2013-03-13 16:38:14

“Habemus Papam”: historia e formulës së famshme për shpalljen e Papës së ri


“Habemus Papam”: pas formulës, që i shpall botës mbarë kush është Pasardhësi i ri i Shën Pjetrit, histori dhe emocione. “Ju kumtoj një lajm të gëzueshëm: e kemi Papën”: që prej gjashtë shekujsh, kështu lajmërohet zgjedhja e Vikarit të Krishtit:
“Annuntio vobis gaudium magnum: habemus Papam!..."
Ky që dëgjuat është zëri i kardinalit Kaça Dominioni, që nga Llozha qendrore e Bazilikës vatikanase shpallte i pari, më 2 mars 1939, emrin e Papës së ri Piu XII, Eugjenio Paçeli, i zgjedhur në Konklavin më të shkurtër të epokës moderne, vetëm tri votime në dy ditë.
Përdorimi i kësaj formule – që i referohet lajmit për lindjen e Mesisë, dhënë nga engjëjt, barinjve, në Ungjillin sipas Lukës – na çon në vitin 1417, kur në Koncilin e Kostancës, u zgjodh Martini V, nga familja Kolona, pas tri papëve, dy të hedhur poshtë nga vetë Koncili e një tjetër, që u tërhoq vetë. Prandaj “Habemus Papam”, sipas disa interpretimeve, mund të ketë kuptimin “më në fund kemi vetëm një Papë”.
Shpallja e Papës është emocion i madh për të gjithë kardinajtë protodiakonë, të cilët e kanë për detyrë t’i tregojnë botës kush është Pasradhësi i ri i Shën Pjetrit. Kujtojmë se Benedikti XVI u shpall nga kardinali Medina Estévez, më 19 prill 2005:
“...habemus Papam...”
Në këtë Konklav, do të jetë prelati francez Zhan-Lui Toran ai, që do të na lajmërojë kush do të jetë Papa i 266-të në historinë e Kishës Katolike. Natyrisht, pasi i zgjedhuri të ketë pranuar misionin e të ketë caktuar edhe emrin, me të cilin do të quhet. Vetëm atëherë tymi i oxhakut mbi Kapelën Sikstine do të bëhet i bardhë, ndërsa Papa i ri do të veshë petkat papnore në Sakrestinë e Kapelës, që njihet si “dhoma e lotëve”, për shkak të lotëve të mallëngjimit e të përgjegjësisë, derdhur nga papët para se të ulen në fronin e Pjetrit. Pas lutjes së Vikarit të ri të Krishtit e nderimeve të prelatëve, Konklavi përfundon me notat e “Te deum”-it, falenderimit drejtuar Zotit për Atin e Shenjtë. Pastaj, shpallja nga Lozha e Bekimeve në Shën Pjetër dhe dukja e parë publike e Papës së ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.