2013-03-25 13:36:51

Dom Ndré Zadeja, në përvjetorin e pushkatimit


Shfletojmë kalendarin për të kujtuar përvjetorin e pushkatimit të meshtari, poetit e atdhetarit të flakët dom Ndré Zadejës.
Ky prift shembullor, dom Ndré Zadeja është një nga dyzetë martirët e Kishës katolike shqiptare, për të cilët tashmë ka përfunduar faza e parë dioqezane e procesit kanonik kishtar dhe është pranë dikasterit të Vatikanit për Shenjtorët, ku do të shqyrtohet më tej çështja për shpalljen të Lumë, që do t’i lartojë në nderimet e elterit.
Dom Dom Ndré Zadeja qe ndër martirët e parë të tërbimit komunist ateist mbi Kishën katolike në Shqipëri e një dëshmitar i jashtëzakonshëm i fesë së krishterë dhe i vlerave kulturore e atdhetare.
Dom Ndré Zadeja, prift, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të shkollës fillore i kreu në një shkollë italiane, ndërsa nga klasa e katërt e më tej studioi në Kolegjin Saverian, drejtuar nga Jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit u shugurua meshtar. U kthye menjëherë në atdhé e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta kremtonte meshën e parë në Kishën e Zojës pranë kështjellës Rozafa të Shkodrës, ku nderohej e nderohet edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, pajtorja qiellore e shqiptarëve. Ishte një ditë e bukur pranvere, 26 prill 1916.
Falë aftësive e kulturës së tij të gjerë, dom Ndré Zadeja e nisi shërbimin meshtarak si sekretar i ipeshkvit imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar në Mal të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak e ungjillor në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua nga regjimi komunist gjatë shërbimit në këtë fshat më 4 shkurt 1945.
Kujtojmë se më 16 gusht të vitit 1944, ndërsa në fshatin Shirokë afër Shkodrës, kremtohej festa e Shën Rrokut, gjatë procesionit tradicional në shtigjet e blerta të malit Tarabosh, dom Ndré Zadeja, meshtar shembullor e predikatar në zë dhe largpamës , i pati drejtuar popullit e sidomos rinisë këto fjalë profetike :
Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me jo o të rij. Një re e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.
E ai qe i pari që do t’i përjetonte të këqijat e dyndjes së resë së zezë me ideologji të kuqe, do të ishte pikërisht ai që i shqiptoi këto fjalë tre muaj para se të hynte komunizmit në Shqipëri e shtatë muaj para se të pushkatohej pas murit të varrezave katolike të Shkodrës, me 25 mars 1945.
Pra, dom Ndre Zadeja u pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me 14 burra: e në mes tyre kreshniku i maleve Prek Cali, Luigj Kastrati, Ndok Bardhoku, Ndrekë Loka, Arif Hyseni, Dedë Lulash Smajli, Gjok Nikaj, Dul Bajrami, Mark Luc Gjoni, Tomë Daka, Maliq Bajrami, Gjokë Voci, Pjetër Gjedashi. Po i kujtojmë emrat e të gjithëve me nderim.
Dom Ndré Zadeja u vra me akuzën se kishte fshehur bashkëvallin prift, një nga figurat më të ndritura të shkollës letrare të jezuitëve, dom Lazër Shantojën, edhe ai ndër martirët e Kishës shqiptare.
Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me shpirt për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa”, “Ruba e kuqe”, kurse “Shpella e Bogdanit” mbet dorëshkrim e tjera, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist.
Në rrugët e rrugicat e Shkodrës, njëkohësisht me breshërinë e mitralozave të diktaturës ateiste, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave shqipe, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike e atë shqiptare në përgjithësi, u ndje zëri i lebetitur: “Kanë grì dom Ndrenë!”.
E tani, kur për emrin e tij flitet si për atë të një të Lumtur të ardhshëm, që do të nderohet edhe në nderime të elterit, Kisha e kombi duhet të krenohen me këtë martir të Kishës katolike shqiptare të kohës së persekutimeve të egra të periudhës komuniste, me tingujt e melodramave të tij e sidomos me dëshminë e një jete flijuar për Fe e Atdhé.

Ja disa dëshmi për martirizimin e Dom Ndre Zadęjës.
Dëshmi nga Gjergj Laca:
Gjergj Laca, seminarist në Seminarin Papnuer, kujton tekstin e këngës shkruar nga martiri Mark Çuni, shok i seminarit, në kujtim të Dom Ndre Zadęjës, të nesërmen e pushkatimit, këngë që nuk u këndua kurrë, sepse retë e zeza, sollën stuhi edhe më të zeza…
Ja një fragment i këngës së pakënduar 1:
… O Dom Ndre Zadęj’ gojtari,
I ambli poet –shkrimtari,
Ti i miri ynë meshtari
U bâne martir i pari!

Dëshmi nga Imzot Frano Illia:
… Vetëm kur permendej emni i tij gjatë vjetëve të territ të thellë, ne, shqiptarve qi e njoftem, na dridhej buza, na pikonte zemra gjak e sytë na lotojshin per ket njeri të sa mirësive, për ket figurë të shqueme të punës, pastertisë e dijes. I vramë në Shkoder mbas mureve të varrezave të Rrëmajit, u gjet i shtrimë përdhé, i mbytun në gjak e në baltë. Ishte e Diella e Larit. U pushkatue, kur besimtarët pregatiteshin me fillue Javen e Madhe, Javen e Mundimevee të Krishtit e të katolikëve shqiptarë, që e ndoqen me kryq në krah!

