Më 12 mars kalendari kujton shën Maksimilianin e Tebesës, martir. Nga
rrëfimi “Mbi martirizimin e Shën Maksimilianit”, mësojmë se Shenjti pësoi mundimet
më 12 mars të vitit 295 nën konsullatën e Tuskos e të Anulinos, në Tebesë, pranë Kartagjenës.
Ishte bir i veteranit Fabio Viktori e, sipas ligjeve të kohës, duhet të ndiqte
karrierën e të atit. Por djaloshi i krishterë nuk e pranoi këtë rrugë, ndonëse ishte
plotësisht i aftë për shërbimin ushtarak. U detyrua të shkonte në For e të paraqitej
para prokonsullit Dioni, i cili e pyeti për arsyet e mospranimit të karrierës së lavdishme
që e priste. U përgjigj me vendosmëri: “Nuk më lejohet të bëj shërbim ushtarak, sepse
jam i krishterë”. E kjo, për dy arsye. Së pari, sepse hyrja në shërbimin ushtarak
paraprihej nga një akt kulti kushtuar idhujve; së dyti, sepse kërkonte kryerjen e
akteve të dhunës.
U bë kështu i pari i krishterë që nuk pranoi të shërbente
nën armën që vret, për arsye ndërgjegjeje, në emër të Krishtit. Kështu, duke dëgjuar
zërin e ndërgjegjes, ai që refuzoi të përdorte armën, vdiq nga arma. Ishte vetëm 21
vjeç. Para se të martirizohej, ia fali një ushtari romak uniformën e re, që i ati
ia kishte përgatitur për shërbimin ushtarak. Trupi i tij i martirizuar u mbart nga
një matronë romake e u varros pranë varrit të Shën Çiprijanit.