2013-03-18 18:25:50

Shën Jozefi, pajtori qiellor i Kishës universale


Më 19 mars Kisha katolike është në festë. Kremton Shën Jozefin, pajtorin qiellor të Kishës universale, njeriun, simbol i vërtetë i Shenjtit, Jozefin pra, atë, që besohej si atë i Jezusit. Në sa nuk mund të mos meditojmë për vlerën e një Shenjti, përvujtëria dhe thjeshtësia e të cilit tingëllojnë si provokim për epokën tonë, e cila kujdeset kryesisht për t’u dukur sa më shumë, ku e si të mundet. Për një Njeri, që dëshiron të fshihet, të bëhet sa më i padukshëm, ballë për ballë njeriut, i cili bën çmos të duket, të njihet, të mbahet me të madh. E në këtë meditim, na prin vetë Papa, me fjalët e gjestet.
E Kisha në këtë festë, na fton ta imitojmë Shën Jozefin që e donte familjen e vet, pa përdorur kurrë fjalë të mëdha. Që i bënte mirë miqve, fare pa bujë. Që ishte gjithnjë i pranishëm, pa u dukur kurrë. Parë nga jashtë, ai qe pikërisht njeri i gabuar, antipersonazh, jashtë rrjetit bashkëkohor, njeri i humbur, që është, si të mos ishte. Kështu mund të ketë menduar ndokush për të, në kohën e largët kur jetoi, e kështu mund të mendojë edhe sot. Por në të vërtetë shën Jozefi, njeriu, që s’e deshi fare bujën, ka miliona miq, që prej dy mijë vjetësh; atij i kushtohen mijëra institute, shkolla, vepra bamirësie, që ia besojnë ndërmjetësisë së tij qiellore suksesin e veprimtarisë së përditshme.
Jozefi qe shok besnik e i urtë i Asaj, që mendohej të ishte nusja e tij, Marisë, e babë i kujdesshëm i Jezusit, që bota besonte se qe i Biri, por që kishte një Atë shumë më të madh, më të Madhin. Një aspekt, ky, që e theksoi dy vjet më parë Benedikti XVI:
“Shën Ambrozi komenton se Zoti e zgjodhi Shën Jozefin, sepse ëmbëlsia e drejtësia e tij e bënte tejet të denjë në cilësinë e dëshmitarit. Ndonëse i trazuar thellë në shpirt, Jozefi vepron ashtu si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit, i sigurt se po bënte një gjë të drejtë”(Lutja e Engjëllit të Tënzot e Benediktit XVI, 19 dhjetor 2010).
Jozefi i Nazaretit është njeriu, që edukoi e rriti vetë Zotin. Është shembulli, që Zoti i mishëruar, Jezu Krishti pati çdo ditë parasysh për të kuptuar ç’do të thotë të jesh njeri, që e përdor për mirë talentin e inteligjencën e që përforcon ditë për ditë dhuratën e fesë:
Kështu, në ritmin e ditëve të kaluara në Nazaret, ndërmjet shtëpisë e punishtes së Jozefit, Jezusi mësoi të këmbente lutjen e punën e t’ia ofronte Hyjit edhe djersën e ballit, derdhur për të fituar bukën e përditshme të familjes”. (Audienca e përgjithshme e Benediktit XVI, 28 dhjetor 2010).
Ja pra, pse, komentoi pak vjet më parë Papa Jozef Ratcinger, pikërisht në heshtjen e plotë të punës e të shpirtit të Shën Jozefit, shikojmë gjithnjë profilin e një modernizmi të paarritshëm. Në të, pohoi:
“...duket njeriu i ri që, duke e shikuar me besim e guxim të ardhmen, nuk përpiqet të realizojë planet e veta, por lëshohet plotësisht në dorë të mëshirës së pacak të Atij, që do të vërtetojë profecitë e do të hapë kohën e shëlbimit”.
T’i përmbahemi prandaj shembullit të Jozefin të jetën tonë të përditshme e t’i imitojmë gjestet e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.