Dëshmi nga Atë Zef Pllumi:… Erdh lajmi se e kishin zanë Dom Lazër Shantojen, të strehuem te Dom Ndre Zadęja në Sheldi. Dom Ndre Zadęjen e pushkatuen vetem pse kishte strehue në qelë të vet famullitare të Sheldisë kolegun e vet. Të dy ishin shkrimtarë të klerit katolik, Dom Ndre Zadęja kishte studiue në Austri. Qe bâ shumë i dashtun për rininë shkodrane, prej dramave të shkrueme me subjekt nga legjendat e historia kombtare.

Vargje nga melodrama “Ruba e Kuqe” e dom Ndre Zadęjës:

"Kurse rashë dëshmor për dhé,
Nuk kam dekë un, por kam lé.
Pse per ty u bâna fli
O e bukura Shqypní!".

1 Marrë nga Libri “Tragjedia edhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri”, dëshmi të mbledhura nga Dr. Pjetër Pepa, fq. 390-391

Ndre Zadeja (1891-1945) nga Kumbona e Sheldîs
Në qelën e Sheldîs gjindet nji kumbonë e vjetër, por e plasun, e shkrîme në vjetin 1583, me këto germa: Z. B. TON. F. MCLXXXIII. Ká nji stemë në të cillin shifet nji hyll a lule me tetë maje e dy bishta, si edhe ftyrat e dy Shêjtnave.
Tue ia lane studjuesave t’arkeologjís shvillimin e atyne germave, po na kândet me pershkrue gojdhanen e kësajë kumbonë, rrumi i së cillës, i shkurtuem prej nji magjypi në kohën e salvimit fetár prej anes së Vezirave, gjindet endè sot në dorë t’onë, e provon vertetsín e asajë gojdhane. Në vjetin 1775 Vizitatorit apostolik Emz. Gasprit, i rá në sy kjo kumbonë, e shkrou per tê se “mbi nji kishëz vetmitare d.m.th. shêjtnore lerg banuesave, të ruejtun ende mjeft mire, ká pasë si per mrekulli nji kumbonë nja 20 kg, tinglli fort të kandshëm.”
Nji prift trim e i kujtueshëm prej Sheldîje e pështoi prej duerve dhunuese të fanatikve.
[...]
Ishin kohnat e Vezirit
qi dhunoj hiri e pa hiri,
streha shêjte e kuminare,
çka kjè besë e fé shqiptare...
Me’m jetima, pa kumbonë
Dyqind vjet s’ju ndi jehonë
brunxit shêjt, veç n’at Sheldî,
kumboj lét per mrekullí...
Prifti i vjetër, trim me orë,
çueka thirrsat n’Vjerdhasorë,
(vjerdhasort’ miqt e Vezirit
shkurtojn’ krena mbas dishirit).
Na vên’ thirrsat doren n’parzem:
“Jeni t’thirrun t’hanen n’darzëm:
Prifti i jon’ pá shkues, pá shkuese,
t’hânen nade zblon ‘i nuse.”
Ç’po vlon pushka krep e n’krep,
Priten desh e rrxohen sjep,
vjami i deshvet dy gisht trashë
vlojn’ kazanat n’farken “Bashë”.
Ka dal’ Prifti e po rri n’derë,
Vjerdhasorve po u bâ nderë,
po u bâ nder’, po u rri në kambë,
dý topanxhet nën dollamë.
Dý topanxhe, dy kumarë,
kjén ’i nder’ per prift shqiptár!
Ndezet kânga neper ajr,
vjerdhasort’ i a bâjn’: “Per hajr!”
Hahet, pihet, sofra çohet,
nusja e priftit po e qet zân’:
(kerset pushka ân’ e m’ânë)
dâng, e dâng... e n’vesh t’Vezirit.
“Kush âsht aj qafir qafirit
(nuk kam t’ngim’ m’e pá n’çengel
qi per báll aj sot mue më del?
Disá vjet, mâ s’kan kalue,
njimí kish’ per tok’ jan’rrxue,
Kaq guxim nji prift sot pat
Me at kumbon’ m’u çue lugat?”
“Shqipëtar’ na jém si t’part,
Vezir, priftin mos e çart,
s’çartet mik pá i çart kumarë,
Njikshtû e ká kombi shqiptarë.”
Foli Vjerdha, pá ngurrue.
Dyqind vjet na ké ushtue,
dyqind vjet’ kumbon’ jehove,
shoqet n’dhé, ti m’kamb’ qindrove,
vezirlíve u prishe gjumin,
nji magjyp ta shkurtoj rrumin...
[...]
D. Ndré Zadêja
(prej melodramít kombtár “Ruba e kuqe”)
Marrë nga “Kumbona e s’Dielles”, Kallnduer 1938, nr. 1.
(ribotue nga Albanova)







All the contents on this site are copyrighted ©.