Ipeshkvi shqiptar imzot Frano Gjini, në përvjetorin e pushkatimit nga komunizmi.
Sot më 11 mars përkujtojmë ipeshkvin e jashtëzakonshëm imzot Frano Gjinin, që u pushkatua
më datën 11 mars 1948 nga regjimi komunist. Imzot Frano Gjini ishte ipeshkëv i jashtëzakonshëm,
filozof dhe teolog shqiptar. Ai lindi më 1886 në Shkodër. Mësimet e para dhe të
mesme i kreu në Shkodër ne kolegjin Saverjan te etërve Jezuit ndërsa studimet e larta
për Filozofi dhe Teologji i kreu në Romë, ku u shugurua meshtar. Imzot Gjini shërbeu
si prift në Laç të Kurbinit, Vlorë, Durrës ku edhe u shugurua ipeshkëv ndërsa më 1932
u emërua abat i Mirditës. Gjatë kësaj kohe Imzot Gjini përvetësoi disa gjuhë dhe predikonte
fenë në këtë mjedis në moton "Fe Atdhe". Më 1945 Selia e Shenjtë e emëron zëvendës
Delegat Apostolik në vend të delegatit Apostolik Leone Nigris. Gjatë kësaj kohe ai
mbronte interesat e komunitetit katolik shqiptar në Shqipëri e cila në këtë kohë qeverisej
nga komunistët. Për veprimtarin e tij fetare e atdhetare, imzot Gjini arrestohet
nga regjimi komunist më 18 nëntor 1946 me akuzat: a.) Agjent i Vatikanit dhe i Anglo-Amerikanëve
dhe b.) Bashkëpunëtor me një grup klerikësh Françeskanesh si At Mati Prendueshi, At
Çiprian Nika etj. Që, sipas akuzave të komunistëve, kishin ndërmarrë “futjen e armëve”
në Kishën Françeskane të Shkodrës dhe fshehur me qëllim për të organizuar kryengritje
ndaj regjimit komunist. Imzot Gjini akuzat e ngritura nga regjimi komunist nuk i pranoi
dhe më 11 mars 1948 pas 16 muaj hetuesie pushkatohet.