Papa Françesku do ta kremtojë Meshën e Darkës së Mbrame në Burgun romak të Casal del
Marmo
E pati thënë, Papa Françesku, se do një Kishë të “varfër për të varfrit”. E njëri
ndër gjestet e para është dëshira për të qenë pranë njerëzve që gjenden në vështirësi.
Kështu, ditën e së Enjtes së Madhe të Pashkëve, më 28 mars, në orën 17.30, Papa Françesku
do të kremtojë Meshën e Darkës së Mbrame në Burgun e të vegjëlve në Casal del Marmo
të Romës. Paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Mesha e Bagmit. “Siç dihet
– sqaron një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – Mesha e Darkës
së Mbrame karakterizohet nga kumtimi i Urdhërimit të Dashurisë dhe nga gjesti i larjes
së këmbëve. Në shërbimin e tij si kryeipeshkëv i Buenos Airesit, kardinali Bergolio
e kishte zakon ta kremtonte këtë meshë në burg, në spital, ose në ndonjë azil për
të varfër e të braktisur. Me kremtimin në Casal del Marmo – thekson nota – Papa Françesku
e vazhdon këtë traditë, që duhet karakterizuar nga rrethana thjeshtësie”. Kremtimet
e tjera të Javës së Madhe të Pashkëve, e cila fillon me të dielën e Larit, kësaj fund
jave, do të zhvillohen si zakonisht, siç vë në dukje Zyra e Kremtimeve Liturgjike.
Edhe Papa i nderit, Benedikti XVI pati shkuar për vizitë në Institutin për të miturit
në Casal del Marmo, më 18 mars 2007, duke e kremtuar meshën në Kapelën e “Atit të
Mëshirshëm”.