2013-03-15 17:15:28

Gjergj Meta: Papa u zgjodh, mediat shqiptare nuk zgjodhën Papën


Ndërkohë Papa u zgjodh, pavarësisht nëse mediat shqiptare e mbuluan si duhet apo jo. Por në arkivat e mediave një gjë do të mbetet e mangët. Duke uruar që sadopak një shkrim i tillë të ketë ndikuar në reflektimin e përgjithshëm, shpresoj që marrëdhënia e mediave me Kishën dhe e kësaj me mediat të jetë nën shenjën e interesimit dhe besimit të ndërsjellët.

Riti antik i Konklavës për zgjedhjen e Papës tërhoqi kësaj here, si asnjëherë tjetër, sytë e gjithë botës. Po t’u hidhje një sy mediave botërore në mbrëmjen e 13 marsit nuk mund të mos e konstatoje këtë gjë. Ajo Konklavë e Romës, dhe gjithë katolikëve në botë, i dha një person që quhet ipeshkvi i Romës dhe Bariu i Gjithmbarshëm i Kishës Katolike, ndryshe Papa i Romës.
Më së pari të gjithë vunë re regjistrin e komunikimit të këtij Pape me të pranishmit në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, e nëpërmjet mediave, me të gjithë botën. Një komunikim njerëzor që nisi me një “Mirëmbrëma” e përfundoi me një “Natën e mirë e pushim të qetë”. Fjalë këto që ua drejtoi të gjithëve, katolikë e jo katolikë, besimtarë e jobesimtarë. Thjeshtësia dhe buzëqeshja qenë aktet e para të njeriut që do të udhëheqë katolikët e gjithë botës e në mënyrë të veçantë dioqezën e Romës.
Ndërsa kardinali Touran shqiptonte në latinisht fjalët: Sibi nomen imposuit Franciscum (i dha vetes emrin Françesku) mua menjëherë mendja më shkoi te një Françesk tjetër, ai i Asizit, i biri i një tregtari nga Umbria, Pietro di Bernardone, i cili para 800 vjetësh, në një nga çastet e tij të lutjes para Krishtit të kryqëzuar, prej Tij mori një urdhër: “Françesk, shko e riparoje Kishën time”. Më së pari një Papë është ai, i cili pasi të jetë kthyer vetë te Zoti, përforcon vëllezërit e tij në besim (Lk 22,32), aty ku ky besim ka humbur, ku është dobësuar apo ku për shkaqe të ndryshme nuk është më i besueshëm.
Por gjithashtu, jezuiti Bergoglio është i lidhur edhe me një Françesk tjetër, Françesk Ksaveri i cili para 500 vjetësh shkoi në tokat e largëta të Indisë e të Kinës për të shpallur Ungjillin e atje vdiq, i dashur prej popullsisë lokale.
Një emër, një program. Nga ana tjetër, një Papë nuk ka një agjendë personale që nuk është agjenda e Kishës, e cila në natyrën e saj esenciale ka për detyrë t’u shpallë njerëzve Dashurinë e Zotit. E kështu, fytyra e këtij bariu nga “fundi i botës” na ngjall shpresat se do të vazhdojë të shpallë atë dashuri që edhe Benedikti XVI na e shpalli, e të na befasojë sikurse edhe vetë Benedikti XVI e bëri këtë gjë me aktin e tij të paprecedent në historinë e Kishës.
Zgjedhja e Papës ka një rëndësi të madhe. Nuk mund të mos ketë rëndësi zgjedhja e këtij personi në krye të Kishë Katolike, qoftë për Kishën brenda saj, e qoftë për shoqërinë edhe jashtë Kishës. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet krejt interesi mediatik kushtuar ngjarjes. Testatat më të mëdha botërore mediatike i kanë kushtuar orë të tëra emisioni të drejtpërdrejtë: CNN, BBC, Al jazeera, mediat italiane e mediat e të gjithë Evropës që ende e kanë në faqet e para.
