2013-03-21 14:33:00

Udha e Kryqit pranë Koloseut e përgatitur nga të rinjtë e Libanit. Patriku Raj: një britmë e dhimbjes së ndriçuar nga shpresa


Të Premten e Madhe të Pashkëve më 29 mars, pranë amfiteatrit romak Koloseut, meditimet e Udhës së Kryqit që do të udhëheq Papa Françesku, sivjet do të na njohin me ankthet e pritjet e popujve të Lindjes së Mesme. Para se të tërhiqej nga shërbimi pjetrin, Benedikti XVI pat kërkuar të ishin disa të rinj nga Libani ata që do t’u jepnin zë ndalesave apo stacioneve të Udhës së Kalvarit të Jezu Krishtit. Nën udhëheqjen e patrikut të Antiokisë së maroniteve, kardinalit Békara Boutros Raj, një grup të rinjsh libanezë ka përpiluar meditimet shpirtërore, reflektimet mbi vuajtjet dhe shpresat e botës bashkëkohore . Mbi rëndësinë e kësaj përshpirtërie të krishterë, Udhës së Kryqit, që na ofron përshkimin dhe përshkrimin e mundimeve e kryqëzimit të Jezu Krishtit për shëlbimin e njerëzimit, të dëgjojmë kardinalin Békara Raj:
Gjatë Udhës së Kryqit është e rëndësishme që çdonjëri të mund të gjejë vetveten në fytyrën e Krishtit e të mund të ketë dritën dhe forcën për të bartur çdo ditë kryqin e vet në jetën e përditshme. Kjo pra është vlera e ndalesave apo stacioneve: quhen “stacione”, që do të thotë “ndalesa” meditimesh personale e të përbashkëta me Krishtin, që pasqyrojnë vuajtjet tona dhe në Të ne gjejmë dritat e shpresës”.
Ju folët për vuajtjet: cilat keni dashur t’i vëni në dritë?
Luftën, dhunën, pritjet e të rinjve që hasin në horizonte të mbyllura, vuajtjet e emigracionit, të mungesës së sigurisë për të ardhmen e të rinjve e atë të problemeve të pazgjidhura: bashkësia ndërkombëtare nuk kujdesët për të gjetur zgjidhjen e problemeve të paqes botërore, të drejtësisë. Ne në Lindje të Mesme jetojnë tragjedinë e madhe të çështjes palestineze, tragjedinë e luftës në Siri, të jetesës së përbashkët me myslimanët, problemet e fundamentalistëve...
Meditime mbi dhimbjen, meditime mbi vuajtjen: e megjithatë hapni portat shpresës...
Sigurisht, sepse jemi të bindur që “stacionet” nuk mbarojnë. E vërtetë, në shumë tradita të Kishave tona të krishtera, “ndalesat” e Udhës së Kryqit nuk mbarojnë me stacionin e XIV, por është edhe stacioni XV, do të thotë, Ngjallja e Krishtit. E tërë vlera e meditimeve e të vuajtjeve është arritje tek e diela: nuk ndalen të premten e kryqëzimit e të vdekjes, por arrij në deri të dielën e Ngjalljes. Vuajmë, vdesim për t’u ringjallur.







All the contents on this site are copyrighted ©.