2013-03-19 15:58:22

Mesha e fillimit të papnisë së Jorge Mario Bergoglio ndiqet nga mediat e gjithë botës, përveç Kinës


Nga Rusia në Indi, duke kaluar nëpër Amerikën e Jugut, faqet e internetit të të gjithë botës flasin për Papën Françesku e për meshën e sotme të fillimit të papnisë. Nëse gazeta argjentinase “La Nacion” hapet me një fotografi të presidentes, Kristina Fernandez de Kirchner, e cila u mallëngjye kur përshëndeste Atin e Shenjtë, venezuelania “El Universal” titullon: “Françesku fillon papninë e tij”.
Gazeta franceze “Le Figaro” vlerëson “thjeshtësinë” me të cilën Papa kremtoi ceremoninë në Vatikan: “Papa thotë një homeli shumë të thjeshtë”. Mesha ndiqet drejtpërdrejt edhe në faqen e internetit të “Times of Malta”, ndërsa spanjollja “El Mundo” i kushton ngjarjes, fotografi, video dhe reflektime.
Por, mesha e sotme nuk komentohet vetëm nga mediat e vendeve me shumicë katolike. CNN titullon “Një përurim ‘i thjeshtë’ shenjon fillimin e papnisë së Françeskut” e faqja e internetit e BBC-së e ndjek ngjarjen me lidhje video të drejtpërdrejtë. Gazeta popullore gjermane “Bild” vë në dukje një element të diskutueshëm. Paraqet fotografinë e përshëndetjes së Papës me presidentin e Zimbabves, Robert Mugabe, i cili, sipas sanksioneve evropiane, nuk mund të shkelë në vendet e Bashkimit Evropian, të cilat janë të detyruara gjithsesi, ta lenë të kalojë për të shkuar në një tokë neutrale si Vatikani, apo territori i selisë së OKB-së.
Lajmi i kremtimit të sotëm është edhe në faqen e parë të internetit të rrjetit televiziv arab “Al Jazeera” në gjuhën angleze, por edhe në atë të gazetës “Times of India”. Mungon në këtë apel, faqja e internetit Cctv, e televizionit shtetëror kinez. Edhe në lajmet e fundit të faqes ruse të gazetës “Pravda” flitet për Jorge Mario Bergoglio-n, por vihet në dukje Unaza e Peshkatarit, që i dha kardinali dekan, Anxhelo Sodano. “Papa i ri – është titulli i Pravdës, që i referohet faktit se unaza është prej argjendi e jo prej ari – është i kursyer me simbolet e autoritetit papnor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.