2013-03-11 17:45:56

Rrobaqepësit e Papës e kanë tashmë gati gjithçka duhet për dukjen e Papës së ri.


Petkat e Papës së ri tashmë janë gati! Prej disa ditësh ekspozohen, në tre modele e masa të ndryshme, në vitrinat e rrobaqepësisë Gamareli, pranë Panteonit, në Romë. Janë tri veshje prej leshi të bardhë me masë të vogël, të mesme e të madhe, nga që nuk dihet ende ç’shtat do të ketë Papa i ri. Në vitrinë duket edhe një pelerinë e shkurtër prej kadifeje të kuqe, e stolisur anash me peliçe të bardhë, një kësulë, një brez me kordele të praruara, një kordon dhe një palë këpucë prej lëkure të kuqe.
Kështu, pra, nësa në Kapelën Sikstine përgatitet gjithçka, edhe Rrobaqepësia e petkave kishtare “Trashëgimtarët e Hanibal Gamarelit” në Romë, e ngarkuar prej dekadash për të veshur papët, e ka përgatitur gjithçka duhet për zgjedhjen e Papës së ri, që do të duket së shpejti në lozhën qëndrore të Bazilikës së Vatikanit për bekimin e parë Urbi et Orbi- drejtuar Romës e Botës.

E kjo nuk është aspak e lehtë: vështirësia e parë qëndron në përgatitjen e rrobave me masën e trupit të papës së ri.
Përgatiten, prandaj, siç e thamë më lart, tri veshje të plota me tri masa: të vogël, mesatare e të madhe. Çdo komplet përbëhet nga një veladon me pelerinë leshi, një veladon mëndafshi me kapele të kuqe, një brez, një kësulë e këpucët. Këpucët nuk kanë tri masa, por pesë. Janë prej lëkure të kuqe.
Tri komplete veshjesh dorëzohen në Vatikan para se të hapet Konklavi, sepse pas zgjedhjes, në se duhet të ndreqet veladoni, mendojnë murgeshat e Vatikanit.
E njohur, një anekdotë, që tregohet për Papën Gjoni XXIII: kur u zgjodh Papë e deshi të vishte veladonin, pa se ia kishim bërë tepër të ngushtë… Por, në të vërtetë, nuk ka ndodhur tamam kështu. Puna është se ishin përgatitur tre veladonat e zakonshëm, por kur erdhi koha të vishej Papa Gjoni XXIII, nuk u hap kutia e duhur: në vend që t’i jipnin veladonin me masë të madhe, i dhanë të voglin, e u desh pastaj të rregullohej me gjilpëra pjesa e shpinës. Legjenda, që u krijua, vijon. E sipas saj, të nesërmën, rrobaqepësi i Papës, Bonaventura Gamareli, shkoi në Vatikan, hapi kutinë që ishte ende e vulosur, nxori veladonin me masë të madhe e ia dorëzoi triumfalisht Papës së ri, i cili e veshi aty për aty dhe e pa se i rrinte në mënyrë të përsosur.
Duket se kësaj here ishte hapur kutia e duhur, sepse në lozhën qëndrore të Shën Pjetrit, besimtarët panë një Papë, të cilit rrobat e reja i rrinin pikërisht në mënyrë të përsosur.








All the contents on this site are copyrighted ©.