2013-03-16 17:45:48

Dom Zef Shestani në përvjetorin e vdekjes


Duke shfletuar kalendarin historik, sot kujtojmë dom Zef Shestanin, përgjegjësin e parë të Programit Shqip të Radio Vatikanit, në përvjetorin e kalimit të tij në amshim.
Dom Zef Shestani, themeluesi i programit shqip i Radio Vatikanit, qe figurë poliedrike, prift shembullor, atdhetar i flaktë, gazetar i urtë e largpamës. Në vitet më të vështira e të errëta të historisë së Shqipërisë, dom Zef Shestani dha një kontribut të jashtëzakonshëm me kultivimin dhe transmetimin e vlerave shpirtërore, kombëtare, qytetare duke mbajtur në zemra të dëgjuesve shqiptarë përherë të ndezur dritën e shpresës së ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të lirisë mbi robërimin, të dashurisë mbi urrejtjen…
Me transmetimin e fjalëve inkurajuese të Papës e Selisë së Shenjtë, dom Zef Shestani i siguronte shqiptarët që vuanin nën diktaturën e errët ateiste të komunizmit në Shqipëri, se nuk ishin lënë vetëm, se Kisha e Papa ishin me ta, pranë tyre e se i dinin vuajtjet, torturat, persekutimin që pësonin për shkakun e fesë së tyre në Zotin e për atdhedashurinë. Mjafton të kujtojmë fjalët e Papës Gjon Palit II drejtuar Kishës e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë më 5 tetor 1980 nga Otranto e Italisë. Fjalët atërore e inkurajuese të Papës Wojtila, dom Seshtani i transmetoi në gjuhën shqipe me gëzim, mburrje e përmallim. Ja fjalët përmes të cilave aso kohe Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën për martirizimin që pësonte Kisha e populli në Shqipëri nën komunizëm:
“E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.
Mesazhe si ky që posa dëgjuam e argumente tjera përmbajtjesore, dom Zef Shestani i transmetonte në emisionin e tij radiofonike përmes valëve të Radio Vatikanit popullit e vendlindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.