2013-03-14 15:31:14

Papa Françesku vizitoi Bazilikën e Shën Marisë së Madhe e falenderoi Zojën e Bekuar


Vizita e parë publike e ipeshkvit të ri të Romës në dioqezën e vet. Papa Françesku shkoi sot paradite në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, për t’u lutur në Kapelën Paoline, para fugures së Virgjërës Salus Populi Romani, duke e falenderuar Zojën e Bekuar për zgjedhjen e tij në fronin e Shën Pjetrit, siç tha që mbrëmë. Mbërriti në Bazilikë në orën 8 të mëngjesit, i shoqëruar nga kardinali vikar Agostino Valini. Deshi të shkojë pa përdorur makinën me targë “SCV 1”, që zakonisht lihet në përdorim të Papës në Vatikan. “I lini njerëzit të hyjnë” u tha punonjësve të Bazilikës së Zojës së Madhe, duke dashur të jetë një shtegtar i thjeshtë në mesin e të tjerëve. Ai, që mbrëmë, gjatë darkës festive me kardinajtë, u tha: “Zoti ju faltë për atë që bëtë” - duke më zgjedhur Papë, ishte nënteksti. I emocionuar, kardinali Santos Abril y Castello, kryeprifti i Bazilikës, i cili e priti sot paradite:
E njihja mirë kryeipeshkvin e atëhershëm të Buenos Aires, kur isha nunc atje dhe, e di mirë se ka një përkushtim të thellë ndaj Zojës. Por nuk mendoja se vizita do të ishte kaq e menjëhershme. Kur ma tha mbrëmë, iu përgjigja: “Atë i Shenjtë, jam i lumtur që do t’ju shoqëroj për këtë homazh”, të cilin Papa dëshironte të bënte, me ardhjen në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, për të vendosur nën mbrojtjen e Nënës së Zotit, Salus Populi Romani, papninë e tij.
Hirësi, bëri përshtypje kërkesa e Papës për t’u lutur të gjithë së bashku e fjalët e tij të thjeshta: “shihemi së shpejti, nesër do të shkoj t’i lutem Zojës”…
Natyrisht, gjesti i tij i thjeshtë, i afërt, personaliteti i tij njerëzor, që di të japë ngrohtësi, që di të përshëndesë të gjithë, jo vetëm në Bazilikë – ku kishte organizim – përshëndeti shumë njerëz. Por, kur e shoqëruam, së bashku me kardinal Valinin, në Shtëpinë ku qëndroi në ditët para Konklavit, në via della Scrofa, në Shtëpinë Pali VI: edhe aty i përshëndeti të gjithë, punonjësit, ata që përgatisin dhomat e të tjerët, shumë prej të cilëve i njihte me emër. Kjo na mahniti vërtet. Kjo afërsi, kjo përvuajtëri, kjo ngrohtësi njerëzore, ky përqafim për të gjithë na bëri përshtypje shumë pozitive e jam i sigurtë se do të jetë një nga karakteristikat e papnisë së tij.
Dikush vuri re qetësinë me të cilën Papa kreu këtë vizitë, gjatë së cilës vuri lule në elterin e Zojës. Ndoshta këtë ndjenjë ua përçoi edhe atyre, që takoi, apo jo?
Po, me siguri. E pashë se ishte shumë, shumë i qetë. Madje, kur e takova sot paradite, e pyeta menjëherë: “Atë i Shenjtë, arritët të bëni një sy gjumë?”. “Po – m’u përgjigj – fjeta mjaft mirë; gjysëm përgjysëm, por mirë”. Ishte i qetë e arriti t’ua transmetojë të tjerëve këtë gjendje shpirtërore. Sikur na thotë se është plotësisht i bindur në forcën e Zotit, në ndihmën që do t’i japë Hyji, në mbrojtjen e Zojës e në lutjen e sa e sa njerëzve, e cila vijon në të gjithë botën. Sigurisht, është kjo, që i jep qetësinë, hirin e forcën për të filluar papninë e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.