2013-03-22 15:17:08

Papa Françesku në Kasal del Marmo për Meshën e Darkës së Mbrame. Gëzim i madh ndër të rinjtë e burgosur


Të Enjten e Madhe, më 28 mars, Papa Françesku do të kremtojë Meshën e Darkës së Mbrame, në orën 17.30, në Burgun e të miturve në Kasal del Marmo të Romës. Paradite, siç dihet, do të kryesojë Meshën e Bagmit në Bazilikën e Shën Pjetrit. Sapo e morën vesh lajmin, të rinjtë e burgosur u gëzuan jashtëzakonisht, siç pohon në mikrofonin tonë kapelani i institutit për të miturit, atë Gaetano Greko:
Për ata, që patën fatin ta merrnin vesh lajmin drejtpërdrejt nga mediat, që surprizë fort e pëlqyeshme. Adoleshentët e burgosur, por edhe punonjësit gati-gati nuk e besonin. Por shpërtheu një gëzim i madh… kaq i madh sa s’ka! O moj nënë, çfarë mrekullie! …Fantastike! Fantastike!... Papa vjen për t’u larë këmbët të rinjve: më duket sikur shoh Jezusin me apostujt… Nuk ka rast më të bukur për të dëshmuar shërbimin ndaj më të vegjëlve, më të fundmëve.
Të rinjtë e burgut kanë pas shpine një jetë të vështirë, që e ka detyruar shoqërinë t’u verë prangat. Ç’do të thotë për ta, takimi me Papën?
Para së gjithash, mendoj se është rast për të takuar personin, që duan ta takojnë të gjithë. Kjo do të thotë të kesh fat. Elementi tjetër është ndjenja se ka drejtësi në këtë botë: këta të rinj kanë karakater të fortë dhe fyhen thellësisht kur të rriturit nuk ndëshkohen nëse gabojnë. Siç thonë, duke e quajtur veten “hajdutë pulash”, ata vuajnë dënime ndoshta të tepruara, në krahasim me të tjerët. Më pyesin, pastaj: “A është e vërtetë? Papa që paguan llogarinë e hotelit, Papa që ndalet të flasë me njerëzit…”. Për ta është diçka jashtë realitetit. Por, do të jetë emocion i madh, që do të sjellë shenja pozitive në jetën e këtyre të burgosurve të rinj.
E, ç’do të thotë takimi me Papën për kapelanin e burgut?
Shumë shpresë! Shumë shpresë e shumë gëzim! Një nxitje më tepër për të ecur përpara në kumtimin e Ungjillit edhe në vendet më të vështira. Ç’do të thotë?! Do të thotë gjithçka ka thënë e dëshmuar Papa Françesku me vëmendjen e veçantë për më të varfërit, për më të brishtët, për më të fundmit.
Edhe Benedikti XVI pati ardhur për vizitë në burgun e Kasal Del Marmos, më 18 mars 2007. Cila është përshtypja që la?
Së pari, la kujtimin e një njeriu të mirë, që i deshi fort të burgosurit. Ata, me të cilët flas herë pas here, e kujtojnë si ngjarjen më të rëndësishme të jetës. Qe diçka e jashtëzakonshme. Imagjino tani, me gjithë vëmendjen e mediave për Papa Françeskun, për ç’thotë e ç’bën!
A dëshironi t’i flisni Papës, përmes valëve të Radio Vatikanit?
Faleminderit që zgjodhët të rinjtë e Kasal del Marmos si takim të parë me realitetin e drejtësisë në Itali e në mbarë botën. Vërtet, faleminderit: vazhdoj të mallëngjehem për këtë që mbrëmë. Kur e mendoj, më mbushen sytë me lot. Diçka kaq e madhe, e papritur… prandaj: faleminderit! Papa na bekoftë e na shoqëroftë në udhën tonë!








All the contents on this site are copyrighted ©.