2013-03-19 11:14:03

Mesha e fillimit të shërbimit pjetrin të Papës Françesku: “Mos kini frikë nga mirësia e zemërbutësia”


Të vegjlit, të moshuarit, të brishtët, të mënjanuarit, në qendër të homelisë së Papës Françesku, në meshën e fillimit të papnisë së tij kremtuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. “Pushteti i vërtetë është shërbim”, “ruajeni e mbrojeni gjithësinë e njeriun”, “shërbimi im është për të varfërit, për të huajt, për të burgosurit, për të sëmurët”, “urrejtja, zilia, mëndjemadhësia, e ndyejnë jetën”, “kur qielli mbulohet me re, na duhet shpresa”: janë vetëm disa nga frazat, që shkaktuan duartrokitje e brohoritje të stuhishme në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, mbushur plot sa s’mbante më, në këtë ditë historike e të mrekullueshme me diell, në Solemnitetin e Shën Jozefit. U pëlqen besimtarëve, por jo vetëm atyre, ky Papë që mban kokën ulur gjatë gjithë ritit të pendesës, që zbret nga makina në mesin e turmës, që përqafon një paraplegjik, që kremton një Meshë, ku Psalmi këndohet nga një fëmijë e ku lutjet thuhen edhe në gjuhën ruse, arabe e kineze e ku një shesh i tërë intonon “Besojmën”. “Na duhej një Papë si ky”, thotë një 80-vjeçar në sheshin e Shën Pjetrit, të cilit i kanë kaluar para syve disa Papë.
Entuziazëm i paparë i besimtarëve, që kur Papa Françesku doli me xhipin e bardhë e jo me papamobilin e zakonshëm, për të përshkuar rreth e përqark sheshin e Vatikanit mbushur plot me 200 mijë besimtarë. Në një çast, Ati i Shenjtë Françesku e ndali makinën, për të zbritur në mesin e njerëzve e për të përqafuar Çezare Çikonin, ardhur në Vatikan në një shtrat të veçantë, paraplegjik që kur ishte 8 muajsh, ndër të sëmurët e shoqëruar nga veprimtarët e UNITALS-it(organizata italiane që transporton të sëmurët në ceremonitë fetare). Pastaj kaloi në mesin e turmës në festë, që valëviste flamujt e gjithë botës, ndër të cilët spikasnin ngjyrat e Argjentinës, por edhe ngjyra kuq e zi e flamurit shqiptar. E përsëri një ndalesë. Papa Françesku zgjati duart për të puthur disa fëmijë.
Mëse 130, delegacionet nga të katër anët e planetit: 31 krerë shtetesh, 6 mbretër, 3 princë trashëgimtarë, 11 krerë qeverish. 33, delegacionet e Kishave të krishtera jo katolike, ndër të cilët ai i kryesuar nga Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I. Të pranishëm, edhe hebrenj, myslimanë, budistë, sikh e jainistë. 180, bashkëkremtuesit.
Papa Françesku zbriti në procesion, së bashku me patrikët e Kishave Lindore në Varrin e Shën Pjetrit brenda Bazilikës, para të cilit u ndal në lutje. Ndërkohë, dy diakonë morën palion, unazën e Peshkatarit dhe Evangjeliarin (Librin e leximit të Ungjillit). Procesioni u ngjit në nivelin e Bazilikës, duke kënduar “Laudes Regiae”, pra, “Lavdi Mbretit”: Mbreti është Krishti. Në këtë këngë-litani në nder të Krishtit, u kërkohet të gjithë shenjtorëve, ndër të cilët edhe Papëve shenjtorë të luten për ne.
Procesioni hyn në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit. Papa Françesku bën shenjën e Kryqit në fillim të Meshës. Pastaj kardinali protodiakon Zhan-Lui Toran vendos simbolin e Palios mbi supet e Atit të Shenjtë. Palio, prej leshi të bardhë qengji, është simboli i ipeshkvit, që imiton Krishtin, Bariun e Mirë dhe shenjë e Qengjit të kryqëzuar për shëlbimin e njerëzimit. Më pas, kardinali dekan, Anxhelo Sodano i jep Papës Françesku, Unazën e Peshkatarit, shenjë e vulë e ipeshkvit. Unaza e Peshkatarit përmban një imazh të Shën Pjetrit (peshkatarit të zgjedhur nga Jezusi për t’u bërë peshkatar njerëzish) me çelësat e Kishës në dorë, që simbolizojnë detyrën për t’i përforcuar vëllezërit në fe, të cilën Krishti ia besoi Pjetrit e nëpërmjet tij, krejt Kishës. Unaza e Papa Françeskut nuk është prej ari, por prej argjendi të praruar.
Një përfaqësi e kardinajve, gjashtë vetë, betohen para Papës për t’iu “bindur”, në një gjest, i cili përsëritet sa herë që zgjidhet një Papë i ri. Leximet biblike të Meshës janë ato të festës së Shën Jozefit e pastaj homelia e Papës Françesku, e ndërprerë disa herë nga duartrokitjet e brohoritjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.