2013-03-23 15:58:19

Përqafim tejet i përzemërt i Papës Françesku e Papës Benedikti. Atë Lombardi: takim historik.


Papa Françesku u takua sot, në Kastel Gandolfo, me Papën e nderit, Benediktin. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe i Radios sonë e përshkruan kështu këtë takim, me telefon nga Selia verore e Papëve:
"Helikopteri u ul në Kastel Gandolfo, në heliport, rreth orës 12.15 e makina me Papën e nderit iu afrua vendit të uljes. Ati i Shenjtë zbriti: shoqërohej nga imzot Becciu, imzot Sapienca e imzot Alfred Xuereb. Sapo Papa zbriti, Benedikti XVI iu afrua dhe e përqafoi. Ishte një përqafim vërtet i bukur, ndërmjet të dyve. Pastaj, pas përshëndetjeve të shpejta me të pranishmit, ipeshkvin e Albanos dhe drejtorin e vilave Papnore, Petrilo, hipën përsëri në makinë: Papa Françesku djathtas, në vendin klasik të Papës; Papa i nderit, majtas. Në të njëjtën makinë ishte edhe imzot Georg Genshvain, prefekt i Shtëpisë Papnore.
Kështu dy protagonistët e takimit historik u ngjitën në apartament e shkuan menjëherë në Kapelë për një çast lutjeje. Në kapelë, Papa i nderit i la vendin kryesor Papës Françesku, por ai i tha: “Jemi vëllezër”, e shprehu dëshirën të gjunjëzoheshin të dy, pranë e pranë, në të njëjtën bankë. Pas një çasti të shkurtër lutjeje, dy Papët shkuan në bibliotekë ku, rreth orës 12.30 nisi biseda private. Është fjala për bibliotekën, ku Papa zakonisht pret miqtë e rëndësishëm, që shkojnë ta takojnë në Kastel Gandolfo. Papa Françesku i dhuroi Benediktit një ikonë të bukur të Zojës së Përvujtërisë, pastaj nisi biseda private, që përfundoi rreth orës 13.15, pra, 45 minuta. Për t’u shënuar lidhur me rrobat, Papa i nderit kishte veshur një veladon të thjeshtë, të bardhë, pa fashë e pa mantel: janë dy hollësi, që i shtoheshin veshjes së bardhë të Papës Françesku. Në përfundim të bisedës, Papa Françesku e Papa Benedikti drekuan së bashku, në praninë e dy sekretarëve, imzot Genshvain e imzot Xuereb, kështu mund të themi se biseda private kishte përfunduar në bibliotekë. Papa i nderit e shoqëroi edhe në heliport Papën Françesku, që u largua nga Kastel Gandolfo e rreth orës 14.42, u kthye me helikopter në Vatikan.
Është hera e parë që dy Papët takohen personalisht, në këto rrethana të jashtëzakonshme, por nuk duhet harruar se Papa Françesku e ka kujtuar disa herë Papën Benedikti, duke nisur që nga dalja e parë në Lozhën e Bekimeve. Janë dëgjuar, pastaj, dy herë në telefon: mbrëmjen e zgjedhjes e ditën e Shën Jozefit për t’i uruar emrin. Prej këndej, mund të themi se biseda kishte filluar para se të realizohej ky takim fizik, ky përqafim historik. Kujtojmë edhe se, në takimin me kardinajtë, më 28 shkurt, Papa i nderit pati theksuar se do t’i shtrohej pa asnjë kusht dëgjesës ndaj pasardhësit. E pati rast ta tregonte këtë konkretisht në takimin me Françeskun, në një çast bashkimi të vërtetë vëllazëror, që preku lartësi të papara. Edhe Françesku shprehu përsëri mirënjohjen e tij e të mbarë Kishës, për misionin e kryer nga Papa Benedikti XVI gjatë papnisë".







All the contents on this site are copyrighted ©.