Stema e Papës Françesku frymëzohet nga ajo, që Jorge Mario Bergoglio kishte si kryeipeshkëv.
Ati i Shenjtë ruajti edhe moton e tij “Miserando atque eligendo” (E pa me mëshirë
dhe e zgjodhi)
SHPJEGIMI I STEMËS “MISERANDO ATQUE ELIGENDO”
SHQYTI Në
aspektet kryesore, Papa Françesku vendosi të mbajë stemën e mëparshme, zgjedhur që
me shugurimin ipeshkvnore e karakterizuar nga thjeshtësia e veçantë. Shqyti blu
ka sipër simbolet e dinjitetit papnor, të njëjta me ato të Benediktit XVI (mitra e
vendosur ndërmjet dy çelësave të kryqëzuar, prej ari e argjendi, të lidhur me një
kordon të kuq). Në krye të shqytit, është vendosur emblema e urdhërit, ku bën pjesë
Papa, ai i Shoqërisë së Jezusit: një diell me rreze flakëruese, në mesin e të cilit
shkruhen me të kuqe shkronjat IHS, monogrami i Krishtit. Sipër letrës H, kryqi, ndërsa
poshtë saj, tri gozhda me ngjyrë të zezë. Në pjesën e poshtme të shqytit, ndodhen
ylli dhe lulja e nardit. Ylli, sipas traditës së lashtë araldike, simbolizon Shën
Marinë Virgjër, Nënë e Krishtit dhe e Kishës; ndërsa lulja e nardit, Shën Jozefin,
Pajtor i Kishës Universale. Në traditën ikonografike hispanjole, Shën Jozefi paraqitet
me një degë lule nardi në dorë. Duke vendosur këto imazhe në mburojën e vet, Papa
dëshiron të shprehë përkushtimin e tij të veçantë për Zojën e Bekuar dhe për Shën
Jozefin.
MOTO Motoja e Atit të Shenjtë, Françeskut, është marrë
nga Homelitë e Shën Bedës së Nderuar, meshtar (Hom. 21; CCL 122, 149-151), i cili,
duke komentuar episodin ungjillor të thirrjes së shën Mateut, shkruan: "Vidit ergo
Iesus publicanum et quia miserando atque eligendo vidit, ait illi Sequere me" (Jezusi
pa një publikan e, duke i hedhur vështrimin plot dashuri e zgjodhi dhe i tha: Më ndiq). Kjo
homeli është një homazh për Mëshirën hyjnore dhe ripropozohet në Liturgjinë e Orëve
të festës së Shën Mateut. Ajo ka një domethënie të veçantë për jetën dhe udhën shpirtërore
të Papës. Vërtet, në festën e shën Mateut të vitit 1953, i riu Jorge Bergoglio provoi,
në moshën 17 vjeçare, në mënyrë krejt të veçantë, praninë plot dashuri të Zotit në
jetën e tij. Pas rrëfimit, u prek në zemër e ndjeu dikimin e mëshirës së Zotit, i
cili, me vështrimin plot dashuri e ëmbëlsi, e thërriste për jetën rregulltare, sipas
shembullit të Shën Injacit të Lojolës. Kur u shugurua ipeshkëv, imzot Bergolio,
në kujtim të asaj ngjarjeje që shënoi fillimet e përkushtimit të tij të plotë ndaj
Zotit e Kishës së Tij, vendosi të zgjedhë si moto e program jete, shprehjen e Shën
Bedës “miserando atque eligendo”, të cilën e propozon edhe në stemën papnore.