Mesazhe të Papës Françesku dhe të Benediktit XVI për primatin anglikan Xhastin Uelbi
Papa Françesku i dërgoi sot një mesazh urimi primatit të Bashkimit Anglikan, kryeipeshkvit
Xhastin Uelbi, me rastin e ceremonisë së fronëzimit të tij në Katedralen e Kanterburit.
Papa siguron se do të lutet për të. Po sot, primatit i mbërriti edhe një mesazh tjetër,
nënshkruar nga Benedikti XVI, një javë para se të tërhiqej nga shërbimi papnor. Një
urim i dyfishtë, i jashtëzakonshëm, siç është e jashtëzakonshme faza, që përjeton
Kisha Katolike që prej 40 ditësh. Papa Françesku i shkruan kryeipeshkvit anglikan
se është i gatshëm ta takojë në të ardhmen dhe të vazhdojë marrëdhëniet vëllazërore,
të krijuara nga paraardhësit me anglikanët. Horhe Mario Bergolio e falenderon Xhastin
Uelbin për urimet, që i bëri ky i fundit, në çastin e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit
e më pas thekson se “Shërbimi baritor është thirrje e Hyjit për të ecur, duke i qëndruar
besnikë Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krishtit”. Një aspekt, ky i fundit, në të
cilin ndalet edhe Benedikti XVI në meazhin e nënshkruar më 4 shkurt, me rastin e konfirmimit
të zgjedhjes së kryeipeshkvit të Kanterburit, kremtuar në katedralen londineze të
Shën Palit. Në letër, Papa i tanishëm i nderit falenderon Zotin për lidhjet dhjetravjeçare
ndërmjet katolikëve dhe anglikanëve, vë në dukje se çasti i fronëzimit të Uelbit është
i vështirë për fenë në botën perëndimore, e cila përpiqet ta mbyllë atë vetëm në sferën
private, por nënvizon se pavarësisht nga kjo, etja për Hyjin është gjithnjë e pranishme
në shoqëri. Është detyrë e atij, që kumton Ungjillin, vëren Benedikti XVI, që si lajmëtar
i shpresës, ta pohojë të vërtetën me dashuri, duke ndezur dritën e Krishtit në errësirën
e jetës së njerëzve.