2013-03-20 16:08:01

Papa Françesku: të vijojë dialogu, miqësia e respekti ndërmjet feve të ndryshme.


Të mbahet gjallë në botë etja për Absolutin. Kjo ishte nxitja kryesore e Papës Françesku, në fjalimin drejtuar përfaqësuesve të Kishave e të Bashkësive kishtare, të popullit hebraik dhe të besimeve të ndryshme, të cilët i priti sot paradite në Sallën Klementine, në Vatikan. Pak para kësaj audience, Papa u takua me Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeun I, me të cilin bisedoi rreth 20 minuta, si dhe me Metropolitin Hilarion të Patriarkanës së Moskës. Bartolomeu I e Hilarioni i dhuruan Papës dy ikona mariane.
Në Sallën Klementine, Papa Françesku kujtoi, më pas, lidhjen e ngushtë shpirtërore me popullin hebraik, rëndësinë e bashkëpunimit me besimtarët e feve të tjera dhe cakun, aq të dëshiruar, të bashkimit të plotë të të krishterëve.
Duke iu drejtuar delegatëve të Kishave ortodokse e të Bashkësive kishtare të perëndimit, theksoi perspektivën e dëshiruar, atë shembëllim, që sytë e tij, drejtuar nga Sheshi i Shën Pjetrit, e panë dje, gjatë Meshës për fillimin e Papnisë:
“Pashë shpirtërisht të pranishme bashkësitë që përfaqësoni. Në këtë manifestim feje, m’u duk, kështu, sikur po e jetoja në mënyrë më të ndjeshme, lutjen për bashkimin e gjithë besimtarëve në Krishtin e, njëherësh, se po shikoja në një farë mënyre, shembëllimin e realizimit të plotë, që varet nga plani i Zotit e nga bashkëpunimi ynë”.
Pasi u kërkoi përfaqësuesve të bashkësive të krishtera një lutje të posaçme, që “ai të mund të jetë bari, sipas zemrës së Krishtit”, kujtoi se shërbimi më i mirë ndaj kauzës së unitetit ndërmjet të krishterëve, është ta jetosh plotësisht fenë, duke dhënë një dëshmi të lirë, të gëzueshme, të guximshme:
“Sa më shumë të jemi besnikë ndaj vullnetit të Tij, në mendime, në fjalë e në vepra, aq më shumë do të ecim vërtetësisht e thelbësisht kah uniteti”.
Papa pastaj iu drejtua përfaqësuesve të popullit hebraik me të cilin, nënvizoi, na lidh një hallkë e posaçme shpirtërore:
“Ju falënderoj për praninë tuaj e shpresoj se, me ndihmën e të Tejetlartit, do të mund të vijojmë me fryt atë dialog vëllazëror, që uronte Koncili II i Vatikanit e që është realizuar faktikisht, duke sjellë jo pak fryte, posaçërisht gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit”.
E, duke vijuar të përshëndesë përfaqësuesit e feve të tjera, Papa Françesku iu drejtua në mënyrë të posaçme, myslimanëve:
E vlerësoj shumë praninë tuaj: në të shikoj një shenjë të qartë të vullnetit për të thelluar nderimin reciprok dhe bashkëpunimin, për të mirën e përgjithshme të mbarë njerëzimit”.
Kisha katolike, shpjegoi Papa, është e vetëdijshme për vlerën e pallogaritshme të dialogut ndërfetar:
“Kisha katolike është e vetëdijshme për rëndësinë që ka nxitja e miqësisë dhe e respektit ndërmjet burrave e grave të traditave të ndryshme fetare; e përsëris: nxitja e miqësisë dhe e respektit ndërmjet burrave e grave të traditave të ndryshme fetare. Kisha është e vetëdijshme për përgjegjësinë ndaj botës sonë, ndaj gjithësisë, të cilën duhet ta duam e ta ruajmë. E ne mund të bëjmë shumë për të mirën e atyre, që janë më të varfër; atyre, që janë më të ligësht; atyre, që vuajnë; mund të bëjmë shumë, për të mbrojtur drejtësinë, për të krijuar frymën e pajtimit, për të ndërtuar paqen”.
Por, sidomos, ajo që ka më shumë rëndësi, është ta mbajmë gjallë etjen për Absolutin:
“.. duke mos lejuar të sundojë vizioni i njeriut me një përmasë të vetme, sipas së cilës njeriu reduktohet në atë që prodhon e në atë që konsumon; e kjo është një nga kurthet më të rrezikshme për kohën tonë”.
Papa kujtoi, në përfundim, vlerën e jashtëzakonshme që ka për njeriun, hapja, si në zanafillë, e shpirtit për transhendecën e skalitur në zemrën e tij:“Në këtë, i ndjejmë fare pranë edhe të gjithë burrat e gratë që, pa pohuar se i përkatësin ndonjë tradite fetare, janë në kërkim të së vërtetës, të mirësisë të bukurisë, të Zotit. Janë aleatët tanë të çmuar në impenjimin për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, për ndërtimin e bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve e për ruajtjen me kujdes të gjithësisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.