2013-03-14 12:20:27

Atë Lombardi: Papa Françesku, shërbëtor i Kishës, me thjeshtësi e universalitet


“Një Papë, që dëshiron të shërbejë: kështu u shpreh zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, para gazetarëve të gjithë botës, mbledhur në Qendrën e Mediave në Vatikan, menjëherë pas zgjedhjes së Papës së 266-të në historinë e Kishës Katolike. Jorge Mario Bergoglio, Papa Françesku, do të kremtojë meshën e fillimit të papnisë, të martën, më 19 mars. Që sot, Papa shkoi të gjunjëzohet para Elterit të Zojës në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe dhe pasdite, do të kremtojë meshën me të gjithë kardinajtë, që mund të shihet drejtpërdrejt në televizion. Atë Lombardi konfirmoi mbrëmë se Papa Françesku ka folur në telefon me Benediktin XVI.
Vota e kardinajve, të shndritur nga Shpirti i Shenjtë, sqaroi zëdhënësi i Vatikanit, ra mbi një Pasardhës të Shën Pjetrit jashtë logjikës së pushtetit, duke i dhënë përparësi shërbimit:
“Është absolutisht një zgjedhje, që e refuzon pushtetin e bëhet pastërtisht shërbim. Kjo më duket se është përgjigjja më e mirë ndaj mënyrës si e panë, menduan dhe e paraqitën disa, situatën e Kishës gjatë muajve të kaluar”.
Atë Lombardi sqaroi më pas, takimet e ardhshme të Papa Françeskut. Sot pasdite, në orën 17.00, në Kapelën Sikstine, do të kremtojë meshën me kardinajtë, e cila do të transmetohet në televizion. Nesër, në orën 11, në Sallën Klementine në Vatikan, do të presë në audiencë kardinajtë, me të drejtë vote e jo. Gazetarët shpërthyen në duartrokitje, kur atë Lombardi paralajmëroi se të shtunën, 16 mars, Papa do t’i presë në Sallën Pali VI, siç patën bërë edhe Benedikti XVI e Gjon Pali II para tij:
“Papa na pret në audiencë, të gjithëve ne e të gjithë ata, që janë në qendrën e shtypit, pra, të gjithë veprimtarët e mediave, të ardhur për këtë rast”.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit konfirmoi se të dielën, Papa do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga dritarja e apartamentit papnor. Më pas, siç tha vetë “i shokuar nga zgjedhja”, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, të cilët deshën të informoheshin mbi përshpirtërinë e një Pape jezuit, që mori emrin Françesk:
“Sigurisht, nuk kemi pasur kurrë një Papë jezuit. Jezuitët përpiqen të jenë shërbëtorë të Kishës, por ai pranoi, duke menduar se ishte detyrë e tij t’i shërbente Kishës me thjeshtësi të madhe, siç e pamë, dhe me frymë universaliteti. Shën Injaci na formon pikërisht për të pasur një horizont të gjerë mbi botën e për t’ua çuar bashkohasve këtë shërbim feje e drejtësie, si dhuratën më të madhe që mund t’u bëjmë”.
E pastaj, për emrin “Françesk”, shtoi:
“Më vjen shumë mirë që zgjodhi emrin Françesk, dëshmitar i madh i Ungjillit; pra, ndjehet përshpirtëria e rregulltarit, që dëshiron t’i jetojë vlerat e Ungjillit, e që i bën pjesëmarrës edhe të tjerët, krejt natyrshëm. I jap shumë rëndësi zgjedhjes së emrit “Françesk”… Nuk zgjodhi emrin “Injac”, por “Françesk”. Do të thotë se ne jemi këtu për t’i shërbyer Kishës, duke përfshirë të gjitha dhuratat, karizmat, që Zoti na jep për të ndërtuar Kishën e për të kumtuar Ungjillin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.