2013-03-19 12:13:12

Papa Françesku: pushteti i vërtetë i ipeshkvit të Romës është shërbimi, posaçërisht ndaj më të varfërve e të mënjanuarve


Ditë solemne e historike për Kishën katolike, sot në orën 9.30, Solemniteti i Shën Jozefit, fati i së Lumes Virgjër Mari e Pajtor i Kishës universale, Ati i Shenjtë Françesku kryesoi, në tremen e Bazilikës së Vatikanit, Meshën Shenjte për fillimin zyrtar të papnisë.
Para se të fillonte kremtimi, zbriti, me Patrikët e Kishave Lindore, tek Varri i Shën Pjetrit poshtë Bazilikës së Vatikanit, për t’u gjujnjëzuar aty në lutje e për të kemitur pastaj, Trophoeum Apostolico.
Duke u rikthyer në Bazilikë, Ati i Shenjtë u bashkua me procesionin e kardinajve bashkëkremtues e, i paraprirë nga diakonët, që mbartnin Palion baritore, Unazën e Peshkatarit e Ungjillin, arriti tek elteri, në tremen e Bazilikës, shoqëruar nga këngët e Laudes Regiœ. Meshës i paraprinë ritet e posaçme të fillimit të papnisë: vënia e Palios nga kardinali Protodiakon Jean-Louis Tauran, shoqëruar nga një lutje, shqiptuar prej Protopresbiterit Gofried Danneels; pastaj, dorëzimi i Unazës së Peshkatarit nga ana e kardinalit dekan, Anxhelo Sodano dhe riti i bindjes ndaj Atit të Shenjtë, kremtuar nga shtatë kardinaj (dy për çdo urdhër ndërmjet të pranishmëve), në emër të të gjithë Kolegjit.
Gjatë Meshës Shenjte, bashkëkremtuar me Kardinajtë, Patrikët e Kryeipeshkvijtë e Mëdhenj të Kishave Lindore Katolike, me Sekretarin e Kongregatës për Ipeshkvijtë, Shkëlqesinë e Tij imzot Lorenzo Baldisseri dhe me Etërit José Rodríguez Carbalho, ofm e Adolfo Nicolás s.j., përkatësisht Kryetar dhe zëvendës-Kryetar i Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm, Ati i Shenjtë mbajti homelinë, që vijon:
Homelia e Papës Françesku (tekst i plotë)

Të dashur vëllezër e motra!
Falënderoj Zotin, që mund ta kremtoj këtë Meshë Shenjte të fillimit të ministerit petrin në solemnitetin e Shën Jozefit, fati i Virgjërës Mari e Pajtor i Kishës universale: është përkim shumë i pasur me domethënie, e është edhe dita e emrit e Paraardhësit tim të nderuar; jemi pranë Tij me lutje, përzemërsi e mirënjohje.

Përzemërsisht përshëndes Vëllezërit Kardinaj e Ipeshkvij, meshtarë e diakonë, rregulltarë e rregulltare si dhe të gjithë besimtarët laikë. I falënderoj për praninë, Përfaqësuesit e Kishave dhe të bashkësive të tjera kishtare, ashtu si dhe përfaqësuesit e bashkësisë hebraike dhe të bashkësive të tjera fetare. Përshëndes përzemërsisht edhe Kryetarët e Shteteve e të Qeverive, delegacionet zyrtare të vendeve të shumta, si dhe Trupin Diplomatik.

Dëgjuam në Ungjill se “Jozefi bëri ashtu, si e urdhëroi Engjëlli i Zotit; e mori në shtëpi të fejuarën e vet “(Mt 1,24). Në këto fjalë përmblidhet misioni që Zoti ia beson Jozefit, të jetë custos, rojtar. Rojar i kujt? I Marisë e i Jezusit: por është kujdestari që shtrihet, pastaj, përmbi Kishën, pati nënvizuar i Lumi Gjon Pali II: “Shën Jozefi, ashtu siç pati kujdes plot dashuri për Marinë e iu kushtua detyrës së edukimit të Jezu Krishtit, kështu ruan e mbron korpin e tij mistik, Kishën, figurë e model i së cilës është vetë Virgjëra e Shenjtë (Nxitja apostolike Redemptoris Custos,1).

