Të Dielën e Larit Kisha kundron Krishtin udhës së Kryqit
Në të Dielën e Larit Kisha nënvizon misterin e Krishtit e të Kryqit, duke ftuar
për të mos iu kundërvënë kurrë dhunës me dhunë. Me të Dielën e Larit, besimtarët
katolikë hynë në Javën e Shenjtë të Pashkëve të Mundimit, Vdekjes mbi Kryq dhe Ngjalljes
së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit. Ky kremtim i misterit të madh të fesë
së krishterë, fillon me hyrjen solemne të Jezusit në Jeruzalem, e Kisha nënvizon misterin
e Kryqit, shpjegoi se dhuratat e Krishtit janë varfëria, paqja e universaliteti dhe
bëri thirrje për të mos iu kundërvënë dhunës me dhunë. Krishti vjen për
të ndërtuar mbretërinë e paqes në mes të kësaj bote të copëzuar. Këtë nënvizoi Liturgjia
e Shenjtë, në të cilën shohim profecinë e përmbushur kur Jezusi hyn në Jeruzalem i
brohoritur nga turma. Kryqi prej druri, që kemi nëpër shtëpi tona, është një simbol
i fortë përkushtimi, flijimi, dashurie e jete . Varfëri, paqe, universalitet: janë
tri pikat kryesore për kuptimin e profecisë së përmbushur me hyrjen e Jezusit në Jeruzalem,
që kujtohet të Dielën e Larit. Krishti hyn në Jeruzalem shaluar mbi një zog gomarice,
siç na tregon shën Gjoni Ungjilltar, e pikërisht këtë e kishte parafolur Zakaria profet.
Është elementi i parë dhe varfëria e parë: gomari është kafshë e thjeshtë, që përdoret
nga njerëzit e zakonshëm të fshatit, që na kujton se edhe atë kafshë Krishti e kishte
marrë hua e duke nënvizuar se dishepujt vetëm më pas arritën ta kuptonin se kështu
Zoti përmbushte një profeci të rëndësishme. Koncepti i varfërisë ungjillore, na tregon
se me varfëri nuk kuptojmë mungesën e pasurisë, por gjendjen shpirtërore, dëshirat
e zemrës: mund të jesh i varfër, por ta kesh zemrën plot me zili e me etje për pasuri.
Në përpjekjen për ta pastruar zemrën, pasjen duhet ta pranojmë si përgjegjësi, si
detyrë ndaj të tjerëve. Edhe liria shpirtërore është kushti paraprak për kapërcimin
e korrupsionit e të lakmisë, që tashmë kanë marrë dhen. Nga varfëria, pastaj kalohet
tek paqja e tek universaliteti, e dhanti të tjera të Krishtit që vjen në jetën tonë.
Në profeci lexojmë: “Harku i luftës do të copëtohet, ai do t’u kumtojë paqen njerëzve:
e ne tani e kuptojmë se Krishti e kumton paqen përmes Kryqit . Ai është harku i
copëzuar, ylberi i ri, i vërtetë i Hyjit, që bashkon qiellin me tokën e hedh një urë
mbi humnerat ndërmjet kontinenteve. Kisha e quan Kryqin edhe ‘armë të re’
që na jep Jezusi në dorë, shenjë pajtimi, simbol dashurie, që është më e fortë se
urrejtja, dhuna e vdekja. E Kisha na këshillon t’i bëjmë me gjithë zemër, me bindje
gjestet që për ne, të krishterët, janë të zakonshme. Sa herë bëjmë shenjën e Kryqit,
duhet të kujtohemi të mos i kundërvihemi padrejtësisë me një padrejtësi tjetër, dhunës
me një tjetër dhunë; të kujtojmë se mund të fitojmë mbi të keqen vetëm me të mirë
e të mos ia kthejmë askujt të keqen me të keqe. Gjithashtu duhet të kujtojmë
se paqja është edhe universale. Në profeci flitet për mbretërinë, duke theksuar se
ajo do të shtrihet nga deti në det, deri në kufijtë e tokës. E Kisha na fton të kujtojmë
rrjetin e bashkësisë eukaristike që përfshinë e rrok botën mbarë, një rrjet bashkësish
që përbëjnë Mbretërinë e paqes së Krishtit nga deti në det deri në kufijtë më të largët
të tokës. Liturgjia e kësaj së diele na kujton se britma e shpresës që lartohet
në Izrael, brohoritja e Jezusit ndërsa hyn në Jeruzalem, me të drejtë është bërë në
Kishë brohoritje për Atë (Krishtin) që në Eukaristi vjen të na takojnë në një mënyrë
krejt të re e të veçantë. E gjithë kjo përmblidhet në shenjën e Kryqit. Lidhur
me këtë është themelore për t’u kuptuar se “Kryqi është druri i vërtetë i jetës”.
Nuk mund ta gjejmë jetën duke e zotëruar, por duke e dhuruar. Dashuria është dhurim
i vetvetes, e prandaj është rruga e jetës së vërtetë e simbolizuar nga Kryqi. Kisha
sot kujton se kryqi i jetës së përditshme, kudo në botë, është si shenjë e dashurisë
së Krishtit për njerëzimin, shenjë treguese e rrugës në të cilën na prin feja në
gëzimin e Ngjalljes. Kryqi, pra, është dritë për hapat tanë, dritë në rrugën
tonë.