2013-03-15 16:28:05

Imzot Mirdita shpreh gëzimin e përtërin lidhjen kishtare me Papën e ri


Kisha dioqezane e Tiranë-Durrësit priti me gëzim të madh zgjedhjen e Papës Françesku në udhëheqje të Kishës së Krishtit, përtërin lidhjen e saj të ngushtë me pasardhësin e Pjetrit, e i shpreh dashurinë e kësaj bashkësie kishtare që gjendet në trevat e lashta shqiptare.
"Arkidioqeza Metropolitane Tiranë - Durrës priti me gëzim lajmin e zgjedhjes së Kardinalit Jorge Mario Bergoglio si Ipeshkëv i Romës, pasardhës i Benediktit XVI, por mbi të gjitha pasardhës i kreut të apostujve, Pjetrit, të cilit Jezusi nga Nazareti i tha: “Ti je Pjetër, shkëmb: mbi këtë shkëmb do ta themeloj Kishën time e dyert e ferrit nuk do të ngadhënjejnë kundër saj”.
Pasardhësi i Pjetrit në Kishën e Romës u paraqit para besimtarëve katolikë dhe para botës me thjeshtësinë ungjillore që buron nga besimi i sigurt në Jezusin nga Nazareti, ai besim me të cilin sot Papa Françesku i drejtohet Jezusit nga Nazareti e i thotë, si Pjetri para dymijë vjetësh: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!”.
Krishti është Zoti i bërë njeri, prandaj besimi në Krishtin na shtyn ta kërkojmë Zotin tek njerëzit. Shërbesa e gjatë priftërore dhe ipeshkvnore e Papës Françesk mes njerëzve të popullit të tij në Argjentinë mbetet një dëshmi e mrekullueshme e dashurisë së thellë për Zotin dhe për njeriun. Kujdesi i tij i veçantë për njerëzit e goditur nga padrejtësia dhe varfëria, sjellin në qendrën e vëmendjes së Kishës njeriun e përqafuar nga Krishti.
I jemi mirënjohës Zotit, që edhe këtë herë ka shfaqur dashurinë e tij për Kishën tonë, duke na dhuruar një bari të mirë në krye të Kishës së Romës dhe të Kishës universale.
Kisha jonë dioqezanë përtërin lidhjen e saj të ngushtë me pasardhësin e Pjetrit dhe i shpreh Papës Françesk gjithë dashurinë e vet.
Të lutemi me dashuri për shërbesën e Ipeshkvit të Romës, që, përmes tij, drita e Ungjillit të shkëlqejë në botën e sotme me atë forcë bindëse me të cilën shkëlqeu përmes Françeskut të Asizit.
Zoti i dhëntë Papës sonë forcën, urtinë dhe guximin e Shpirtit të Shenjtë për ta drejtuar Kishën drejt njeriut të sotëm e për t’i dëshmuar atij shëlbimin që vjen prej Krishtit". + Rrok Mirdita
Arqipeshkëv Metropolit Tiranë - Durrës

Kështu shkruan, kryeipeshkvi imzot Rrok Mirdita në një deklaratë për media rreth zgjedhjes së Papës Françesku, po më shumë të dëgjojmë prelatin shqiptar në mikrofonin e Radio Vatikanit...........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.