2013-03-13 20:35:22

Biografia e Papës së ri Françesku, Jorge Mario Bergoglio


Papa Françesku, Jorge Mario Bergoglio, jezuit, kryeipeshkëv i Buenos Aires, Ipeshkëv për besimtarët e ritit lindor, që banojnë në Argjentinë, lindi pikërisht në Buenos Ajres, më 17 dhjetor 1936, nga një familje me origjinë piemonteze. Studioi dhe u diplomua si teknik kimik, por më vonë ndjeu thirrjen e Zotit dhe hyri në seminarin e Villa Devoto. Më 11 mars 1958 kaloi në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit, përfundoi studimet humaniste në Kili dhe në vitin 1963, pasi u kthye në Buenos Ajres, mori diplomën universitare në filozofi në Fakultetin e Filologjisë të kolegjit “San José” të San Miguel-it.
Ndërmjet viteve 1964 e 1965 ka qenë profesor letërsie dhe psikologjie në kolegjin e Zojës së Papërlyer në Santa Fe. Në vitin 1996 dha mësimin e po këtyre lëndëve në Kolegjin e Shëlbuesit në Buenos Ajres. Nga viti 1967 deri në vitin 1970 studioi teologji në Fakultetin e Teologjisë të kolegjit “San José”, ku mori edhe diplomën universitare në këtë disiplinë. Më 13 dhjetor 1969 u shugurua meshtar. Në vitet 1970-71 përfundoi probandatin e tretë në Alcalà de Henares të Spanjës e më 22 prill 1973 mori kushtet përfundimtare.
Ka qenë mësues novicësh në Villa Barilari të San Miguel-it, profesor në Fakultetin e Teologjisë, Këshilltar i Provincës së jezuitëve dhe Rektor i kolegjit. Më 31 korrik 1973 u zgjodh provincial i Argjentinës, detyrë që e ushtroi për gjashtë vjet. Ndërmjet viteve 1980 dhe 1986 ka qenë rektor i kolegjit dhe i Fakultetit të Filozofisë e të Teologjisë dhe famullitar në kishën e Patrikut shën Jozef, në dioqezën e San Miguel-it. Në mars 1986 shkoi në Gjermani për të përfunduar tezën e doktoraturës. Më pas, eprorët e dërguan në kolegjin e Shëlbuesit, nga ku, kaloi në kishën e Shoqërisë së Jezusit në qytetin e Kordovës, ku kreu detyrën e drejtuesit shpirtëror e të rrëfyesit.
Më 20 maj 1992, i Lumi Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv titullar të Aukës dhe ndihmës të Buenos Ajres. Më 27 qershor të po atij viti u shugurua ipeshkëv .
Më 3 qershor 1997 u emërua Kryeipeshkëv Ndihmës i Buenos Ajres e, më 28 shkurt 1998, kryeipeshkëv i Buenos Ajres, duke zënë vendin e kardinalit Quarracino, që kishte ndërruar jetë.
U bë, kështu, Primat i Argjentinës.
Nga 6 Nëntori i të njëjtit vit, ishte edhe ipeshkëv për besimtarët e Ritit Lindor në Argjentinë, që nuk kanë ipeshkëv të ritit të tyre.
U krijua kardinal nga Gjon Pali II në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, me titullin e Shën Robert Belarminit.
Si kardinal, qe bashkërelator i Përgjithshëm në Asamblenë e Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve (tetor 2001) .
Mori pjesë në Konklavin e 18-19 prillit 2005.
Mori pjesë dhe është anëtar i Këshillit Sinodal të Asamblesë XI të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, nga 2 deri më 23 tetor 2005.

Është anëtar i:
Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve.Kongregatës për Klerin
Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike.
Këshillit Papnor për Familjen
Komisionit Papnor për Amerikën Latine
Këshillit Pas-Sinodal.

Në Kishën e Argjentinës është:
Kancelar i Madh i Universitetit Katolik të Argjentinës
Kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për Universitetin Katolik të Argjentinës.
Moderator i Gjykatës Kishtare Kombëtare të shkallës së dytë
Moderator i Gjykatës Ndërdioqezane të Buenos Aires
Nga nëntori i vitit 2005, në nëntorin e vitit 2011, ka qenë kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Argjentinës

Është autor i librave:
1982: Meditime për rregulltarët
1986: Reflektime për jetën apostolike
1992: Reflektime shprese
1998: Dialogu ndërmjet Gjon Palit II e Fidel Kastros
2003: Të edukosh: kërkesë e pasion
2004: Të punosh për atdheun në heshtje
2006: Korrupsioni e mëkati
2006: Detyra e pushtetit është shërbimi.
Që sot, është Papa i 266-të i Kishës Katolike Romake, me emrin Papa Françesku.







All the contents on this site are copyrighted ©.