2013-03-10 09:42:43

Afresket e Kapelës Sikstine, dëshmitare dhe frymëzuese të zgjedhjes së Papëve.


Janë vendosur, tashmë, në Kapelën Sikstine, të mbyllur për publikun nga e martja e kaluar, dy stufat, që do të përdoren njëra për djegien e skedave, tjetra, për të krijuar, falë materialeve tymuese, tymin e bardhë, që shënon zgjedhjen e Papës. Pak ditë më parë, drejtori i Sallës së shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, përmendi Triptikun Romak, vepër poetike e Gjon Palit II, buruar nga kundrimi i afreskeve mikelanxholeske. Papa Vojtila kujton sesi pikturat e Mikelanxhelos i frymëzuan kardinajtë në të dy konklavet, në të cilat ai pati marrë pjesë.RealAudioMP3
“Pikërisht këtu, tek këmbët e polikromisë mahnitëse sikstine, mblidhen kardinajtë, një bashkësi e ngarkuar me përgjegjësinë e lartë të trashëgimit të Çelësave të Mbretërisë. Mikelaxhelo vijon t’i mbështjellë me vegimet tij, duke u krijuar një botë, që qëndron shumë më lart, se ajo ku zhvillohet Konklavi. Kështu pati ndodhur në gusht, e pastaj edhe në tetorin e paharrueshëm të dy konklaveve të fundit, e kështu do të ndodhë edhe tani. Atyre, që do të mblidhen këtu, vegimi i Mikelanxhelos duhet t’u flasë. Lidhja ndërmjet artit e fesë, theksuar gjithnjë nga Gjon Pali II, fiton një ngjyrim krejt të veçantë në vargjet poetike të Triptikut Romak, frymëzuar nga kundrimi i afreskeve të Kapelës Sikstine, vend ku zgjidhet Papa. Në hyrjen e veprës së Papës Vojtila, kardinali i asokoshëm Ratcinger kujton dy konklavet ku mori pjesë, duke treguar si u frymëzua nga afresket mikelanxholeske. Prej këndej, nësa kujtojmë Kapelën, ku do të mbyllet Konklavi, nuk mund të mos na lindë pyetja: “Do të ketë përsëri një rol kaq të rëndësishëm në fazën delikate e vendimtare të Konklavit? Përgjigjet Antonio Paolucci, drejtor i Muzeve të Vatikanit:

Përgjigje: - Afresket e Kapelës Sikstine janë doktrina e Kishës, realizuar në figura: nga “Fiat lux” – “Të bëhet drita!”, tek Zbulesa, mund të jetojmë në frymën e Besëlidhjes së Re e të Vjetër. Aty është gjykimi për të gjithë e për secilin. Gjindet gjithçka në rreth 2.500 metra katrore, prej nga na shikojnë personazhet e afreskeve sikstine. Nëse kardinajtë zgjedhës do të kenë sy për të parë, do ta kuptojnë menjëherë delikatesën e rolit ë tyre dhe rëndësinë e vendimit të tyre. Kjo do të thotë se Kapela Sikstine u bë pikërisht për këtë, e për këtë edhe u pikturua me këto afreske, që të shkëpusin për një të imtë nga toka, për të të lartuar në qiell, por edhe për të të kujtuar greminën e amshuar: mjafton të kujtojmë se Papa, që u kujdes ta realizonte, Siksti IV della Rovere, deshi që kjo Kapelë “madhëshore”, kjo kapelë e madhe e Kishës katolike, të kishte të njëjtat përmasa të Tempullit të humbur të Jeruzalemit, masa, që regjistrohen në Bibël, në Librin e Mbretërve. E deshi edhe që të ishte, në një farë mënyre, Arka e Besëlidhjes së re e përfundimtare ndërmjet Zotit e popullit të vet, nën shenjën e Kishës së Romës.

Pyetje: - Ç’na kujtojnë posaçërisht afresket e ç’mund të komunikojnë, në një çast kaq delikat e vendimtar, siç është ky i Konklavit?