Si e ushtron Jozefi këtë kujdestari? Me maturi, me përvuajtëri, në heshtje, por me prani të përhershme e me besnikëri të plotë, edhe kur nuk kupton. Nga martesa me Marinë e deri tek episodi i Jezusit dymbëdhjetëvjeçar në Tempullin e Jeruzalemit, e shoqëron me kujdes e dashuri në çdo çast. Është pranë Marisë, fatit të tij, në çaste të qeta e të shqeta të jetës, në shtegtimin në Betlehem, për regjistrimin e në orët e dridhshme e gazplote të lindjes; në çastin dramatik të ikjes në Egjipt e në kërkimin e ankthshëm të të Birit në Tempull; e pastaj, në jetën e përditshme të shtëpisë së Nazaretit, në punishtë, ku i mëson mjeshtrinë Jezusit.

Si e jeton Jozefi thirrjen e tij si rojtar i Marisë, i Jezusit, i Kishës? Plot vëmendje të përhershme ndaj Zotit, syhapur për të dalluar shenjat e Tij, i gatshëm ndaj planit të Tij, jo të vetit; e është pikërisht kjo, që Zoti i kërkon Davidit, siç e dëgjuam në Leximin e parë: Hyji nuk dëshiron një shtëpi të ndërtuar nga njeriu, por kërkon besnikëri ndaj Fjalës së Tij, ndaj planit të tij, e është Zoti vetë, ai që e ndërton shtëpinë e vet, me gurë të gjallë, shënuar nga Shpirti i tij. Jozefi është ‘rojtar’, sepse di ta dëgjojë zërin e Zotit, di të bëjë vullnetin e Tij, prandaj edhe është tejet i ndjeshëm ndaj njerëzve, që i besohen, di t’i lexojë me realizëm ngjarjet, është i vëmendshëm përballë të gjitha gjërave, që e rrethojnë e di të marrë vendimet më të urta. Në të, të dashur miq, shikojmë përgjigjen, që i duhet dhënë thirrjes së Zotit, me gatishmëri, me shpjetësi, por shikojmë edhe atë, që është zemra e thirrjes së krishterë: Krishtin! Ta ruajmë Krishtin në jetën tonë, për të mbrojtur të tjerët, për të mbrojtur krijimin!
Por nuk duhet harruar se thirrja për kujdes, nuk na përket vetëm ne, të krishterëve, ka një përmasë, që i paraprin e që është thjesht njerëzore, i përket të gjithëve. E kjo do të thotë ta mbrosh mbarë krijesën, bukurinë e gjithësisë, siç thuhet në Librin e Zanafillës e si na e tregoi Françesku i Asizit; të kesh respekt për çdo krijesë të Zotit e për ambientin ku jetojmë. Do të thotë kujdes për njeri-tjetrin në familje: bashkëshortët kujdesen për njëri tjetrin, pastaj, si prindër, kujdesen për fëmijët e, me kohë, edhe fëmijët bëhen rojtarë të prindërve. Do të thotë t’i jetosh miqësitë me sinqeritet, me kujdes reciprok, me mirëbesim, respekt e mirësi. Në fund të fundit, gjithçka i besohet kujdesit të njeriut, e është përgjegjësi, që u përket të gjithëve. Jini rojtarë të dhuratave të Zotit!

E kur njeriu e harron këtë përgjegjësi, kur nuk kujdesemi për krijesën e për vëllezërit, atëherë i hapet udha shkatërrimit e zemra bëhet gur. Në çdo epokë të historisë, për fat të keq, ka “Herodë”, që thurin plane vdekjeje, e rrënojnë dhe e shëmtojnë fytyrën e burrit e të gruas.
Dëshiroj t’u kërkoj, e t’u lutem, të gjithë atyre që kanë role me përgjegjësi në fushën ekonomike, politike e shoqërore, të gjithë burrave e grave vullnetmira: të jemi rojtarë të krijesës, të planit të Zotit, të shkruar në natyrë, të jemi rojtarë të tjetrit, të ambientit; të mos lejojmë që gjurmë shkatërrimi e vdekjeje të shoqërojnë udhën e kësaj bote. Por për të “ruajtur”, duhet të kemi kujdes për vetveten tonë! Kujtojmë se urrejtja, zilia, mendjemadhësia, e ndotin jetën! Të ruajmë, do të thotë t’i kontrollojmë ndjenjat tona, zemrat tona, sepse prej aty dalin ndjetet e mira e të këqija: ata që ndërtojnë e ata që rrënojnë! Nuk duhet të kemi frikë nga mirësia, e as nga dhembshuria!