Çuditërisht, me një farë keqardhjeje mund të them se mediat shqiptare qenë tepër zhgënjyese. Ky zhgënjim qe në cilësinë e mbulimit të lajmit dhe në hapësirën kushtuar atij. Cilësia ishte shumë e dobët, sidomos të drejtpërdrejtat, me gazetarë të papërgatitur për përkthim, që nuk i njihnin termat e duhur e që kalonin nga një argument në tjetrin, duke u marrë më shumë me marritë e “profecive” që gjenin aty-këtu nëpër internet, sesa me çështjet serioze dhe të aktualitetit që zgjedhja e një Pape mbart në vetvete. Nuk pretendon kush që ata të dinë latinisht, apo rregullat e zgjedhjes, por ata kanë në dorë ta vlerësojnë si duhet ngjarjen, duke ftuar në studio dikë që i njeh këto gjëra për t’i shpjeguar për publikun e gjerë.
Të jem i sinqertë, prisja një Opinion të Blendi Fevziut sikurse e bëri edhe Vespa menjëherë në Rai1 nëItali, prisja një Top Story të Sokol Ballës apo një Top Show të Dudushit, një Tonight të Ilva Tares apo një Shqip të Rudina Xhungës, një shërbim të gjatë të MAPO-s apo të Panoramës, të cilat në mëngjesin e datës 14 mars kishin çdo lajm tjetër në faqet e tyre të para, përveçse zgjedhjes së Papës, ndërkohë që të gjitha mediat e shkruara në gjithë botën e kishin lajm kryesor.
Nuk dua të besoj se arsyeja është ajo që më tha një miku im pasi lexoi reagimet e disa personave në wall-in e facebook-ut të Kryeministrit, i cili uronte Papën për zgjedhjen e tij. Pasi unë mendoj që Shqipërisë dhe shqiptarëve u intereson se kush është Papë dhe që Papa u zgjodh në mos qoftë tjetër, sepse sipas INSTAT-it janë 10 % katolikë, por edhe sepse katolicizmi këtu në Shqipëri ka dhënë shumë për këtë komb.
Nga ana tjetër nuk mund të mos ndjej edhe njëfarë keqardhjeje që edhe ne vetë si klerikë apo Kishë e shohim shpesh median si një armike, apo si ajo që duhet të mësojë nga ne duke mos arritur të gjejmë një logjikë partneriteti për të mirën e bashkësisë ku jetojmë. Një lloj paragjykimi reciprok që shpeshherë gjarpëron në këtë marrëdhënie u duk qartë në këto ditë. Ne si Kishë nuk kemi personat e përgatitur ose shpesh strukemi duke demonizuar mediat dhe gazetarët. E kjo nuk na ndihmon as njërën palë e as tjetrën.
A ka një lodhje të mediave? Nuk kanë mundësi të mbulojnë me ekspertë të mirëfilltë tematikat fetare? A nuk mund të liheshin për një ditë të gjitha emisionet politike, që për hir të së vërtetës kanë humbur tashmë edhe interesin, në mënyrë që të paraqitej një ngjarje e cila ndodh pak herë në shumë vite dhe përfshin ndjenjat dhe ekuilibrat e shumë shoqërive e njerëzve në botë?
Këto dhe shumë pyetje të tjera më vijnë ndërmend duke i shoqëruar me një mea culpa shpesh për mosofrimin e ndihmës nga ana e Kishës që këto media të kenë persona kompetentë.
Ndërkohë Papa u zgjodh, pavarësisht nëse mediat shqiptare e mbuluan si duhet apo jo. Por në arkivat e mediave një gjë do të mbetet e mangët. Duke uruar që sadopak një shkrim i tillë të ketë ndikuar në reflektimin e përgjithshëm, shpresoj që marrëdhënia e mediave me Kishën dhe e kësaj me mediat të jetë nën shenjën e interesimit dhe besimit të ndërsjellët.
Gjergj Meta







All the contents on this site are copyrighted ©.