2013-03-21 12:26:35

Shenjtorët e javës - Java e Madhe e Pashkëve


Më 24 mars, Kisha Katolike kremtoi të Dielën e Larit dhe të Mundimeve të Krishtit. Procesioni me degë ulliri, dafina dhe palma na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jerusalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas procesionit, lexohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes së Shëlbuesit të botës. Po sot, u kremtua edhe Dita Botërore e Rinisë, në nivelin dioqezan. E gjithnjë më 24 mars kalendari kujton shën Katerinën e Suedisë, virgjër, të bijën e shën Brigjidës.
Të hënë e Madhe të Pashkëve më 25 mars, dita e parë e Javës së Madhe së Shenjtë, meditojmë mbi faktin se Zoti është drita dhe shpëtimi ynë. Dashurisë pa kufi të Marisë, që lyen këmbët e Jezusit me vaj të parfumuar e të shtrenjtë, i kundërvihet meskiniteti i Judës, njeri që llogarit vetëm përfitimin e vet. Po më 25 mars kalendari kujton shën Hajdutin e Mirë, shën Kuirinin martir e shën Luçia Filipinin, virgjër, themeluese e mësueseve të përshpirtshme Filipini, prej vitesh me mision në Shqipëri, sidomos në Berat.
Të Martën e Madhe të Pashkëve më 26 mars të përpiqemi të shpallim shpëtimin, që vjen nga Zoti. Parashikimi që bën Jezusi, gjatë Darkës së Mbrame, na drejtohet edhe ne e të gjithë atyre që thonë me zjarr Besojmën e fesë, por e realizojnë atë vetëm me fjalë e jo me jetën e përditshme. Po më 26 mars kalendari kujton shën Kastullin, martir.
Të Mërkurën e Madhe të Pashkëve më 27 mars, i kërkojmë Zotit të na vijë në ndihmë. Jeta e çdo njeriu lëviz ndërmjet dy poleve ekstreme. Duhet të vendosim nëse duam t’ia dorëzojmë Jezusin vdekjes, ose t’ia dorëzojmë vetveten, ashtu si Krishti, Zotit dhe vëllezërve. Po më 27 mars kalendari kujton shën Rupertin, ipeshkvin e Salcburgut.
Me të Enjten e Madhe të Pashkëve, më 28 mars, fillon Triditëshja e Pashkëve. Viti Meshtarak është atmosfera ideale për të kremtuar meshën e Darkës së Mbrame. Të mbledhur përreth tryezës eukaristike, ashtu si Apostujt në Çenakull, të përpiqemi ta jetojmë këtë mister me fe, mirënjohje e vëllazërim të sinqertë. Përkujtojmë themelimin e Eukaristisë e të shërbimit meshtarak, dy dhurata të çmuara të Zotit. Po më 28 mars kalendari kujton shën Kastorin, martir.
Të Premten e Madhe të Pashkëve më 29 mars, gjunjëzohemi para Kryqit të Jezu Krishtit, i cili është shenja se Zoti e do njeriun aq sa të japë jetën për të. Përshkrimi që i bën Shën Gjoni Ungjilltar Mundimeve të Krishtit është dëshmia më e madhe e dinjitetit të jetës njerëzore. Jezusi na tregoi se askush nuk e humb dinjitetin para padrejtësisë, gënjeshtrës, poshtërimit, dhunës e urrejtjes. Sa e çmueshme është jeta para syve të Zotit, nëse për ta mbrojtur lejoi ta kryqëzonin, si të ishte ndonjë keqbërës! Po më 29 mars kalendari kujton shën Eustazin, ipeshkvin e Napolit.
E Shtuna e Madhe e Pashkëve më 30 mars, karakterizohet nga Heshtja e Zotit, Nata e lutjes në pritje të Ngjalljes së Krishtit. U deshën fjalët e dy burrave të veshur me të bardha për t’i dhënë të kuptojnë Marisë Magdalenë, Gjovanës e Marisë së Jakut se Krishti ishte Ngjallur. Mahnitja e tre grave te varri i zbrazët i Jezusit duhet të na e hapë edhe ne zemrën për të dëshmuar në botë vërtetësinë e asaj ngjarjeje. Po më 30 mars ndërsa kalendari kujton shën Gjon Klimakun, abat i Sinajt
Të dielën e Pashkëve, më 31 mars, kremtojmë Pashkët e Ngjalljes së Jezu Krishtit. Aleluja! Kjo është Dita e Krishtit Zot! Në këtë ditë realizohen shpresat e njerëzimit. Ndërsa shkëmbejmë urimet, t’ì japim njëri-tjetrit, sëbashku me dorën, edhe këtë siguri: “Krishti u Ngjall, me të vërtetë u ngjall! Aleluja!







All the contents on this site are copyrighted ©.