2013-03-20 12:27:52

Don Gjon Buzuku nisi veprën ‘Meshari’ më 20 mars 1554


Duke shfletuar kalendarin historik të 20 marsit, së pari kujtojmë se pikërisht si sot më datën 20 mars të vitit 1554 e nisi veprën e vet me vlerë të jashtëzakonshme shpirtërore e kombëtare, “Mesharin” prifti shqiptar dom Gjon Buzuku. Kjo vepër, pra ‘Meshari’ që është në të njëjtën kohë me vlerë e përmbajtje liturgjike e letërsie për shqiptarët, mbetët libri më i vjetër në gjuhën shqipe që njohim deri më sot.
Dom Gjon Buzuku duke pa nevojën e madhe që kishin besimtarët e krishterë shqiptarë për të dëgjuar e kremtuar Fjalën e Zotit, Liturgjinë e Sakramentet e Shenjta në gjuhën amtare, vendosi të përpilonte këtë vepër që shërbente për meshtarët e kohës gjatë kremtimeve të ndryshme liturgjike në gjuhën e popullit. Për të plotësuar këtë nevojë shpirtërore e kombëtare, dom Gjon Buzuku e nisi veprën e tij më 20 mars të vitit 1554 dhe e përfundoi më shkurt të vitit 1555. Me sa merret vesh, po atë vit u krye dhe shtypja e librit.
Këtë të dhënë e gjemë në Meshar, ku dom Gjon Buzuku shkruan:”Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V. (1555) ndë kallënduor v (5) dit”.
Po kujtojmë se Johannes Gutenbergu kishte shpikur më 1445 shtypshkronjën me shkronja të derdhura të lëvizshme dhe shtypshkrimi kishte marrë zhvillim në Evropë.
Libri dhe fati i tij
Një tog rrethanash ende të pandriçuara bënë që libri i dom Gjon Buzukut të binte në harresë të plotë për gati dy shekuj. Atë e zbuloi dom Gjon Kazazi, një meshtar shqiptar nga Gjakova, i cili, duke u ndodhur në Romë më 1740 (ku u emërua argjipeshkëv i Shkupit), e gjeti me habi të madhe këtë libër në bibliotekën e kolegjit të Propagandës së Fesë (Propaganda Fide), ku kishte studiuar vetë më parë. I ngazëllyer nga ky zbulim, dom Gjon Kazazi kopjoi Pasthënien e librit dhe një pjesë tjetër të shkurtër, atë të ritit të martesës dhe ia dërgoi Imzot Gjergj Guxetës, themeluesit të Seminarit shqiptar të Palermos, i cilësuar si "prototip i fisnikërisë së shpirtit e i burrërisë e i bujarisë së kombit shqiptar". Kleriku gjakovar e përshkruan librin si "Meshar" fort i lashtë shqip krejt i grisur prej vjetërsie". Nga fundi i sh. XVIII libri kaloi në koleksionin e librave orientalë të kardinalit Stefan Borxha e së këtejmi në Bibliotekën e Vatikanit, ku u rizbulua më 1909. Nxitës i këtij zbulimi qe Pal Skiroi, peshkopi i arbëreshëve të Sicilisë (1866-1941), i cili kishte në bibliotekën e Seminarit të Palermos pikërisht ato dy fletë të kopjuara nga dom Gjon Kazazi. Imzot Pal Skiroi është edhe studiuesi i parë i "Mesharit" të Buzukut, por puna e tij ka mbetur pak e njohur, sepse pak gjë arriti të botojë sa qe gjallë.
Më 1929 françeskani shqiptar atë Justin Rrota, atëherë profesor i gjuhës shqipe dhe i gjuhëve klasike në gjimnazin e Shkodrës, u dërgua në Romë për të nxjerrë kopje fotografike të librit të Mesharit e për t'i sjellë në Shqipëri, punë që e bëri duke e sjell për studiues në vendlindje.
Më vonë studiues tjerë kanë analizuar, gjurmuar e shkruar mbi këtë vepër kaq të veçantë liturgjike, që përmban rite liturgjike e tekste të shkruara për kremtime të ndryshme sakramentale e tjera fetare, e që në fjalorin e kishtar të kohës, quhet ‘Comes’, apo ‘Liber Comitis’. Mbi këtë kohëve të fundit ka shkruar studiuesi arbëresh prof. Zef Chiaramonte.







All the contents on this site are copyrighted ©.