2013-03-13 15:58:18

Një Kishë, që flet gjuhët e gjithë popujve


Pesë kontinente e fytyra të ndryshme të krishterimit. Është një tabllo vërtet shumëngjyrëshe ajo, që mund të përshkruajë katolicizmin e sotëm, anembanë planetit. Që nga Evropa plakë, ku feja ka nevojë të rizgjohet, ashtu si në SHBA-të e në Kanada, në realitete si ai aziatik e afrikan, ku bashkësitë katolike shpesh, japin dëshminë e martirizimit e të persekutimit fetar.

EVROPA. Përparësi, ungjillëzimi i ri
Evropa është tashmë kontinent shumëetnik e shumëfetar. Së bashku me 555 milion të krishterët (ndër të cilët 269 milion katolikë, 170 milion ortodoksë, 80 milion protestantë dhe 30 milion anglikanë), në Evropë jetojnë edhe 32 milion myslimanë, 3,4 milion hebrenj, 1,6 milion hinduistë, 1,5 milion budistë dhe 500 mijë sikhë. Përgjigjja e Kishës përballë një kuadri kulturor, ku mbizotëron relativizmi, e vë theksin në ungjillëzimin e ri, filluar nga i Lumi Gjon Pali II e vazhduar më me hov nga Benedikti XVI, me Vitin e Fesë.

Kontinenti i mbrujtur me vlerat e krishtera, i ka humbur ato pika referimi dhe është kthyer në tokë misioni. Prandaj, në planin shoqëror, Kisha duhet t’i japë sërish kuptim fesë, duke iu përgjigjur indiferencës në rritje për besimet fetare, ndërsa në planin e brendshëm, ndjehet nevoja për të rigjetur besueshmërinë dhe transparencën, sidomos në vendet (Irlanda, Belgjika, Hollanda, pjesërisht Gjermania dhe Anglia) e tronditura nga ngjarjet e abuzimeve me të miturit.

Në këtë situatë, që ndryshon nga vendi në vend, gjatë viteve të fundit, është rritur roli i një organizmi koordinues e këshillimor të ipeshkvijve, si Këshilli i Konferencave Episkopale, që përbëhet nga kryetarët e ipeshkvijve të 34 vendeve. Ky organizëm po e bën gjithnjë e më të frytshëm dialogun dhe konfrontimin në Evropë, por shërben edhe si ndërmjetësues me konferencat ipeshkvnore të Afrikës e të Lindjes së Mesme.

Gjatë 15 vjetëve të fundit, në Evropë ka ndryshuar rrënjësisht atmosfera e përgjithshme e marrëdhënieve ekumenike. Pavarësisht nga akuzat e “prozelitizmit”, që i bëhen Kishës Katolike, për shkak të veprimtarisë së saj në Lindje, sidomos në Rusi, dialogu është gjithnjë e më i frytshëm, siç pohon kardinali zviceran Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, dikasteri vatikanas për marrëdhëniet ekumenike.

Përsa i përket bashkëpunimit, hapi më i rëndësishëm është pohimi se ekumenizmi nuk duhet të kufizohet në dialogun ndërmjet krerëve, por duhet të zhvillohet në nivelin e bazës, të famullive, të bashkësive, të lëvizjeve kishtare e të dioqezave. Duhet promovuar njohja më e mirë e njëri-tjetrit, ndërsa krerët thellohen në temat e bashkëpunimit ndërmjet Kishave: mbrojtja e ambientit dhe rregullat e një zhvillimi, që respekton gjithësinë, si edhe sfida e përbashkët e indiferencës fetare. Siç vëren sociologu i feve Jean-Louis Schlegel, “gjithçka e mirë në Evropë është e krishterë, por Evropa nuk e di më. Prej këndej, katastrofat, që kanë ndodhur tashmë e, rreziku i pasojave të rënda për të ardhmen”.

AFRIKA. Kontinent në zhvillim të vrullshëm
Shtimi i popullsisë katolike në Afrikë ka karakter eksponencial: nga 1,9 milion në vitin 1900, në 130 milion, në vitin 2000. Përsa u përket shifrave, kemi përhapjen më të shpejtë në një kontinent të vetëm, në gjithë historinë e Kishës. 37% e katolikëve janë të rritur, shifër kjo, që tregon suksesin e ungjillëzimit. Me mëse 600 ipeshkvij, gati 30 mijë meshtarë e po aq seminaristë, Kisha në kontinentin afrikan rritet e përhapet më shumë se në Evropë.

Por Afrika është edhe kontinenti me përhapje të gjerë të islamizmit, i cili ndiqet nga 414 milion besimtarë. Në veri, bota katolike bashkëjeton me atë islamike, e cila paraqitet herë tolerante e herë jo. Islami egjiptian është më i butë, ndërsa në Sudan mbretëron ligji i Sharisë. Në vende të tjera, prania katolike tolerohet.

