2013-03-10 09:41:28

Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri do të fillojë të martën, më 12 mars me Meshën “pro eligendo Pontefice”.


Gjatë Kongregacionit të premten pasdite të Kolegjit Kardinalor është vendosur që Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri të fillojë të martën e ardhshme, më 12 mars 2013. Paradite do të kremtohet Mesha “pro eligendo Pontefice”; pasdite, kardinajtë do të hyjnë në Konklav.
Në përfundim të Kongregacionit të nëntë, organizuar dje paradite, atë Federiko Lombardi, që vijon të mbajë çdo ditë takimet, tashmë tradicionale me gazetarët, sqaroi se ky Kongregacion nisi me vendimin e kardinajve për t’u transferuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, të martën paradite, në orën 7.00. Në orën 10.00, pastaj, do të nisë Mesha Pro eligendo Romano Pontefice – Për zgjedhjen e Papës së Romës, që do të kremtohet nga kardinali Anxhelo Sodano. U hodh, gjithashtu, shorti, për dhomat. Atë Lombardi shtoi edhe se të hënën pasdite, rreth orës 17.00, në Kapelën Paoline, në Vatikan, do të bëhet betimi për ruajtjen e sekretit nga ana e njerëzve, që do të jenë me shërbim në Konklav. Betimi do të filmohet nga Qendra Televizive e Vatikanit.
Të martën pasdite, në orën 16.30, do të nisë procesioni i kardinajve nga Kapela Paoline, në atë Sikstine. Pastaj, betimi dhe Extra Omnes.

Kështu pritja mori fund. E me të, edhe Kongregacionet. Sot kardinajtë e kremtuan Meshën Shenjte, secili në kishën romake, ku është titullar.
Të martën, para se të shqiptohet formula tradicionale “Extra Omnes” – “Jashtë të gjithë”, që shënon mbylljen e Kapelës Sikstine dhe fillimin e Konklavit, do të mbahet meditimi i dytë, besuar kardinalit jo zgjedhës maltez, Prosper Grech. Më pas, nëse do të dëshirojnë kardinajtë zgjedhës, mund të fillojë votimi i parë. Rreth orës 19.30 duhet të kthehen për të darkuar.
Në ditët e mëpasme ngrënia e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, parashikohet ndërmjet orës 6.30 e 7.30; në 7.45, zhvendosja në Pallatin Apostolik e, nga ora 8.15 deri në 9.15, bashkëkremtimi i Meshës Shenjte në Kapelën Paoline. Gjatë gjithë zgjatjes së Konklavit, kardinajtë do të vijojnë ta kremtojnë Meshën në Kapelën Paoline. Në orën 9.30 do të hyjnë në Sikstinë, ku do të kryejnë votimin e paradites. Në orën 12.30 do të rikthehen në Shtëpinë e Shën Martës për drekë. Ndërsa në orën 16.00, do të hyjnë përsëri në Kapelën Sikstine.

Përsa i takon së mërkurës paradite dhe ditëve të mundshme të mëpasme, kardinajtë zgjedhës do të bashkëkremtojnë Meshën Shenjte në Kapelën Paoline, para se të hyjnë rishtas në Sikstinë, për të vijuar Konklavin. Parashikohet që votimi i pasdites të fillojë në orën 16.50, ndërsa në orën 19.15, të kremtohen Lutjet mbrëmësore, me të cilat do të përfundojë votimi i ditës. Në orën 19.30, rikthimi në Shën Martë e, në orën 20.00, darka. Ky do të jetë orari i ditëve të Konklavit, duke përfshirë edhe të martën, që është dita e parë.
Përsa i përket tymit, shpjegoi më pas atë Lombardi, do të krijohet duke djegur skedat në përfundim të votimeve. Jo të çdo votimi, por vetëm të votimit të para e pasdites. Prej këndej, vijoi të shpjegonte drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, nëse nuk do të arrihet tek zgjedhja, ose zgjedhja do të bëhet në votimin e dytë të paradites a të mbasdites, oraret normale do të jenë rreth orës 19.00 të mbrëmjes e 12.00 të mesditës. Nëse zgjedhja do të përfundojë në votimin e parë të paradites ose në atë të parë të pasdites, tymi, në këtë rast, i bardhë, do të duket në gjysmën e paradites ose në gjysmën e pasdites.
Atë Lombardi pohoi edhe se data e fillimit të Konklavit u miratua me shumicë votash, shenjë që tregon se nuk ekzistojnë ato përçarje, për të cilat shtypi foli shumë ditët kaluara. Pohoi, pastaj, se në bazë të situatës aktuale ka mundësi të ketë përkime të shpejta për disa nga kandidatët. Theksoi edhe se se zgjatja e Konklavit do të ishte shprehje e bllokimit të situatës. Por, shtoi, nuk kemi arsye të mendojmë se mund të ndodhë një gjë e tillë.
Atë Lombardi pohoi se është anuluar Unaza e Peshkatarit e Benediktit XVI. Unaza e re e Peshkatarit, shtoi, do të jetë e njëjtë me të mëparshmen; do të ndërrojë vetëm emri i Papës, shkruar rreth figurës së Peshkatarit, me barkë e me rrjeta.
Si vërtetoi se në Kapelë do të jenë të pranishëm të 115 kardinajtë zgjedhës, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit foli për temat më të rëndësishme të këtyre ditëve:
“U preka nga disa tema, sidomos nga ajo e dialogut ndërfetar. U fol edhe për temën e kulturës sot, të bioetikës, të drejtësisë në botë; pastaj, për temën e rëndësisë së kumtimit të zellshëm të krishterimit e atë të mëshirës. Edhe temat e kolegjialitetit u kujtuan disa herë; e pastaj, tema e rolit të gruas në Kishë”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve (deri tani në Romë kanë arritur 5000 përfaqësues të mediave) atë Lombardi nënvizoi se për të zgjedhur Papën është e nevojshme të votojnë 2/3 –tat e zgjedhësve : 77, nga 115. Para fillimit të Konklavit, saktësoi më pas atë Lombardi, kardinajtë do të zënë vend në dhomat e Domus Sanctae Marthae, në orarin e shënuar më sipër. Gjatë Konklavit do të kenë mundësi të rrëfehen.
Në takimin e tetë, gazetarët mundën të hyjnë simbolikisht, përmes një filmimi, në apartamentet e Shtëpisë së Shën Martës, ku Papa i ri do të banojë përkohësisht, në pritje të përgatitjes së banesës në Pallatin Apostolik.










All the contents on this site are copyrighted ©.