Përgjigje: - Kur kardinajtë do të hyjnë për Konklav në Kapelën Sikstine, për efekt optik, të studiuar enkas, sytë do t’u shkojnë menjëherë tek figura, e pikturuar mbi murin e djathtë. Posaçërisht, do të përqendrohen mbi pikturën e Peruxhinos, që paraqet dorëzimin e çelësave: shikohet Pjetri i gjunjëzuar e Krishti para tij, që i dorëzon çelësat; praktikisht, jemi para themelimit të papnisë së Romës. E pikërisht këtë do të shikojnë së pari kardinajtë. Pastaj, kur të jenë ulur në karriget e tyre, shikimi do të përqendrohet tek Gjyqi i Mbramë, sytë do të ndalen në pjesën më të sipërme të afreskut, mbi skenën që Mikelanxhelo e kishte aq për zemër, ku duken engjët që paraqesin mjetet e Mundimeve të Krishtit. Pse kjo paraqitje? Sepse para Gjyqit të të Tejetlartit këto do të jenë provat, që do të bëjnë dëshmi për secilin nga ne, e, natyrisht e dhe për kardinajtë. Do të shelbohemi ose do të dënohemi mbi bazë të besnikërisë sonë ndaj Krishtit.

Pyetje: - Këto afreske, si të Mikelanxhelos, ashtu edhe të Peruxhinos dhe të piktorëve të tjerë të ‘400-tës, lindën për të dekoruar një mjedis të caktuar për zgjedhjen e pasardhësit të Shën Pjetrit?

Përgjigje: - Kapela Sikstine lindi si kapela e madhe e Papës së Romës. Është vend i liturgjive të mëdha, i ngjarjeve të mëdha e, prej këndej, edhe i zgjedhjes së Papës. Thënë simbolikisht, mund ta quajmë Arka e Besëlidhjes përfundimtare.

Pyetje: - Arrijmë, kështu, në ditët tona: hyjmë në Selinë Vakante, Sikstina u mbyll për publikun e përfundojnë përgatitjet për Konklavin. Si i jeton bashkësia e Muzeve të Vatikanit këto ditë?

Përgjigje: - Muzetë e Vatikanit, ndërkaq, e ndjejnë haraçin e Konklavit, sepse pjesa më e kërkuar e më e dëshiruar e Muzeve, Kapela Sikstine, u mbyll. Natyrisht Muzetë e Vatikanit janë pajisur në mënyrën më të mirë për këtë ngjarje të posaçme. Konklavi nuk mblidhet çdo ditë e për mua, ky është i pari, që e ndjek si drejtor i Muzeve të Vatikanit.

Pyetje: - Për ju, si drejtor i Muzeve të Vatikanit, ç’do të thotë të thirresh për të ruajtur e për të mbrojtur Kapelën Sikstine, një vend kaq të çmuar në këndvështrimin historik e artistik, por edhe në atë fetar...

Përgjigje: - Në karrierën time të gjatë, që arriti në këtë pikë, pasi Benedikti XVI më besoi, më 2007, drejtimin e Muzeve të Vatikanit, kuptova një gjë, që e dija edhe më parë, por këtu edhe e provova: se Muzetë e Vatikanit janë, në një farë mënyre, Muze të të gjitha muzeve të tjera. Në Itali e në botë ka klone, imitime të Muzeve, që i shpikën pikërisht Papët e Romës. Kuptova edhe cila është veçantia e Muzeve të Vatikanit: shprehja e universalitetit e, njëkohësisht, pluralitetit të Kishës së Romës: janë universale, sepse vepra arti për të gjithë, për burrat e gratë e gjithë botës. Janë edhe plurale, sepse Muzetë e Vatikanit përmbledhin dëshmitë e veprimtarisë artistike njerëzore në të gjitha variantet; e vepra artistike njerëzore i intereson gjithnjë Kishës. Ky, besoj, është karakteri i vërtetë, dallues, i Muzeve të Vatikanit, tipari i veçantë i Muzeve të Papës!







All the contents on this site are copyrighted ©.