2013-03-19 10:08:18

Papa Klementi XI në përvjetorin e vdekjes


Sot më 19 mars përkujtojmë përvjetorin e vdekjes së Papës shqiptar Klementit XI, i cili ndërroi jetë më 19 mars 1721. Papa Klementi XI - Gjon Françesk Albani, është ai nën kujdesin e të cilit, më 14 janar 1703, në Mërçi të Lezhës u organizua Sinodi i Kishës në trevat shqiptare, që hyri në historinë e Shqiptarëve si 'Kuvendi i Arbënit'.
Gjon Françesk Albani, sikur quhej në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 më Urbino të Italisë. Pas shkollimit që kreu në Romë, falë aftësive të tija, shumë shpejt ngjiti u ftua në detyra të rëndësishme: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit Apostull, pra si Papës (23 nëntor 1700).
Klementi XI pati një papni të vështirë, të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrechtit, të Ratsadit e të Badenit (1712-1712) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Mè pas iu desh të përballonte një tjetër rrezik: atë të pushtimit turk.
Papa Klementi XI dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke rritur veprimtarinë misionare në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi e Kinë.
Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, Klementi XI u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqiptarëve si për organizimin e Kuvendit Kishtar të Arbërit e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, po ashtu edhe për kontributin që dha nè përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare, duke bërë kështu hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të një populli që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, duke pritur padurueshëm, një rreze drite, që t’ia ndriçonte shtegun drejt lirisë. Vdiq më 19 mars të vitit 1721.







All the contents on this site are copyrighted ©.