2013-03-16 17:28:34

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të e Krezhmëve


Dëgjues të nderuar, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 5-të e të fundit të kohës së Kreshmëve të ciklit të tretë, sipas kalendarit kishtar.
Edhe këtë të diele vijon tema e mëshirës dhe e dashurisë së pakufishme të Zotit ndaj çdo njeriu, në mënyrë të veçantë ndaj mëkatarit. “Unë nuk e dua vdekjen e mëkatarit – thotë Zoti – po dua që ai të kthehet e të jetojë”. Tema e mëshirës hyjnore ishte argumenti qendror edhe i të gjitha të dielave të mëparshme të kësaj kohe të krezhmëve. Në lutjen e hyrjes së Meshës të kësaj së diele, mes tjerash themi: “Na ndihmo, po të lutemi o Zot, Ati ynë i Mëshirshëm, të mund të jetojmë dhe të veprojmë përherë me atë dashuri, që shtyri Birin tënd, Jezu Krishtin ta japë jetën për ne”. Dhurimi i jetës, , mundësia për të qenë “njerëz të ri”, rasti për jetuar një jetë të re, të rilindur në përmasën shpirtërore e njerëzore, pse të dashur, pse të falur, pse të përqafuar nga Përdëllimi i Hyjit Atë, kjo mund të themi se është porosia e leximeve biblike të kësaj së diele. E Jezusi, në pjesën e Ungjillit, na tregon konkretisht si e ushtron Zoti këtë mëshirë të Tij Hyjnore e të pakufishme ndaj njeriut: jo me dënim por me falje, e ndërsa fal urdhëron të mos mëkatënohet më: “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi gruas mëkatare të akuzuar – Shko, por pas tashit mos mëkato më!” (Ungjilli). Ai, pra, që pendohet Zoti e fal. Ai nuk i kujton më gjërat e kaluara, e madje përkundrazi krijon gjëra të reja (Leximi I)
Dëshira për të ndryshuar e përmirësuar jetën, për të qenë më të mirë, …banon në zemër të shumë njerëzve. Ndryshimi i jetës, ndryshimi i sjelljeve të zakonshme është përvojë njerëzore e aspiratë e përhapur ndër shumë persona. E mirë pra, liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na transmeton këtë mesazh: risia e jetës është e mundur, mundësia e fillimit të një jete vërtetë të re është pikërisht dhurata që Krishti na ofron.
Kështu liturgjia e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele na rrëfen për takimin e njeriut me Jezusin, i cili nuk ngrihet si gjykatës për të na dënuar për gabimet e për mëkatet tona, por na depërton në thellësi të rrënjëve të shpirtit tonë e ndihmon për ta ndryshuar e shëruar ekzistencën tonë njerëzore nga e keqja, mëkati e madje edhe vdekja e përjetshme. Është forca që vjen prej Tij e cila mund t’i shërojë plagët tona e në ne të nxisë atë përtëritje e atë ndryshim pozitiv që me forcat tona njerëzore nuk do të arrinim ta bënim. Kjo forcë e ka një emër: është falja!. Është energjia për të cilën njerëzimi ynë ka nevojë për të mos u bërë viktimë e dhunës dhe e fuqive të pushtetshme që mund të na dëmtojnë e madje edhe shkatërrojnë.
Kështu, në udhëtimin tonë shpirtëror drejt Pashkëve, Ungjilli i kësaj së diele na paraqet takimin e Jezusit me një grua mëkatare, që shkeli kurorën e besnikërinë bashkëshortore e për këtë akuzohet prej skribëve e farizenjëve, që kërkojnë dënimin e saj me vdekje. Gruan fatkeqe e fatzezë zënë në pabesì bashkëshortore, të akuzuar e paraqitur para Mësuesit për t’u dënuar me vdekje, sipas normave e ligjeve në fuqi, Jezusi e ndihmon, ia ngjet dorën për t’a nxjerr nga poshtërimi i mëkatit e për t’i dhënë mundësinë e rilindjes në jetën e re.
Leximi i parë nga Izaia profet flet për Zotin që di të krijoi gjëra të reja, di të ngjizë, të formoj njerëzimin e ri: për të treguar këtë energji përtëritëse e rilindëse të Hyjit, Izaia profet përdor imazhin e një udhëtimi përmes shkretëtirës së lulëzuar, sepse e lagur, e mbrujtur nga uji i begatë.
Hebrenjve të sprovuar nga mërgimi në Babiloni, Izaia profet u kujton çlirimin nga Egjipti e premton, nga ana e Hyjit, një ndërhyrje të re çlirimtare.
Edhe leximi dytë nga letra e shën Palit drejtuar Filipianëve, flet për takimin shndërrues me Jezusin: një takim të cilin Pali e përshkuar duke aluduar në përvojën e tij personale që pati në udhën e Damaskut.
Pali pra përdor fjalorin sportiv për të treguar impenjimin e tij për Ungjill. Jeta e Apostullit është porsi vrapimi drejt një caku: drejt çmimit të cilin Zoti na fton ta marrin atje lartë në Qiell, në Jezu Krishtin.
Ungjill i kësaj së diele na ofron një skenë vërtetë të lartë kristologjike: me qëndrimin dhe sjelljen e tij, Jezusi dëftohet e paraqitet si bartës i gjyqit përfundimtar të Hyjit, është fjala për gjyqin e mëshirës e të shpëtimit, që pjesa ungjillore e kësaj së diele na rrëfen në konkretizimin e refuzimit të dënimit, siç përkundrazi donin njerëzit, të një gruaje të zënë në mëkat dhe në dhënien e mundësisë për të mos mëkatuar më e për të jetuar një jetë të re.
Në qendër të episodit është mëkati i gruas, e poshtëruar dhe e përbuzur. Jezusi nuk e dënon mëkataren, por e fal. Pse në falje është tërë aftësia e fuqia e dashurisë, që na dhuron një jetë të re e na shpëton.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Is 43, 16-21
Populli hebraik ka qenë internuar në Babiloni. Profeti ka për detyrë t’i kujtojë popullit mirësinë dhe besnikërinë e Hyjit, i cili ashtu siç kishte çliruar hebrenjtë nga skllavëria e Egjiptit, kështu tani do të çlirojë popullin e tij dhe do ta dërgojë në tokën e vet. Hyji vetë do të hapë rrugën në shkretëtirën e historisë dhe do të japë shpëtimin. Ai do të bëhet, në Jezusin, “udha” për çdo njeri.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti që rrugë hapi nëpër det e shteg kalimi në mesin ujërave të tmerrshme; që bëri të dalin karroca e kuaj, ushtri e heronj së bashku; ata ranë vdekur, kurrë më s’do të ngritën, u fikën si fitili, u shqimën.
“Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara, mos mendoni për çka ka kaluar, ja, po bëj një gjë të re: tani po lind! A s’po e shihni? Ja, po hap udhën në shkretëtirë, e shtigje në vend të shkretë. Egërsirat do të më japin lavdi çakajtë edhe strucët, se u dhurova ujë në shkretëtirë, lumenj në vend të shkretë, që t’i japë ujë popullit, të zgjedhurit tim, popullit që e trajtova për vete dhe që mua do të më japë lavdi”.
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 126
Punë të mëdha bëri Zoti për ne
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!

Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e Negebit!
Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!

Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta
Fil 3,8-14
Pali, pas takimit me Krishtin, ka ndryshuar jetën e tij. Nëse më përpara ndiqte me pasion ligjin dhe burgoste dishepujt e Krishtit, tani ndjek me të njëjtën dashuri dhe me të njëjtin vrull Krishtin. Ka fshirë gjithçka para syve dhe nuk sheh asgjë tjetër përveç Krishtit.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Vëllezër, unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të – jo me drejtësinë time – me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe – që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve. Jo sikurse t’ia kisha arritur, as sikurse të isha bërë i përsosur, por vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus. Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur; di vetëm kaq: harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus.
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, po që të kthehet e të jetojë.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Gjn 8, 1-11
Jezusi nuk pohon se mëkati i gruas kurorëshkelëse është një fakt pak i rëndësishëm, në të kundërt i deklaron asaj: tani e tutje mos mëkato më. Në sytë e Jezusit mëkati është pabesnikëri ndaj dashurisë së Hyjit, por nuk do t’i burgosë njerëzit në mëkatin e tyre, beson në mundësinë e kthimit për secilin prej nesh. Na thërret në një dashuri të ripërtërirë, përtej egoizmit tonë.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. Atëherë skribët e farisenjtë ia sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.
Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai u drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!” Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm – dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në midis. Jezusi u drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” “Askush, Zotëri!” – përgjigj ajo. “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por mbas tashit mos mëkato më!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele e komentin mund të dëgjoni këtu.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.