2013-03-14 14:39:58

Institucionet evropiane shtrëngohen rreth Papës Françesku


Të shumta, reagimet edhe nga ana e institucioneve dhe liderëve të Bashkmit Evropian. Urime e inkurajime.
“Papni të gjatë!”; “Guxim e forcë!”- urimi i parë arrin nga Brukseli. Është urimi i kryetarëve të Komisionit e Këshillit evropian, Barroso e Rompuy e, më pas, i gjithë liderëve të tjerë, të cilët urojnë që Papa Bergoglio t’i japë një shtytje të re vlerave themelore të njeriut, në një botë, që rrezikohet të shtypet nën barrën e materializmit e të pabarazisë.

Reagimet kryesore të kancelarive evropiane
Nga Gjermania, atdhe i Benediktit XVI, vijnë mesazhe urimi. Miliona besimtarë nga mbarë bota, tha Angela Merkel, e pritën me padurim këtë çast, shumë të rëndësishëm edhe për gjithë njerëzimin, që e shikon Papën si prijës, jo vetëm për çështjet e fesë, por edhe për ato të paqes, të drejtësisë e të mbrojtjes së krijimit.

Kryeipeshkvi Zollitsh, kryetar i Konferencës ipeshkvnore gjermane, u shprehu kardinajve mirënjohjen për zgjedhjen e Papës Françesku, që e njeh mirë Gjermaninë.

Edhe presidenti francez Hollande i dërgoi një mesazh urimi Papës Françesku: “Franca, shkruan, besnike ndaj historisë e parimeve të saj universale të lirisë, barazisë e vëllazërimit, do ta vijojë, plot besim, dialogun që ka pasur gjithnjë me Selinë e Shenjtë.

“Emërimi i Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku, i 266-ti ipeshkëv i Romës, shënon një ditë të rëndësishme për 1.2 miliardë katolikët e botës” shkruan kryeministri britanik David Cameron në një mesazh Twitter, përmes të cilit i bën urimet më të mira Papës së ri. Një mesazh pak a shumë i tillë, edhe ai i kryeministrit spanjoll Rajoy.







All the contents on this site are copyrighted ©.