2013-03-17 16:12:37

Papa Françesku në famullinë e Shën Anës në Vatikan: “Mesazhi më i fortë i Jezusit, është mëshira”.


Sot paradite Papa Françesku shkoi në famullinë e Shën Anës, në Vatikan, për të kremtuar Meshën e së Dielës së pestë të Kreshmëve. Ungjilli i liturgjisë së sotme paraqiti episodin e gruas, që kishte shkelur kurorën, të cilën farizenjtë e skribët donin ta mbysnin me gurë, në sa Krishti e fal. Jezusi i thotë: “Shko e mos mëkato më”. Papa e nisi homelinë kështu: “E bukur, kjo. Më parë, Jezusi vetëm, mbi mal, duke u lutur. Lutej, vetëm. Më pas, përsëri në Tempull. E gjithë populli e ndiqte pas. Jezusi ishte në mesin e popullit. E pastaj, në fund, e lanë vetëm, me një grua. Kjo vetmi e Jezusit, tha Papa, është vetmi e frytshme: vetmia e lutjes me Atin e vetmia me gruan, është pikërisht mesazhi i sotëm i Kishës, mesazhi i mëshirës me këtë grua”.
Ka një ndryshim ndërmjet popullit, pohoi Papa. Ishte tërë populli, që shkonte tek ai, e ai u ul e nisi t’i mësonte ata; ishte populli ai, që dëshironte t’i dëgjonte fjalët e Jezusit. Po ishin edhe ca të tjerë, që nuk donin fare të dëgjonin. E pikërisht këta shkuan me gruan, e donin ta dënonin. Edhe ne, shpjegoi Papa Françesku, besoj se jemi ky popull që, nga njëra anë dëshiron ta dëgjojë Jezusin, por nga ana tjetër, i pëlqen t’i shtrojë në dru të tjerët, apo jo? T’i dënojë të tjerët. Po mesazhi i Jezusit është mëshira. Për mua, mesazhi më i fortë i Zotit: mëshira. Ai vetë ka thënë: “Nuk erdha për të drejtët; të drejtët shfajsohen vetë”. Jezusi erdhi për mëkatarët.
Mendoni, vijoi Papa Françesku, thashethemnajën, që shpërtheu pas thirrjes së Mateut, tagrambledhësit: “Po ky po na shkon me mëkatarët!”. Por në se ne jemi si ai farizeu para elterit, që thotë: “Të falënderoj, o Zoti im, se nuk jam si të tjerët, e as si ky, që rri te porta, si ky publikani…”, kjo do të thotë se nuk e njohim fare zemrën e Zotit, se nuk do ta kemi kurrë gëzimin ta ndjejmë këtë mëshirë. Nuk është e lehtë t’ia besosh veten mëshirës së Zotit, sepse është një greminë e pakuptueshme. Po duhet ta bëjmë. “Oh, Atë, po ta njihje jetën time, nuk do të më flisje kështu!”. “Pse? Ç’ke bërë?”. “Oh, s’kam lënë gjë pa bërë”. “Epo mirë! Shko te Jezusi: Atij i pëlqen, nëse ia tregon këto gjëra! Ai i harron. Ka aftësi t’i harrojë, aftësi të veçantë. I harron, të puth, të rrok e të thotë: “As unë nuk po të dënoj. Shko e tash e mbrapa mos mëkato më”. Vetëm këtë këshillë të jep. E në se, një muaj më pas do të jemi përsëri në këto kushte, vijoi, rikthehemi tek Zoti. Ai nuk lodhet kurrë duke falur: kurrë! Jemi ne, që lodhemi duke kërkuar falje. T’i kërkojmë, prandaj, hirin, që të mos lodhemi duke i kërkuar falje, sepse ai nuk lodhet kurrë duke falur. T’ia kërkojmë këtë hir!







All the contents on this site are copyrighted ©.