2013-03-12 14:52:21

Gjeografia e Konklavit: Kisha e hapur për mbarë popujt!


Hartë gjeografike e Kishës së përhapur nëpër Botë: kështu paraqitet Konklavi, që filloi sot. Të shumta e të ndryshme, vendet e origjinës së kardinajve, parë edhe përmes shifrash e të dhënash statistikore.
Evropa është kontinenti më i përfaqësuar në Konklav: nga 115 kardinaj zgjedhës, që hynë në Kapelën Sikstine, 60 janë nga vendet evropiane. Vijnë, pastaj, Amerikat, me 33 kardinaj; Afrika, me 11; Azia, me 10; Oqeania, me 1. Vendi, që ka më shumë përfaqësues, është Italia, me 28 kardinaj; pasojnë SHBA, me 11; Gjermania, me 6; Brazili, Spanja e India përfaqësohen në Konklav me të njëjtin numër kardinajsh: 5. Mbeten jashtë Indonezia e Britania e Madhe, për shkak të dorëheqjes së kardinajve zgjedhës, kardinalit Darmaatmadja dhe O’Brien. Ndërkaq do të jenë të pranishme zona gjeografike, që nuk përfaqësoheshin në Konklavin e vitit 2005, si për shembull, Hong Kongu, Egjipti, ose Kenia.
Sipas statistikave, numri i kardinajve që kanë punuar e punojnë në Kurien Romake, ose në zyrat e tjera të Romës, është 40, ndërsa numri i kardinajve zgjedhës, krijuar nga Benedikti XVI, 67.
Mosha mesatare e atyre, që do të zgjedhin Papën e ri është rreth 71 vjeç; në Konklav është i pranishëm edhe një kardinal 80 vjeçar, Valter Kasper, që e ka ende të drejtën e votës, sepse vitet i mbushi më 5 mars, pas fillimit të Selisë Vakante. Në se zgjedhja e Papës do të zgjatej, i njëjti rregull do të zbatohej për kardinalin italian, Poletto dhe meksikanin Sandoval Iniguez, që do t’i mbushin të 80-tat më 18 e 20 mars. Më të rinjtë ndër zgjedhës janë kardinali indian Thottunkal, që nuk i ka mbushur ende 54 vjeç dhe kardinali filipinas, Luis Antonio Tagle, 56 vjeç në qershor.
Statistika e zgjedhësve, që u përkasin urdhërave rregulltare flet për 19 kardinaj, të cilëve u duhet shtuar kardinali peruvian Juan Cipriani Thorne, anëtar e Prelaturës personale të Opus Dei-t. Më të shumtit në numër janë salezianët, me 4 kardinaj; vijnë pastaj, françeskanët, me tre e domenikanët, me dy kardinaj. Në Konklav hyri vetëm një jezuit, kardinali argjentinas Bergoglio, ndonëse, sipas statistikës së Universitetit Papnor Gregorian, rezulton se 57 kardinaj, 49% e zgjedhësve, janë ish–nxënës të Institucioneve të drejtuara nga Shoqëria e Jezuitëve në Romë. Ndërmjet tyre, edhe dy pedagogë të vetë Gregorianës: kardinali amerikan Dolan dhe ai gjerman, Kasper. Së fundi, për t’u kujtuar ndarja e Kolegjit Kardinalor në Urdhëra: në Urdhërin e ipeshkvijve bëjnë pjesë 6 kardinaj; 4 në atë të Patrikëve, 153 të presbiterëve e 44 në Urdhërin e diakonëve. Kolegji kardinalor përbëhet gjithsejt (duke përfshirë edhe ata pa të drejtë zgjedhore) nga 207 kardinaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.