuesve të tjerë ortodoksë, për Papën Françesku?

Përgjigje: - Besoj se Papa Françesku duhet të jetë njeri i mrekullueshëm. Personalitet i dërguar nga Zoti. Gëzimi i tij, përvuajtëria, thjeshtësia, gatishmëria, të gjitha këto gjëra, këto karizma, na lanë mbresa të thella. Jemi të sigurtë se Zoti do ta ndihmojë e do ta bëjë të ecë në të njëjtën udhë: në udhën e unitetit, të pajtimit, të vëllazërimit, të paqes e të bashkimit të të krishterëve.

Pyetje: - Kur Papa shpjegoi pse e zgjodhi emrin Françesk, kujtoi varfërinë, kujtoi Françeskun, si njeri i paqes, e edhe si mbrojtës i krijimit. Kjo është një temë, që Kisha ortodokse dhe Bartolomeu I e kanë shumë për zemër.

Përgjigje: - Po, e quajnë edhe “patriku i gjelbër”. Ai është protagonist i madh i mbrojtjes së gjithësisë. Ka organizuar shumë simpoziume, shumë takime, shumë kongrese ndërkombëtare mbi gjithçka krijoi Zoti. Ka bërë edhe shumë udhëtime për të folur për Krijimin. E jo vetëm: u ka bërë thirrje edhe kishave e konfesioneve të tjera të krishtera e, posaçërisht, Kishës katolike romake që t’i pranojnë përgjegjësitë e tyre.

Pyetje: - Atëherë mund të themi se ky theksim i Papës Françesku ju kënaq…

Përgjigje: - Kjo është dhuratë e Zotit: emri Françesk, që zgjodhi, përmbledh gjithçka: thjeshtësi, përvuajtëri, mirësi, paqe, qetësi, gatishmëri, flijim. Dashuria për Krijimin e krijesën është diçka e mrekullueshme, vërtet. E pastaj jo vetëm emri, por edhe personaliteti i Papës: shpresojmë se gjatë misionit të tij do të bëhen punë të nevojshme për njeriun, për gjithësinë, për paqen, drejtësinë, të drejtat e njeriut. Unë e përshëndeta Papën: më paraqiti Shenjtëria e Tij, Bartolomeu. Ishte diçka shumë e bukur; ai foli me mua si atë, si vëlla. E kjo afërsi, kjo karizmë që ka kur komunikon me të afërmin, është dhanti e madhe. Jam i kënaqur, shumë i kënaqur. E do të lutem gjithnjë për shëndetin e tij e për misionin e tij të jashtëzakonshëm.


Po, si po e jetojnë fillimin e papnisë së Papës Françesku, Kishat e Reformuara? Në mikrofonin tonë, të dëgjojmë pastorin Setri Nyomi, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit Botëror të Kishave të Reformuara:

Përgjigje: - Edhe Kishat e Reformuara marrin pjesë në gëzimin e këtij çasti fatlum të Kishës katolike romake për fillimin e papnisë së Papës Françesku. Inkurajohemi sidomos, nga mënyra si iu paraqit Kishës, që ka nevojë të bëhet gjithnjë më shumë kujdestare e dhuratave të Zotit, por edhe nga përvuajtëria, me të cilën e nisi papninë, na jep shpresë, sepse pikërisht ai erdhi të na prijë në këtë çast. Ne e pranojmë si prijës botëror, për të cilin duam të lutemi e t’i qëndrojmë pranë.

Një përshtypje pozitive shpreh edhe Linda Bond, gjenerale e Ushtrisë së Shpëtimit, pjesë e Kishës Kristiane botërore:

Përgjigja: - I përkas Ushtrisë së Shpëtimit e përshtypja ime e parë është jashtëzakonisht pozitive. Ai po thotë të gjitha gjërat, në të cilat beson Ushtria e Shpëtimit e që i kemi shumë për zemër.

Pyetje: - Ç’impuls parashikoni se mund të vijë edhe përmes punës së tij?

Përgjigje: - Më frymëzon shumë përkushtimi i Papës për jetën e thjeshtë. Më frymëzon fakti se ai dëshiron të bëhet interpretues i njerëzve të shtypur, e jam shumë, shumë e kënaqur që Papa dëshiron të jetë pranë njerëzve. Besoj se në shekullin XXI për Kishën këto janë vlerat më të rëndësishme, që duhet të ketë një prijës botëror.

Pyetje: - Mund të nënvizoni një aspekt, një fjalë, që ju nxit më shumë?

Përgjigje: - Përvujtëria!








All the contents on this site are copyrighted ©.