2013-03-13 15:05:25

Atë Spadaro: një oxhak i thjeshtë, simbol i pritjes së Kishës dhe të botës mbarë


Në epokën e internetit, e gjithë bota, me hundën përpjetë, për të parë një oxhak të thjeshtë. Që mbrëmë, ky është imazhi mbizotërues në mediat ndërkombëtare, që ia kanë ngulur sytë, pa ia ndarë për asnjë çast, atij tubi të shkurtër mbi Kapelën Sikstine. Ai oxhak i vogël bëhet kështu simbol i shpresës së besimtarëve të gjithë botës, ndërsa presin tymin e bardhë. Bashkë me ta, edhe populli i internetit, që publikon menjëherë fotografitë e komentet në rrjetet shoqërore si Facebook e Twitter. Folëm për këtë me drejtorin e revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro:
Është absolutisht e çuditshme e shumë e vërejnë këtë në rrjet, se ambienti dixhital, pra interneti, na jep mundësinë ta shohim oxhakun nga çdo vend i botës, mjafton të kemi me vete një celular. Është një mënyrë për të qenë të pranishëm në ngjarje, ashtu si kurrë ndonjëherë. Më parë kemi pasur televizorin, por kjo nënkupton të qëndrosh para tij për t’u sintonizuar me ndodhitë e ndryshme. Ndërsa sot, na lajmërojnë, nëse ndodh gjë. Kjo do të thotë se rrjeti është vendi ku realizohen dëshira të lashta, pasi përsërit forma komunikimi, që njeriu ka përdorur gjithmonë. Marshall McLuhan, në vitin 1973, pra shumë kohë më parë, duke folur për Magjisterin e Kishës në epokën elektronike, paralajmëronte se kushtet e ushtrimit të tij në shekullin XX kanë analogji të fuqishme me dhjetëvjeçarin e parë të Kishës. Marrëdhëniet e drejtpërdrejta ndërmjet të krishterëve të atëhershëm jetohen sot në një botë, në të cilën informacioni përhapet me shpejtësinë e dritës. Popullsia e botës e të gjithë të krishterët bashkëjetojnë në një hapësirë e kohë jashtëzakonisht të vogël.
Të shohësh oxhakun në një tablet kthehet kështu në metaforë, një sintezë ndërmjet risisë e traditës, që ka qenë gjithnjë karakteristikë e Kishës…
Risia e vërtetë i ka rrënjët e lashta e bazohet mbi traditën. Tradita nuk duhet ngatërruar me mbylljen në vetvete. Tradita tregon nevojat, dëshirat e përhershme të njeriut. Prandaj, në këtë rast, kemi tensionin e pritjes, që ngarkohet me shpresa të mëdha. Në fund të fundit, Papa është një figurë me vlerë për krejt njerëzimin, sepse në çastin që zgjidhet, i duhet të përballojë sfidat e së tashmes, por edhe të së ardhmes për të gjithë.
Pritja e këtyre ditëve ka diçka të jashtëzakonshme. Në Romë nuk dëgjohet për tjetër, edhe nëpër rrugë, ose në autobuz…
Duket sikur ky oxhak i vogël tradicional nuk është para syve, por para zemrave tona, sepse ai tym shpreh, me një simbolikë të fuqishme, dëshirat më të thella të njerëzve, të cilët e ndjekin ndërsa ngjitet lart e shpresojnë të jetë i bardhë.
Kjo ndoshta i përgjigjet edhe kujt do të dëshironte një mesazh në celular, që ta lajmëronte për zgjedhjen e Papës…
Përsëritja e këtij lajmi përmes mjeteve elektronike, nuk mund të mos e ketë zanafillën në atë element fizik, që është tymi i oxhakut. Pa të, do të humbte vlera, simbolizmi i gjestit. Pra, ambienti dixhital, ose ai mediatik, e përsërit, e sjell ngjarjen brenda shtëpive, por vetë ngjarja është fizike, duhet të ndodhë më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.