E diela e dytë e Selisë Vakante, pa Papën e nderit, Benediktin.
Pas dorëheqjes nga misioni papnor dhe fillimi i Selisë Vakante, e sotmja është e diela
e dytë pa kremtimin e Engjëllit të Tënzot. Nga lutja a parë e Mbretëreshës Qiellore,
në maj të vitit 2005, deri tek lutja e fundme e Engjëllit të Tënzot, më 24 shkurtin
e kaluar, për 455 herë me radhë e pritëm Papën Ratcinger të dilte në atë dritare mbi
Sheshin e Shën Pjetrit, që sot e shikojmë të mbyllur, në pritje të dukjes të Papës
së ri. Në vend të Lutjes mariane, pikërisht në orën 12.00, valët e Radios sonë
e kumtuan Orën e Engjëllit, ashtu si javën e kaluar, në gjuhët kryesore të botës,
siç bënte Papa i nderit, kur përshëndeste besimtarët që e ndiqnin në Shesh e në mbarë
botën përmes mjeteve moderne të komunikimit: “Barka
e Kishës nuk është imja, nuk është jona, është e Tija. E Zoti nuk e lë kurrë të fundoset!”. Me
këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI mbarë besimtarëve të botës, në përfundim të papnisë
së tij, më 28 shkurtin e kaluar. Papa Ratcinger na la si kujtim një mendim, që
e kishte fort për zemër: “Ne jemi Kisha, Kisha nuk është organizatë, është
korp i gjallë, bashkim vëllezërish e motrash në Korpin e Jezu Krishtit, që na bashkon
të gjithë”. Me këtë shpirt, duke kujtuar këtë takim kushtuar tradicionalisht
kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, i ftojmë dëgjuesit tanë të bashkohen në
uratë me të gjithë bashkësinë e krishterë universale, për zgjedhjen e Papës së ri.
E, në lutje, dëshirojmë të jemi pranë Benediktit XVI. Me të, të lutemi për kardinajtë,
të cilët të martën e ardhshme do të hyjnë në Konklav. Të lutemi, që t’i shtrohen pa
fjalë veprimit të Shpirtit Shenjt në zgjedhjen e Papës së ri e që Zoti vetë t’u flasë,
për t’u treguar atë që dëshiron. Nuk mund të mos na vijë në mendje, këto çaste,
një pyetje: “Po javën e ardhshme, si do ta kremtojmë Lutjen mariane? A do ta shikojmë
përsëri të hapur, dritaren e Engjëllit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit? E vetë Sheshin,
të përmbytur nga vala e besimtarëve? Sidoqoftë, ka shumë mundësi që të dielën e ardhsme
të brohorasim përsëri me gjithë zemër për nisjen e një papnie tjetër, të një kohe
tjetër për Kishën, gjithnjë të re.