Kisha do të ecë përpara, vetëm në se ecën me Kryqin e Krishtit: kështu Papa Françesku
në Meshë, në Sikstinë
Papa Françesku kryesoi, sot pasdite, Meshën Shenjte në Kapelën Sikstine, me kardinajtë,
që morënn pjesë në Konklav. Ungjilli i Meshës, shkëputur nga Shën Mateu, flet për
besojmën e Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”. E Jezusi i përgjigjet:
“I lumi ti, Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi, as gjaku, por Ati
im, që është në qiell. E unë po të them: Ti je Pjetër-Shkëmb e mbi këtë shkëmb do
ta ndërtoj Kishën time e dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kurrë kundër saj”. Leximi
i parë ishte një fragment nga Libri i Izaisë Profet e Leximi i dytë, nga Letra, e
dyta e Pjetrit, që flet për gurët e gjallë, me të cilët ndërtohet Kisha.
Papa,
në homelinë e tij të parë, shqiptuar lirisht, në italisht, nënvizoi se në këto tri
lexime ka diçka të përbashkët: është “lëvizja”. Në leximin e parë, lëvizja është ecja;
në të dytin, ndërtimi i Kishës; në të tretin, është Ungjilli, lëvizja është në dëshmim.
Të ecësh, të ndërtosh, të dëshmosh! Gjëja e parë, që Zoti i tha Abrahamit, është
kjo: “Ec në praninë time e ji paqortueshëm”. Jeta jonë, pra, vijoi Papa, është shtegtim.
Kur ndalemi, diçka nuk shkon. Duhet të ecim gjithnjë në praninë e Zotit, në dritën
e Zotit, duke kërkuar të jetojmë atë paqortueshmëri, që Zoti ia kërkoi Abrahamit,
në premtimin, që i bëri. Më pas vijoi: “Të ndërtojmë. Ta ndërtojmë Kishën. Flitet
për gurë. E gurët janë të fortë; gurët e gjallë, gurët e vajuar nga Shpirti Shenjt.
Ta ndërtojmë Kishën, Vashën e Krishtit, mbi atë gurë themeli, që është vetë Zoti”.
Pika
e tretë: dëshmimi. Ne mund të ecim sa të duam, mund të ndërtojmë shumë gjëra, por
nëse nuk e dëshmojmë Jezu Krishtin, kjo nuk shkon. Bëhemi një organizatë jo qeveritare,
filantropike, por jo Kisha, Vasha e Krishtit. Kur nuk ecën, ndalesh. Kur nuk ndërton
mbi gurë, ç’ndodh? Ndodh ajo, që u ndodh fëmijëve në plazh, kur bëjnë kështjella prej
rëre. Gjithçka rrënohet pa vështirësi. Papa citoi, më pas, një frazë të Leon Bloy,
që bën fjalë për ata, të cilët nuk e dëshmojnë Jezu Krishtin: “Kush nuk i lutet Zotit,
i lutet djallit”, sepse kur nuk dëshmohet Krishti, shpjegoi, dëshmohen dredhitë tokësore
të djallit, dredhitë e Demonit”. “Të ecësh, të ndërtosh, të dëshmosh!”. Por kjo
nuk është aq e lehtë, sepse kur ecën, ndërton, dëshmon, nganjëherë ka edhe trandje,
lëvizje që nuk janë ato të ecjes, lëvizje që të çojnë mbrapa. Fragmenti ungjillor,
i propozuar nga liturgjia, nënvizoi, vijon me një situatë të veçantë: “Vetë Pjetri,
që e dëshmon Krishtin, i thotë: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë. Unë do të
të ndjek, veç mos na fol për kryqin. Nuk dua ta dëgjoj! Të ndjek, por pa kryqin! Kur
ecim pa Kryqin, kur ndërtojmë pa Kryqin e kur dëshmojmë një Krisht pa Kryq, vërejti,
nuk jemi dishepujt e Zotit: jemi të botës, jemi ipeshkvij, priftërinj, kardinaj, papë,
por jo dishepuj të Zotit. Dëshiroj që në këto ditë hiri, tha më pas Françesku,
të marrim guximin, pikërisht guximin, të ecim në praninë e Zotit, me Kryqin e Zotit;
ta ndërtojmë Kishën mbi gjakun e Zotit, që u derdh përmbi Kryq; e të dëshmojmë të
vetmen lumni: Krishtin e Kryqëzuar. E kështu Kisha do të ecë përpara. Uroj, tha
në përfundim, që Shpirti Shenjt, lutja e Zojës, Nënës sonë, të na e nxjerrë të gjithëve
këtë hir: të ecim, të ndërtojmë, të dëshmojmë Jezu Krishtin e Kryqëzuar. E ashtu qoftë”.Një
lutje e posaçme iu lartua Zotit, që Benedikti XVI t’i shërbejë Kishës edhe i fshehur
bote, me një jetë kushtuar lutjes e meditimit.