E këtu, shtoj, atëherë, edhe një vërejtje : të kujdesesh, të ruash, kërkon mirësi, kërkon të jetosh me dhembshuri. Në Ungjijtë, Shën Jozefi duket burrë i fortë, i guximshëm, punëtor, por nga shpirti i tij buron një dhembushuri e madhe, që nuk është virtyt i të ligështit, përkundrazi, tregon forcën e shpirtit e aftësinë për të qenë i vëmendshëm, i mëshirshëm, i aftë për t’ia hapur zemrën tjetrit, për të dhuruar dashuri. Nuk duhet të kemi frikë nga mirësia, nga dhembshuria!

Sot, njëherësh me festën e Shën Jozefit, kremtojmë fillimin e detyrës së Ipeshkit të ri të Romës, Pasardhësit të Shën Pjetrit, që përfshin edhe pushtetin. Natyrisht Jezu Krishti i dha pushtet Pjetrit. Por, për ç’pushtet bëhet fjalë? Pyetjen e trefishtë të Jezusit drejtuar Pjetrit për dashurinë e ndjek një ftesë e trefishtë: kulloti qengjat e mi, kulloti delet e mia. Nuk duhet harruar kurrë se pushteti i vërtetë është shërbimi e se edhe papa, për ta ushtruar pushtetin, duhet të hyjë gjithnjë më shumë në këtë shërbim, që e ka majën e vet të ndritshme mbi Kryq; duhet të shikojë shërbimin e përvuajtuar, konkret, të pasur me fe të Shën Jozefit e ashtu si ai Ai, t’i hapë krahët për të ruajtur mbarë Popullin e Hyjit e për të mikpritur me dashuri mbarë njerëzimin, posaçërisht më të varfërit, më të ligshtit, më të vegjëlit, ata, që Mateu i përshkruan në gjyqin e mbramë mbi dashurinë: atë që ka uri, etje, është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, në burg (cfr Mt 25,31-46). Vetëm kush shërben me dashuri di edhe të Mbikqyrë.

Në leximin e dytë, Shën Pali flet për Abrahamin i cili besoi, “i fortë në shpresë, në kundërshtim me çdo shpresë” (Rom 4,18). I fortë në shpresë, kundër çdo shprese! Edhe sot, përballë hapësirave të shumta me qiell ngjyrë hiri, kemi nevojë ta shikojmë dritën e shpresës e të shpresojmë. Të ketë kujdes për krijesën çdo burrë e çdo grua, me sy plot dhembshuri e dashuri, do të thotë të hapë horizonte shprese, të hapë një plasë drite, në mes reve të dendura, të çojë ngrohtësinë e shpresës.
E për besimtarin, për ne të krishterët, si Abrahami, si Shën Jozefi, shpresa që kemi në shpirt ka horizontin e Hyjit, që na u hap në Krishtin, ngrihet mbi shkëmbin, që është Zoti.

Të kujdeset për Jezusin e Marinë, të kujdeset për mbarë Krijesën, të kujdeset për çdo njeri, posaçërisht për më të varfërin; të kujdeset për vetveten: ja, ky është shërbimi, që është thirrur të kryejë Ipeshkvi i Romës, por që të gjithë jemi të thirrur të ndezim yllin e shpresës: Ta ruajmë me dashuri, atë që na dhuroi Zoti.

Kërkoj ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, të Shën Jozefit, të Shenjtorëve Pjetër e Pal, të Shën Françeskut, që Shpirti Shenjt ta shoqërojë ministerin tim; e ju të gjithëve, ju them: lutuni për mua! Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.