2013-03-20 17:30:00

Buenos Ajres. Të krishterë, hebrenj e myslimanë, në kor të njëzëshëm: “Papa Françesku, njeri i bashkimit e i dialogut”.


“Njeri i bashkimit, i gatshëm të dialogojë, i aftë të dëgjojë, plot respekt për tjetrin”: është kor i njëzëshëm ky, që dëgjohet në Buenos Ajres, njofton i dërguari i agjencisë Sir. Sipas tij, përfaqësuesit e Kishave të krishtera, hebrenjtë e myslimanët e përshkruajnë kështu kardinalin Horhe Mario Bergolio, që u zgjodh Papë.
Rabinja Silvina Shemen, anëtare e bashkësisë historike të hebrenjve në Buenos Ajres, pohon se portat e Katedrales kanë qenë gjithnjë të hapura për kremtime ndërkonfesionale e se, më se një herë, pati privilegjin të lejohet për të përdorur amvonën, duke dhënë që aty mesazhin e saj. “Ishte i njëjtë me atë, që theksonte kardinali në homelitë e tij”, pohon. Do t’i prijë dialogut, vijon, me zemër të hapur, me reciprocitet, me aftësi për të heshtur, kur flet tjetri, me fisnikërinë e njeriut, që di të dëgjojë. Uroj të mos e humbasë kurrë shkëlqimin lartësia e përvuajtërisë së tij dhe madhështia e thjeshtësisë së tij.
Shumë të vlerësuara nga liderët argjentinas të Kishave të krishtera, fjalët e para shqiptuar prej Papës Bergolio, në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve të Romës nga Lozha e Bekimeve.
“Kardinali Bergolio, pohon David Kalvo, bari evangjelik Luteran, ka pasur gjithnjë marrëdhënie shumë të përzemërta me ne; pranë tij e ndjenim vetën të pranuar e të mikpritur; shprehte gjithnjë interesim të veçantë për bashkimin e të krishterëve dhe respekt të thellë për traditat e ndryshme të krishtera. Jam i sigurtë se Papa Françesku do ta shpejtojë, me zell të ri, ecjen e ngadalshme, por të pandalshme, në udhën drejt bashkimit”.
Bekime për Papën e ri arrijnë edhe nga myslimanët e Buenos Ajres. Në një mesazh përgëzimi, drejtuar Papës Bergolio nga Qendra Islamike e Republikës së Argjentinës (Cira), shkruhet kështu: “Gjatë punës së tij, si kardinal, Bergolio thelloi dialogun ndërfetar dhe respektin, duke krijuar, pa u lodhur kurrë, hapësira komunikimi e pune të përbashkët për bashkëjetesën e harmonishme të feve të Zbulesës. Për këtë arsye i lartojmë lutje Zotit të Dhimbshëm e të Mëshirshëm, që kjo punë të vijojë të fuqizohet, duke i siguruar njerëzimit më shumë mirëkuptim, më shumë respekt e, sidomos, më shumë paqe”.
Marrëdhëniet e ish-kryeipeshkvit Bergolio me Qendrën islamike ishin shumë të ngushta: kardinali i asokohshëm pati shkuar për vizitë në Qendrën islamike tri herë; herën e fundit, më 29 qeshor 2010. “Sa herë hynte në lidhje me myslimanët, në Argjentinë, tregon Omar Abu Arab, drejtues i bashkësisë myslimane, e bënte këtë plot respekt, dashuri e sjellje të një njeriu, që e ndjen veten ndërmjet të të barabartëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.