Të shumta, sfidat shoqërore: varfëria e madhe, përhapja e sëmundjeve endemike si Sida, korrupsioni, nënzhvillimi, borxhi i jashtëm, mungesa e strukturave shëndetësore dhe edukative. Laurenti Magesa, teolog tanzanian, shkruan se është e nevojshme të respektohen kulturat e Afrikës, traditat e saj, botëkuptimi dhe jeta e kësaj toke. Perëndimi i globalizuar dhe i mbrujtur me kulturë materialiste gjendet përballë sfidës, që i vendos përpara kjo alternativë e mundshme, edhe nga pikpamja shpirtërore.

Që tani, ipeshkvijtë afrikanë, evropianë dhe amerikanoveriorë po punojnë së bashku në fusha si zhvillimi, zvogëlimi i borxhit, shkëmbimi i misionarëve dhe meshtarëve, meqë shumë prej rregulltarëve afrikanë formohen në universitetet perëndimore. Dy Sinodet, që Kisha Katolike i ka kushtuar Afrikës, vitet e fundit, kanë nxjerrë në pah udhët që duhet të ndjekë krishterimi: në planin e brendshëm, Kisha duhet të punojë për një jetë më koherente me Ungjillin, duke përballuar me guxim problemet e trashëgimisë tribale; në planin e jashtëm, duhet të kërkojë shndërrimin e strukturave dhe të politikave, që të synohet “e mira e përbashkët”, të çrrënjoset varfëria, korrupsioni dhe shfrytëzimi i njeriut.

AZIA DHE OQEANIA. Dialektika ndërmjet modernitetit dhe traditës
Lindja e Mesme, Azia Juglindore, universi kinez. Janë tri, zonat e mëdha, në të cilat mund ta ndajmë kontinentin aziatik, secila me sfida të veçanta për Kishën. Në Lindjen e Mesme, gjendja e ndërlikuar gjeopolitike nuk e ka penguar Kishën të jetë e pranishme, pavarësisht nga konfliktet, mënjanimi shoqëror dhe emigracioni i vazhdueshëm i besimtarëve të vet, sidomos në Irak, Siri e Palestinë. Fluksi i emigrantëve drejt Libanit e Perëndimit ka pasoja të rënda mbi Kishat lokale, që kështu, varfërohen dhe humbin peshën shoqërore, nën sulmin e radikalizmit islamik.

Sfida më e rëndësishme, siç kuptohet qartë, është dialogu ndërfetar, sidomos në atë pjesë të kontinentit, ku bashkëjetojnë fetë më të lashta të botës, ku ka lindur krishterimi, por ku sot, katolikët janë një pakicë e vogël. Sipas statistikave, në Azi jetojnë 4 miliard vetë, prej të cilëve 100 milion katolikë, pra, 2,9% e popullsisë. Shumica e katolikëve përqendrohet në Filipine e nëse i heqim nga lista, përqindja e katolikëve në Azi zbret në 1%.

Problemi i dialogut dhe i marrëdhënieve me fetë e tjera ndjehet shumë nga Kisha vendase, pasi edhe vetë katolikët aziatikë janë larguar nga feja e tyre, duke u bashkuar me sekte, ose lëvizje të tjera protestante. Sipas teologut Efren Rivera, pedagog në Universitetin Papnor të Shën Tomës në Manila, kalimi në pentekostalizmin protestant lind nga dëshira për “një përvojë të vërtetë të Zotit”, që lidhet me ritet e kulturës popullore vendase e që feja katolike, misionarët e shekujve të kaluar, i kanë nënvleftësuar e konsideruar thjesht bestytni.

Në universin kinez, Kisha sfidohet nga politika qeveritare, e cila përpiqet, pa ia arritur qëllimit, ta gllabërojë edhe krishterimin në makinën e vet shtetërore, ta bëjë pjesë të sistemit. Katolikët jetojnë si në katakombe. Në vende të tjera, si Vietnami, vërehen hapa përpara në marrëdhëniet ndërmjet shtetit e Kishës, pavarësisht nga problemet. Bëjnë përjashtim Filipinet, vend ku katolikët janë shumica e popullsisë, por duhet të luftojnë me probleme shoqërore si korrupsioni, mosrespektimi i ligjit, apo varfëria.

Oqeania, kontinenti “mbi ujë”, siç e quan dokumenti i vitit 2001, ku përmblidhen rezultatet e Sinodit të Ipeshkvijve, përbëhet nga realitete të ndryshme. Nga njëra anë Australia e Zelanda e Re, dy vende moderne e të zhvilluara, nga ana tjetër, shtetet e vogla të Mikronezisë. Gjithsesi, kanë disa probleme të përbashkëta si: afirmimi shoqëror i indigjenëve, temat e ekologjisë dhe kërkimi i një mënyre qeverisjeje që të bashkojë të renë me traditën.

Në dokumentin sinodal, Kisha Katolike e konsideron zhvillimin e promovimin shoqëror si pjesë përbërëse e misionit të saj ungjillëzues e shpresëdhënës. Impenjimi i saj shihet në kontributin që jep për zhvillimin njerëzor, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për mbrojtjen e jetës dhe të dinjitetit të saj, për drejtësinë shoqërore e mbrojtjen e ambientit. Kisha është e vendosur në luftën kundër padrejtësive, korrupsionit, cënimit të jetës e formave të reja të varfërisë.

