Enciklika e Piut XI “Divini Redemptoris” kundër komunizmit ateist
Më 19 mars u botua enciklika e Piut XI “Divini Redemptoris” kundër komunizmit ateist. Enciklika
e Papës Piut XI “Divini Redemptoris”, botuar më 19 mars 1937 i kushtohet denoncimit
e gabimeve të komunizmit ateist. Me këtë Letër enciklikë Papa Piu XI denoncoi
gabimet e komunizmit, që “e zhveshi njeriun nga liria e tij duke i dhunuar dinjitetin
personit njerëzor e përbuzur çdo vlerë morale, e si pasojë duke udhëhequr shoqërinë
drejt humnerës, pa kthim e shpëtim. Për Papën Piun XI komunizmi ateist është “ në
thelb degjenerues” që ka qëllime të mbrapshta, në të cilat fshehët ideja e “rreme”
e shpëtimit dhe përparimit. Me ‘Mit brennender sorge’, botuar pesë ditë
para enciklikës ‘Divini Redemptoris’, Papa Piu XI i jep një goditje të fuqishme
dhe denoncon publikisht ideologjitë dhe regjimet totalitare të epokës, komunizmin
dhe nazizmin.
Me enciklikat “Divini Redemptoris” e “Mit brennender Sorge”
Papa Piut XI dënon totalitarizmat e shekullit të kaluar. Më 19 mars 1937 Papa
Piu XI botonte enciklikën “Divini Redemptoris”, letër që denonconte tmerret dhe krimet
e komunizmit. Komunizmi – shkruan Papa – e zhvesh njeriun nga liria e tij, ia zhduk
dinjitetin dhe vetëpërmbajtjen morale, duke e nxitur me stimuj të verbër. Pak ditë
pas këtij dokumenti, e pikërisht më 14 mars, me “Mit brennender Sorge”, Papa Ratti
pati qortuar rëndë sjelljen çnjerëzore të ideologjisë naziste. Historiani Pietro
Skopola flet mbi vlerën e këtyre dy dokumenteve: “Atmosfera është mjaft
dramatike, prelud i konfliktit të dytë botëror, ajo që karakterizon publikimin e këtyre
dy dokumenteve. Jemi në vigjilje të kësaj ngjarje dramatike, që sundon historinë e
shekullit XX e Papa nuk mund të mos i dënonte me shkrim të dy totalitarizmat, dy “fetë
shekullare”: nga njëra anë, komunizmin me “Divini Redemptoris”, e nga ana tjetër,
nazizmin me “Mit brennender Sorge”. Janë të dyja enciklika të forta; por me
atë kundër komunizmit, që është më e prerë, Papa e damkos këtë ideologji çnjerëzore.
Dënimi i Papës Piu XI është shumë domethënës e, nga ana tjetër, i paraprin një enciklike
tjetër, që nuk u botua, sepse Papa vdiq para se ta shpallte. Është fjala për enciklikën
“Humani Genesis Unitas” kundër relativizmit gjerman. Tani ka dalë përsëri në dritë,
në saje të kërkimeve të kohëve të fundit, kur u hapën Arkivat Sekrete të Vatikanit
dhe dokumentet mbi papninë e Piut XI, deri pak kohë më parë të panjohura, nisen të
shfletohen nga studiuesit. Nga ky studim po zbulohen shumë elemente tepër interesante
për historinë e kësaj papnie”. Çfarë ndikim patën këto dy enciklika? “Patën
ndikim të madh në ato mjedise ku mundën të arrinin, sepse nuk duhet të harrojmë që,
si regjimi komunist, apo socializmi real, siç ishte në Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe
nacizmi, nuk e lejonin lirinë e shtypit, nuk e pranonin qarkullimin e lirë të ideve.
Vetë ipeshkvijtë e meshtarët, në homelitë e së dielës, mundoheshin me çdo kusht të
mos jepnin lajme që shkaktonin reagime. E nuk duhet të harrojmë se në Rusi, ashtu
si në satelitët e saj, njerëzit jetonin në atmosferën e persekutimit fetar. Prandaj
mund të themi se ndikimi i të dyja enciklikave u ndje fort në nivelin e klasave drejtuese,
që mund të shfrytëzonin çdo lloj lajmi, por në nivelin e masave popullore u njohën
pak e aspak, për shkak të mungesës së lirisë të qarkullimit të ideve”. Po si
t’i kuptojmë këto dy dokumente 46-vjet pas botimit? “Janë dokumente që ruajnë
vlerën e tyre të madhe, sepse denoncojnë fenomenin e fesë shekullare – këtë pretekst
të politikës për t’u bërë gjithçka në jetën njerëzore, për të thithur në vetvete edhe
përmasën fetare. Dënimi i një ideologjie të tillë pati një vlerë të jashtzakonshme
për kohën kur u bë, por nuk e ka humbur këtë vlerë as sot e mbetet qortim edhe për
të ardhmen. Të dy enciklikat mbeten pikë referimi për vlerat e demokracisë e të lirisë”. Të
dyja enciklikat u botuan njëra pas tjetrës: “Divini Redemptoris” më 14 mars 1937 ndërsa
“Mit brennender Sorge” më 19 mars të të njëjtit vit…. “ Kemi të bëjmë
me një simetri, me dëshirën për simetri, që dënimi i totalitarizmit të së djathtës,
nazizmit, të shoqërohej me dënimin e totalitarizmit të së majtës, komunizmit, duke
i vënë në të njëjtin plan, si regjime që pretendojnë të thithin gjithçka në politikë,
ta bëjnë politikën vlerë absolute, me në krye një udhëheqës të vetëm, që ka pushtet
absolut, si Stalini e Hitleri”. Çfarë reflektimesh mund të bëjmë sot, gjatë
leximit të dy enciklikave? “ Po t’i lexosh sot, të pushton ankthi, kupton sa
të tmerrshme qenë tragjeditë e shekullit që lamë pas shpine, në vigjilje të Luftës
II botërore, edhe kjo një nga tragjeditë më të mëdha që ka jetuar njerëzimi, gjatë
së cilës vdiqën 50 milionë njerëz e linden dy totalitarizma, të cilat mbajnë të njëjtën
përgjegjësi për mbytjen e njerëzimit në një det gjaku, në kushte lufte, si nazimi
e edhe paqeje, si komunizmi. Të dy dokumentet vlejnë edhe për të ardhmen, sepse tregojnë
rrugën në të cilën duhet ecur për kapërcimin e mundshëm të pasojave të dy idelogjive
kriminale, që nuk janë zhdukur akoma e të ftojnë për rivlerësimin e dinjitetit të
njeriut. Temat e tyre u zhvilluan më tej nga Piu XII në mesazhet e tij të famshme
gjatë viteve të fundit të luftës, mesazhe që tregojnë qartë se Kisha radhitet haptazi
në anën e demokracisë, si regjim i përshtatshëm për garantimin e dinjitetit të njeriut”.