2013-03-22 15:16:36

Papa Trupit Diplomatik: nuk ka paqe të njëmendtë, pa të vërtetën: të ndërtohen ura dialogu, të luftohet kundër varfërisë shpirtërore e materiale.


Paqja ndërtohet mbi bazën e së vërtetës, sepse nuk mund të ketë paqe të njëmendtë, nëse secili është masë e vetvetes, secili kërkon gjithnjë e vetëm të drejtën e vet, pa u shqetësuar fare, ndërkaq, edhe për të drejtat e të tjerëve, të të gjithëve, duke u nisur nga natyra, që i bashkon të gjitha qeniet njerëzore mbi këtë Tokë: kështu u shpreh Papa Françesku sot, gjatë takimit me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë.
I pranishëm, edhe përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë Apostolike, zoti Rrok Logu.

Para së gjithash, falënderoj me gjithë zemër dekanin, ambasadorin Zhan-Klod Mishel, për përshëndetjen, që më drejtoi, në emër të të gjithëve. Me gëzim, vijoi Ati i Shenjtë, ju pres për këtë shkëmbim përshëndetjesh, sa të thjeshtë, aq edhe të thellë, simbolikisht, përqafim që Papa i jep mbarë botës. Përmes jush, në të vërtetë, takoj popujt tuaj e kështu mundem, në një farë mënyre, të njihem me të gjithë nënshtetasit e vendeve tuaja, me gëzimet, dramat, shpresat, dëshirat.

Prania juaj e shumënumërt, vijoi, është edhe shenjë, e cila tregon se marrëdhëniet që kanë vendet tuaja me Selinë Apostolike, janë të dobishme, janë vërtet në shërbim të së mirës së njerëzimit:
E pikërisht këtë e ka më shumë për zemër Selia e Shenjtë: të mirën e çdo njeriu mbi këtë tokë.
Me këtë qellim e nis Ipeshkvi i Romës misionin e tij, duke e ditur mirë se mund të mbështetet mbi miqësinë dhe përzemërsinë e vendeve, që ju përfaqësoni, e me sigurinë se ju e mbështesni këtë mendim. Njëherësh, shpresoj që ky takim të jetë rast për të nisur shtegtimin e përbashkët edhe me ato pak vende, që nuk kanë ende marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë, disa nga të cilat, e unë i falënderoj nga zemra, deshën të ishin të pranishëm në Meshën për fillimin e papnisë sime, ose dërguan mesazhe, për të shprehur kështu, afërsinë e tyre.

Më pas Papa shtoi: Siç e dini, ka shumë arsye, që më shtynë të zgjedh emrin, duke menduar për Françeskun e Asizit, një personalitet, që njihet shumë përtej kufijve të Italisë e të Evropës, edhe ndërmjet atyre, që nuk besojnë në fenë katolike. Një nga arsyet kryesore, është dashuria që kishte Françesku për të varfërit:
Sa të varfër ka akoma sot në botë! E sa fort vuajnë. Sipas shembullit të Françeskut të Asizit, u përpoqa gjithnjë ta kem kujdes, ta mbroj, në çdo skaj të Tokës, njeriun që vuan nga varfëria e mendoj se në shumë nga vendet tuaja do të mund ta shikoni veprën bujare të atyre të krishterëve, që punojnë për të ndihmuar të sëmurët, jetimët, të pastrehët, të gjitha ata, që flaken nga radhët e shoqërisë, e kështu punojnë për ndërtimin e shoqërive më njerëzore, më të drejta.
Por ka edhe një varfëri tjetër, theksoi. Është varfëria shpirtërore e ditëve tona, që peshon rëndë edhe mbi vendet, të cilat mendohet se janë më të pasurat. Është ajo, të cilën Paraardhësi im i dashur e i nderuar, Benedikti XVI, e quan “Diktatura e relativizmit”, që e lë secilin ta masë gjithçka me kutin e vetvetes, duke vënë kësisoj, në rrezik, bashkëjetesën ndërmjet njerëzve. E kështu arrijmë tek arsyeja e dytë, që më shtyu ta zgjedh këtë emër. Françesku i Asizit na thotë: punoni për të ndërtuar paqen! Nuk ka paqe të njëmendtë, pa të vërtetën:
Nuk mund të ketë paqe të vërtetë, nëse secili është masë e vetvetes, nëse secili mund të mbrojë gjithnjë e vetëm të drejtën e vet, pa u shqetësuar, njëkohësisht, për të mirën e të tjerëve, të të gjithëve, duke u nisur nga natyra, që e bashkon çdo qenie njerëzore mbi këtë Tokë.
Pastaj shpjegoi:
Një nga titujt e ipeshkvit të Romës, është Papë, domethënë, ai që ndërton ura me Zotin e me të gjithë njerëzit, në mënyrë që secili të gjejë tek tjetri jo armikun, jo kundërshtarin, po vëllaun, që ta dojë e ta rrokë.
Edhe vetë origjina ime, pastaj, më shtyn të punoj për të ndërtuar ura. Ju e dini se familja ime është me origjinë italiane; e kështu, në shpirtin tim është gjithnjë i gjallë dialogu ndërmjet vendeve e kulturave, sado të largëta, nga një skaj i botës, në tjetrin, sot gjithnjë më të afërta, më të ndërvarura, më nevojtare për t’u takuar e për të krijuar hapësira reale të vëllazërisë së vërtetë.

