Më 22 mars kalendari kujton shën Lean, matronë romake
Më 22 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Lean, matronë romake. Lea,
emër që vjen nga latinishtja e do të thotë Luaneshë, jetoi e vdiq në shekullin IV.
Lindi e u rrit në një familje patricësh e në një familje të tillë shkoi nuse në moshë
fare të re. Pak kohë pas martesës, mbeti e vejë. Nuk kërkoi fat tjetër, për t’iu kushtuar
plotësisht Zotit në bashkësinë e Marçelës, në Aventin, ku shpejt u bë Nënë Eprore.
Ishte një nga matronat romake të grupit të drejtuar nga Shën Jeronimi, në të cilin
bënin pjesë edhe Shën Paola e zonja të tjera të fisnikërisë romake të kohës. E është
pikërisht Shën Jeronimi ai, që na njeh me jetën e Shën Leas në një letër, shkruar
pas vdekjes e varrimit të saj në Ostia.
Duke jetuar në lutje e pendesë, u
bë mësuese e përsosurisë ungjillore, më shumë me vepra, sesa me fjalë. Jeta e saj,
që asokohe shumë kujt iu duk marrëzi, sot tingëllon si model i zgjedhjes së një rruge
të vështirë, por të lumnueshme.
Duke braktisur pushtetin e luksin, për t’iu
kushtuar shërbimit të Zotit e të njeriut, duke thelluar fenë me studim e duke e predikuar
me shembull, Shën Lea na kujton se rruga e shenjtërisë nuk është më e lehta, por sigurisht
është rruga më e mirë që mund të zgjedhë njeriu i të gjitha kohërave.