AMERIKA E VERIUT. Sfida e fesë në sferën publike
Kisha Katolike në SHBA-të numëron 67 milion të pagëzuar, gjithnjë në rritje. Në 50 shtetet amerikane banon 6% e popullsisë katolike globale prej 1,1 miliard besimtarësh, në vendin e katërt pas Brazilit (160 milion katolikë), Meksikës (126 milion) dhe Filipineve (70 milion). Por SHBA-të kanë edhe 12% të gjithë ipeshkvijve dhe 14% të gjithë meshtarëve të botës. E këtyre shifrave u duhet shtuar 30% e gjithë besimtarëve “latinos”, pra, të emigrantëve të jugut të kontinentit, të cilët po ia ndryshojnë faqen Kishës amerikane.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, në plan të parë, kanë qenë abuzimet e disa anëtarëve të klerit me të miturit (raste të viteve ‘70-’80), por është gabim të mendohet se Kisha në SHBA-të është në gjendje të vështirë. Edhe pse në disa raste e vonuar, përgjigjja e ipeshkvijve ndaj këtij problemi të rëndë qe e vendosur. Tashmë zbatohen masa parandaluese dhe verifikimi të vazhdueshëm. Problemet kishtare më urgjente, në ditët e sotme, kanë të bëjnë me praninë publike të Kishës, para prirjes për t’ia mbyllur gojën, për ta kufizuar në famullitë, shoqatat e familjet e saj.
Debati për lirinë e ndërgjegjes, i cili u ashpërsua kur Shtëpia e Bardhë deshi t’i impononte Kishës reformën e shëndetësisë e të ligjëronte martesën ndërmjet personave me të njëjtin seks, bashkon SHBA-të dhe Kanadanë.

Në vendin e liqeneve, siç është Kanadaja, ka më tepër ligje, që mbrojnë ato kultura, të cilat mund t’i krijojnë vështirësi botës katolike, për shembull, kur është fjala për edukimin shkollor me vlera të krishtera. Një sfidë tjetër ka të bëjë me ristrukturimin e dioqezave. Numri i katolikëve rritet, por meshtarët nuk janë të mjaftueshëm. Rast-pilot në këtë fushë është dioqeza e Bostonit.
Ndërkaq, përsa u përket kongregatave fetare, ipeshkvijtë kanë kritikuar tezat e disa teologeve dhe impenjimin shoqëror të Konferencës së rregulltareve, që gjykohet jo në përkim me magjisterin e Kishës.

AMERIKA E JUGUT. Hyrja e sekteve në tokën e martirëve
Gjysma e katolikëve të botës ndodhen në Amërikën Qendrore dhe Jugore. Brazili, Meksika dhe Argjentina janë vendet me numrin më të madh të katolikëve në të gjithë planetin, madje Brazili mban vendin e parë me 160 milion besimtarë. E megjithatë, në Amerikën Latine janë dyndur sektet me natyrë protestante, që bëjnë propagandë shumë të fuqishme.

Prandaj, kontrasteve shoqërore të këtij kontinenti i shtohen edhe ato fetare. Lufta për drejtësi shoqërore, solidaritet, për respektimin e të drejtave të njeriut i ka dhënë Kishës Katolike shumë martirë: nga kryeipeshkvi Oskar Romero në Salvador dhe jezuitët e Universitetit Qendroamerikan tek ipeshkvi Huan Gerardi i Qytetit të Guatemalës, nga ipeshkvi Enrike Angjeleli tek tre rregulltare amerikane, që u vranë në Salvador për impenjimin e tyre e, tek motër Doroti Stang në Brazil, në vitin 2005.

Në nivelin teologjik, kontinenti latinoamerikan zien nga e ashtuquajtura “teologjia indios”, e cila e ndërthur krishterimin me realitetin kulturor të popullsive indigjene. Sfida e vërtetë në këtë gjithësi latinoamerikane ka të bëjë me sektet, të cilat paraqesin një përshpirtëri shumë larg historisë dhe mishërimit të Hyjit. Jo më kot, duke filluar nga Konferenca e përgjithshme e episkopatit në Aparesidë, në maj 2007, Kisha po punon me “misionin e saj kontinental” për ta kthyer fenë në qendër të jetës kishtare. Pentekostalët protestantë të kishave, të ashtuquajtura “ungjillore”, të lindura në SHBA-të nga luteranizmi historik, në vitin 1940, ishin vetëm një milion në të gjithë Amerikën Latine. Sot, janë 50 milion, gjysma e të cilëve në Brazil. Prania e tyre nxit si Kishat protestante, ashtu edhe Kishën Katolike të bëjnë hapa përpara në dialogun ekumenik e të marrin pjesë aktive në debatin për modelin politik, shoqëror e ekonomik, që do të ndjekë Amerika Latine në të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.