2013-03-22 16:49:57

Mesha e Papës për kopshtarët dhe pastruesit e Vatikanit: hapjani zemrën dashurisë


Papa Françesku kremtoi sot paradite një Meshë në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, për të gjithë kopshtarët dhe pastruesit, që punojnë në Vatikan. Surprizë e vërtetë për 30 punonjësit, që e pritën me gëzim të madh ftesën e Atit të Shenjtë, i cili po zbulon ditë për ditë aspekte të reja të papnisë së tij, në qendër të së cilës vendos më të varfërit e më të fundmit.
“Jemi të padukshëm”, komenton përgjegjësi i shërbimit për kopshtet dhe pastrimin e Vatikanit, Luçiano Çeketi. Çdo ditë, punonjësit e këtij shërbimi pastrojnë Sheshin e Shën Pjetrit dhe kujdesen për lulet e pemët, që e kthejnë shtetin e vogël papnor, në kopsht mrekullish. Pikërisht për këtë përkushtim deshi t’i falenderojë Papa, me meshën e orës 7.00, në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Të dëgjojmë Luçiano Çeketin:
“Të kesh përballë Atin e Shenjtë, në një meshë vetëm për ne, nuk ndodh përditë. Kthehesha mbrapa e shikoja fytyrat e punëtorëve: dolëm të gjithë me sytë mbushur me lot. Ishte një meshë vërtet e thjeshtë, në kontakt të drejtpërdrejtë me atë, që u zgjodh Papë vetëm pak ditë më parë. E falenderuam shumë…sidomos kur na përshëndeti në fund. U paraqitëm një e nga një e për secilin pati një fjalë të mirë. Të gjithëve na tha “Lutuni për mua”. Shumë kopshtarë i kërkuan të shkojë në kopshtije së bashku me ta për t’i parë: ai tundi kokën…nuk tha jo”.
Në homelinë e thënë pa letër – sqaron drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi – Papa u ndal në Ungjillin e sotëm, i cili ka në qendër gurët e mbledhur nga judenjtë për të mbytur Jezusin. “Nëse e kemi zemrën gur – tha Papa Françesku – edhe duart na mbushen me gurë e jemi gati të gjuajmë ndokënd”, prandaj duhet t’ia hapim zemrën dashurisë. E në fund të Meshës, Ati i Shenjtë u ul në mesin e besimtarëve, në një nga radhët e fundit, për t’u lutur si ata para të Shenjtnueshmit Sakrament.
Edhe dje në mëngjes – vazhdon atë Lombardi – Horhe Mario Bergolio kremtoi meshën për punonjësit e Shtëpisë së Shën Martës, së bashku me imzot Lorenco Baldiserin, sekretar i Kongregatës për Ipeshkvijtë, dhe me sekretarin, don Alfred Ksuereb. Është mënyra e këtij Pape, Papës Françesku, për t’u takuar me njerëzit, që do ta ketë të vështirë t’i takojë më vonë, përfundon zëdhënësi i Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.