2013-03-15 17:38:55

Atë Lombardi: Papa është i qetë; fushata kundër tij është shpifëse, e tipit antiklerikal


Ta shoqërojmë papninë e re, në hapat e para, me gëzim e entuziazëm. Këtë pohoi sot atë Federiko Lombardi në takimin me gazetarët në Media Center, në Vatikan. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit saktësoi edhe se nuk ka ekzistuar kurrë ndonjë lidhje ndërmjet atë Bergoglios dhe diktaturës argjentinase, siç thuhet, përmes disa akuzave pa kurrfarë baze.
Një Papë i përvuajtur, i thjeshtë, i vetvetishëm, i afërt me njerëzit, që është krejt mirë, i vetëdijshëm e i qetë. Është ky portreti i Papës së ri, që u paraqiti atë Lombardi gazetarëve, duke hapur edhe një portë të re, për t’u treguar si po i kalon Papa Françesku këto ditë të para të papnisë, në Vatikan:
Në darkë ose në drekë, zakonisht, bashkohet me kardinajtë që kanë arritur… atëherë shkon e ulet në një nga vendet e lira; nuk ka një vend të veçantë për të e shkon ku ka karrige të lira, në mënyrë krejt të natyrshme. Sot e kremtoi Meshën në orën 7.00, në Kapelën e Shën Martës, e shumë kardinaj deshën të bashkëkremtojnë me të. Prej këndej, Mesha u bashkëkremtua në Kapelë sot në mëngjes, në orën 7.00 e Papa bëri edhe një predk të shkurtër, kushtuar Ungjillit dhe leximeve të Meshës së paradites”.
Atë Lombardi kujtoi, me emocion të thellë se, dje paradite, e shoqëroi Atin e Shenjtë, kur shkoi në Shtëpinë e klerit, pas lutjes në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe:
Kalimi i tij dje ishte vërtetë shumë prekës, sepse shihej që i njihte personalisht, e mirë, të gjithë punonjësit, i pyeste për bijën a gruan… Të gjithë qanin nga emocioni. Prej këndej, përvoja e një njeriu të afërt me njerëzit, me nëpunësit, me punëtorët e shtëpive të klerit”.
Konfirmoi, më pas, lajmin e përhapur nga shtypi, sipas të cilit Papa, mbrëmjen e zgjedhjes, i telefonoi nuncit në Argjentinë, imzot Emil Paul Tscherring, duke u kërkuar, përmes tij, të gjithë atyre që kanë shprehur dëshirën të vijnë për Meshën e fillimit të papnisë, në Romë, t’ua dhurojnë nevojtarëve shumat e mbledhura për shtegtimin. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit foli edhe për një klimë gëzimi të madh e përtëritjeje shpirtërore:
“Një gjë tjetër, që më tha nunci sot paradite, ishte se në Buenos Ajres e në Argjentinë, ndjehet fort atmosfera e gëzimit e edhe e gjallërimit të lutjes. Shumë njerëz shkojnë në Kishë e, në famullinë ku ai thotë meshën e zakonshme, famullitari i tha se po e kalon gjithë ditën duke rrëfyer. E rrëfen edhe njerëz, që nuk rrëfeheshin prej 15 a 20 vjetësh, të cilët u pajtuan me Zotin, në atmosferën e këtij gëzimi e hiri të madh për gjithë Kishën në vend”.
Pastaj u përqendrua tek akuzat, që janë bërë në të kaluarën, për lidhjen e atë Bergoglios dhe diktaturës argjentinase. “Asnjë lloj lidhjeje, saktësoi atë Lombardi, duke cituar edhe deklaratat e paradites së sotme, të një jezuiti hungarezo-gjerman, atë Granz Jalics, një nga priftërinjtë e persekutuar, që arritën të shpëtojnë nga diktatura argjentinase, në kohën kur Papa Françesku ishte provincial. Kujtoi edhe dëshminë e pacifistit argjentinas, Adolfo Perez Esquivel. Pastaj atë Lombardi lexoi edhe një deklaratë mbi këtë ngjarje:
Fushata kundër Bergoglios, e mirënjohur, ka nisur prej disa vitesh. Çohet përpara nga një shtyp që nxit fushatat shpifëse e denigruese. Njihet mirë burimi antiklerikal i kësaj fushate, si dhe i akuzave të tjera kundër Bergoglios. Akuzat kanë të bëjnë me Bergoglion, në periudhën kur nuk ishte ende ipeshkëv, por epror i jezuitëve në Argjentinë, si dhe me dy meshtarë, që qenkëshin rrëmbyer e ai nuk i paskej mbrojtur. Ndërsa ekzistojnë një mori deklataratash, që vërtetojnë se Bergoglio bëri shumë për t’i mbrojtur njerëzit nga diktatura ushtarake. Njihet mirë roli i Bergoglios, si ipeshkëv, në kërkimin e ndjesës nga ana e Kishës së Argjentinës, sepse nuk arriti të bëjë aq sa duhet në kohën e diktaturës. Akuzat, pra, i përkasin përdorimit të analizave historiko-sociologjike të periudhës diktatoriale, bërë prej vitesh nga elementë të së majtës antiklerikale për ta sulmuar Kishën, prej këndej, duhen hedhur poshtë vendosmërisht”.
Atë Lombardi kujtoi edhe audiencën, nesër, në Sallën e Palit VI, për punonjësit e komunikimit shoqëror dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 12.00. Pastaj, për sa i takon Meshës për fillimin e Papnisë, të martën e ardhshme, saktësoi se të gjithë janë të mirëpritur e se Selia e Shenjtë nuk bën kurrë ftesa të veçanta, as në nivel diplomatik:
“Nuk i drejtohet kurrë ftesë e drejtpërdrejtë asnjë presidenti a kryeministri që të vijë. Edhe kur vijnë ta takojnë Papën gjatë papnisë, normalisht krerët e shteteve ose të qeverive nuk ftohen kurrë: janë ata, që shprehin dëshirën për ta parë Atin e Shenjtë, për të marrë pjesë në ndonjë ngjarje. Të gjitha ata që duan të vijnë, janë të mirëpritur”.
Kujtoi, më pas, se këto ditë, po arrijnë mesazhe urimi nga mbarë bota:
“Një mesazh, që u vlerësua shumë, ishte ai nga ana e Kryerabinit të bashkësisë hebraike të Romës, doktor Riccardo Segni, të cilit edhe Papa i dërgoi mesazhin e tij të afërsisë e të miqësisë, duke e njoftuar edhe për përurimin e ardhshëm të papnisë. Janë të njohura, marrëdhëniet e mira që kishte kardinali Bergoglio në Argjentinë, me bashkësinë hebraike e edhe me bashkësitë e tjera fetare: me myslimanët e edhe me gjithë të tjerët. Ja, pra, vijohet në të njëjtën udhë”.
Ka shumë mundësi që marrja në dorëzim e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, të kremtohet pas Pashkëve, shpjegoi atë Lombardi e, prej këndej, Mesha e Darkës së Mbrame të Zotit, të Enjten e Madhe, mund të kremtohet në Shën Pjetër. Duke iu përgjigjur gazetarëve, shpjegoi edhe se ka shumë mundësi që Benedikti XVI të largohet nga Kastel Gandolfo në maj, për t’u transferuar në Vatikan, në kuvendin e klauzurës, që vijon të përgatitet për të.







All the contents on this site are copyrighted ©.