2013-03-25 13:43:00

Mesha e Papës Françesku në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan: Zoti i duron dobësitë tona


Gjatë Javës së Madhe, të mendojmë për “durimin” e Zotit për secilin prej nesh. Kështu tha sot paradite Papa Françesku, në homelinë e shkurtër të Meshës së kremtuar, si zakonisht, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Kësaj radhe, ndër të tjerët, ishin të pranishëm edhe gazetarët e së përditshmes së Selisë së Shenjtë, “L’Osservatore Romano”.
Emblema e durimit pa fund të Zotit për njeriun pasqyron durimin pa fund të Jezusit për Judën. Papa Françesku u nis nga skena e Ungjillit të sotëm, në të cilën Juda kritikon Marinë, motrën e Lazrit, se po harxhonte 300 gram parfumi të çmuar për t’i lyer këmbët Jezusit. Do të ishte më mirë, ta shisnim e paratë, t’ua jepnim të varfërve, vëren Juda në Ungjill. Shën Gjoni vë në dukje se në të vërtetë, Judës nuk i interesonin të varfërit, por paratë, të cilat i vidhte. E megjithatë, theksoi Papa, “Jezusi nuk i tha. ‘Ti vjedh, je hajdut!’” Me dashuri, u tregua plot durim ndaj Judës, duke u përpjekur ta bëjë për vete. Gjatë Javës së Madhe, që sapo filloi, kjo, nënvizoi Papa Bergolio, na bën të mendojmë sa i durueshëm është Zoti me secilin prej nesh, me dobësitë e mëkatet tona.
Edhe leximi nga Libri i Isaisë profet, duke na paraqitur ikonën e ‘shërbëtorit të Hyjit”, vë në dukje butësinë, durimin e tij. Ky është durimi i vetë Zotit, tha Papa Françesku. E masa e jashtëzakonshme e këtij durimi është mister i vërtetë. Ashtu si babai i Ungjillit, citoi Ati i Shenjtë, që mezi ç’pret t’i kthehet i biri plangprishës, pavarësisht se pati ikur me të gjitha paratë, që do t’i linte trashëgim; me durim, shkon përditë të shohë se mos duket i biri nga larg. Ashtu edhe durimi i Zotit, durimi i Jezusit, përsëriti Papa, i cili u la të pranishmëve këtë këshillë: “Gjatë Javës së Madhe të mendojmë: sa i durueshëm është treguar Jezusi me jetën time? Këtë të mendojmë. Më pas, nga zemra jonë do të dalë vetëm një fjalë: ‘Faleminderit o Zot! Faleminderit për durimin Tënd”.







All the contents on this site are copyrighted ©.