Në këtë veprimtari, vërejti Papa Françesku, është themelor edhe roli i feve.
Nuk mund të ndërtohen ura ndërmjet njerëzve, duke harruar Zotin. Po vlen edhe e kundërta: nuk mund të jetohen lidhje të vërteta me Zotin, duke shpërfillur të tjerët. Prandaj ka shumë rëndësi thellimi i dialogut ndërmjet feve të ndryshme; mendoj, mbi të gjitha, për dialogun me Islamin, prandaj e vlerësova shumë, gjatë Meshës për fillimin e papnisë sime, praninë e shumë autoriteteve civile e fetare të botës islamike.
E ka shumë rëndësi edhe të thellohet ballafaqimi me besimtarët, për të mos mbizotëruar kurrë ndryshimet, që përçajnë e plagosin, por, pa harruar larmitë, të fitojë dëshira për ndërtimin e lidhjeve të miqësisë së vërtetë ndërmjet popujve.

Në përfundim, Papa Françesku i përmblodhi mendimet me këto fjalë: “Lufta kundër varfërisë, si materiale, ashtu edhe shpirtërore, sigurimi i paqes e ndërtimi i urave janë pikëmbështetje për një udhë, në të cilën dëshiroj t’i ftoj të marrin pjesë të gjitha vendet, që përfaqësoni. Udhë e vështirë, kjo, nëse nuk mësohemi ta duam gjithnjë më shumë Tokën tonë. Edhe në këtë rast më vjen në ndihmë emri i Françeskut, që na mëson ta respektojmë thellësisht gjithë krijimin, ta ruajmë ambientin tonë, sepse tepër shpesh nuk e përdorim për të mirë, por e shfrytëzojmë babëzisht, në dëm të njëri tjetrit.

Falënderoj, më pas, diplomatët, për gjithë punën, që bëjnë, së bashku me Sekretarinë e Shtetit, për të siguruar paqen e për të ndërtuar ura miqësie e vëllazërie. Përmes jush, shtoi, dëshiroj t’u përsëris qeverive tuaja falënderimin për pjesëmarrjen në kremtimet me rastin e zgjedhjes sime, duke uruar bashkëpunim të frytshëm. Zoti i gjithëpushteshëm ju mbushtë plot me dhuratat e tij, secilin nga ju, familjet e popujt, që përfaqësoni. Faleminderit!”.
Kujtojmë se aktualisht me Selinë e Shenjtë kanë marrëdhënie të plota diplomatike 180 shtete. Këtyre u duhen shtuar: Bashkimi Evropian, Urdhëri Sovran Ushtarak i Maltës dhe një mision me karakter të posaçëm: Zyra e Organizatës për Çlirimin e Palestinës.










All the contents on this site are copyrighted ©.