Papa i përgjigjet letrës së Eprorit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit
I dashur atë Nikolàs, me gëzim të madh mora letrën e përzemërt, që më dërguat,
në emrin tuaj dhe të Shoqërisë së Jezusit, me rastin e zgjedhjes në fronin e Shën
Pjetrit. Në këtë letër më informonit për lutjen tuaj për mua dhe për shërbimin tim
apostolik, si edhe dëshirën për të vazhduar t’i shërbeni pa kushte Kishës dhe Mëkëmbësit
të Krishtit, sipas rregullës së Shën Injacit të Lojolës. Ju falenderoj nga zemra
për këtë shenjë vlerësimi dhe afërsie, që jua kthej me kënaqësi, duke iu lutur Zotit
t’i shndrisë e t’i shoqërojë të gjithë jezuitët, në mënyrë që, besnikë ndaj karizmës
së marrë e në gjurmët e shenjtorëve të Urdhërit tonë të dashur, përmes veprimtarisë
baritore, por sidomos përmes dëshmisë së jetës së përkushtuar krejtësisht në shërbim
të Kishës, Vashës së Krishtit, të jenë tharmi ungjillor i botës, në kërkim të vazhdueshëm
të lavdisë së Hyjit e të së mirës së shpirtrave. Me këto ndjenja, u kërkoj të
gjithë jezuitëve të luten për mua dhe ia besoj vetveten mbrojtjes plot dashuri të
Virgjërës Mari, Nënës sonë në qiell, ndërsa si peng për hire të begata hyjnore, ju
jap me dashuri të veçantë Bekimin Apostolik, juve dhe të gjithë atyre që bashkëpunojnë
me Shoqërinë e Jezusit në veprimtaritë e saj, përfitojnë nga veprat e mira dhe marrin
pjesë në përshpirtërinë e saj.